Nga mënyra se si parashtrohet problemi të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një lojë fjalësh të tipit pula vezën apo veza pulën. Por, nuk është plotësisht ashtu. Në këtë shkrim pa dashur t’u referohemi standardeve, të bëjmë përcaktime mes termit krim dhe politikë, as të zbulojmë lidhjet kauzale mes tyre, ndërvarësinë dhe se si ato ushqejnë njëra tjetrën, por thjesht të nënvizoj një fakt shumë të thjeshtë, se sa natyrshëm është ulur krimi në mes të politikës shqiptare, në qendër të Parlamentit, në ballë të vendimmarrjes, se sa i pashqetësuar është ai, ku hyn dhe del nga Parlamenti si në shtëpinë e tij, madje edhe i mbrojtur nga shteti, i trajtuar dhe i shpërblyer në mënyrën më të mirë, duke bërë një jetë përrallore. Seanca e fundit parlamentare të ngjante me një panair ku ekspozoheshin dhe reklamoheshin krimet si të ishin arritje, si në një teatër ku kryekriminelët me duart me gjak, ku më tepër se mohonin krimet, ekspozonin artin e mashtrimit, aftësitë për të ndërtuar alibi, për të improvizuar situate të paqena, për të krijuar aktor fiktiv, intrigat për të fajësuar të tjerë që nuk kanë patur lidhje më ngjarjet. Ndërsa akuzuesit si të hutuar, të zënë disi në befasi nga pozitat sulmuese të kriminelëve parlamentarë, e humbën toruan dhe pranuan një lojë armëpushimi, një braktisje të kauzës së drejtësisë të premtuar. Situata në parlament mori pamje tragjikokomike ku akuzuesit me një lojë nënshtrimi u luteshin vrasësve, gati sa nuk u thanë se është puna juaj ç’keni bërë me jetën e viktimave, nëse i keni vrarë me armë zjarri apo, i keni zhdukur me metodat më primitive, i keni mbytur në det apo i kanë shqyer qentë e tërbuar të shtetit, por të paktën tregoni ku ndodhen kufomat e viktimave.
Dhe kështu, këta përfaqësues të popullit në pushtet me sa duket në këtë mënyrë donin ta kishin mirë edhe me vrasësit por edhe me të afërmit e viktimave të cilëve kur ishin në opozitë u kishin premtuar zbardhjen e krimeve dhe gjetjen e kriminelëve. Flamurin e antikrimit edhe në këtë seancë parlamentare, e mori i dyshuari për krimet më monstruoze në Shqipëri, satrapi që e mbyti Shqipërinë në gjak, në korrupsion, në grabitje, në vjedhje, njeriu i zi, që natën akuzohet se vriste njerëz, ndërsa ditën i qante ata, ku natën thuhet se bënte komplote me armiqtë më të egër të Shqipërisë dhe ditën mbante leksione për atdhedashurinë. I zhytur në zgafellat më të errëta të antishqiptarizmit, ai e kishte krimin, armën më të fortë në shërbim të politikave, antikombëtare. Ky përbindësh i quajtur, Sali Berisha, jo vetëm se ndihet i sigurt nga krimet e kryera, por bën edhe diversion, duke frymëzuar dhe siguruar, krimin dhe kriminelët se sa të jetë ai gjallë, ata duhet të ndihen të sigurt dhe të fortë në rrugën kriminale. Por, veç Parlamentit të kthyer në një çerdhe kriminelësh, ne kemi edhe një opozitë tërësisht të robëruar nga krimi. Dje në pushtet dhe sot në opozitë, nuk ka pasur ngjarje kriminale, që drejtues të kësaj partie, anëtarë të qeverisë të përbërë prej saj, struktura të administratës shtetërore, të mos jenë ndodhur në qendër të krimit, diku si autor, në një vend tjetër si faktor ndihmues, diku për të fshehur provat dhe gjurmët e krimit, në një vend tjetër për të krijuar alibi dhe situatë kontradiktore përmes metodave të mashtrimit, etj.
Pra, në shërbim të krimit dhe të maskimit të tij, kemi parë që nga shtabi politik i kësaj partie deri militantë të saj, inxhinierë, doktorë, ushtarakë, policë të lidhur me pranga në duar për të penguar demostrimet paqësore të opozitës së atëhershme, konstruktor e mekanik për të ndërruar pjesët teknike të armëve që vranë në 21 Janar, aktivistë, gazetarë që në atë kohë bënin thirrje që kryetari i opozitës të asaj kohe të futej në burg edhe pse sot ata janë bërë shokë të ngushtë, inxhinierë elektronikë që prishën qëllimisht serverin e kësaj ngjarje. Kemi parë se si shteti strehonte vrasësit brenda kullës së Kryeministrisë, si i ruante ata nga prokuroria, si i pajiste vrasësit me pasaporta diplomatike dhe me para, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Sot në Parlament kryecubi i krimit, Berisha në mes të Parlamentit pohon se qeveria për të gjitha ngjarjet kriminale dhe tradhtitë ndaj atdheut kishte informacion zero, në një kohë kur dinte me saktësi, se me kë shkonin dhe në cilinë hotel bënin dashuri gratë dhe motrat e deputetëve socialist, se sa socialist vuanin nga prostata dhe u mbahej urina, se kur u vinin grave socialiste të mallkuarat perioda, të gjitha këto i dinte ky mostër, veç autorët e krimeve shtetërore nuk i dinte, për ta kish informacion zero. Fshihet si struci në shkretëtirë, pasi gjurmët e të gjitha krimeve shtetërore të shpien në kullën e tij, edhe pse ka qenë tepër i kujdesshëm në eliminimin e provave .Vendosmëria dhe guximi për të bërë krime, me sa duket ishte shndërruar në një stimul brenda kësaj force politike për të bërë karrierë, për të marrë një post në qeveri, një tender, një koncesion. Madje, edhe vet kryetari i kësaj partie për tregues të tillë u emërua kryetar partie, pasi mbi të rëndojnë tre krime tronditëse.
Pra, nga kjo s’ka si të të mos krijohet përshtypja se ai është zgjedhur si njeriu garant i krimit dhe mbrojtësi i zellshëm i kriminelëve. A nuk e shikoni se platforma që shpalos opozita sot, është në mbrojtje të krimit, të metodave antishtetërore, ato anarkisë, të shthurjes, e të rebelimit shtetëror dhe shoqëror. Me këtë veshje krimineli këta, negociojnë me partnerët ndërkombëtarë, parashtrojnë atje alternativa, bëjnë opozitë, pretendojnë të marrin pushtetin. Pa u larë nga krimet vështirë se këta, do ta shohin derën e pushtetit. Kryetari i kësaj partie dhe vrasjet e 21 janarit, shitja e detit dhe vjedhja në rrugën e kombit, janë një identitet, vet krimi që duhet dënuar. Padrejtësisht duke qenë në krye të PD, një i akuzuar i tillë lëshon mbi opozitarizmin shqiptar, re të zeza, hije dyshimi dhe frike për të ardhmen e saj. Ndaj, ndëshkimi i këtyre krimeve mbetet i vetmi shpëtim për ta çliruar këtë forcë politike nga kthetrat e krimit dhe të korrupsionit që e ka kapur atë peng. Por në vendin tonë ndryshe nga gjithë bota, nuk ndodh vetëm që politika të jetë peng i korrupsionit dhe krimit, por edhe krimi mbetet peng i politikës. A nuk kanë ngelur akoma krimet e kryera në qeverisjen e shkuar, peng i propagandës të Rilindjes? I përdorën ato me shumë sukses në fushatën elektorale, duke u bërë anomin, denoncuan rrezikshmërinë e tyre shoqërore, sensibilizuan opinionin se me ardhjen e tyre në pushtet drejtësia do të vendosej në vendin e duhur, ku kriminelët do të dënoheshin, dhe viktimat do të merrnin drejtësi. Pas dy vjet e ca qeverisje prej tyre jo vetëm se nuk erdhi stina e drejtësisë, por ata sa herë opozita u përmend ndonjë aferë korruptive, pozita vazhdon t’u kujtojë krimet e bëra në qeverisjen e tyre.
Nga goja e deputetëve socialistë edhe në këtë seancë parlamentare, nuk munguan edhe akuzat ndaj deputetëve të opozitës, për vrasje, tradhti kombëtare, etj. Pra të krijohet përshtypja se industria e propagandës të kësaj partie nga paaftësia apo nga mungesa e dëshirës për të vendosur drejtësi, ajo krimet e kundërshtarit politik i ka konservuar për t’i përdorur kur t’i nevojiten, kur të ndodhet ngushtë. Dhe nëse opozita nuk e trazon, ose i afron një marrëveshje të tipit, nuk të ngas, mos më nga, rilindasit janë gati të shkelin mbi krime, të tradhtojnë kauzën e drejtësisë, bashkë me të edhe viktimat e këtyre krimeve. Në këtë mënyrë krimet vazhdojnë të mbeten peng i politikës edhe pse ato tashëm bëjnë efektin e kundërt, pasi njerëzit duan drejtësi dhe jo demagogji, kërkojnë zgjidhje dhe jo justifikime, kërkojnë shtet ligjor dhe jo pushtet bajraktarësh të rinj. Peng i krimit ka renë me kohë edhe sindikalizmi shqiptar duke i bërë një dëm serioz demokracisë shqiptare. Por, ajo që të tërheq vëmendjen në këtë agoni të shoqërisë është se edhe kur bëhen dy tre student bashkë dhe luftojnë edhe të vetëm në mbrojtjen e kauzës së tyre, oponenca shqiptare, në vend të sensibilizojë shoqërinë në mbrojtje të të drejtave të tyre, mban qëndrim kritik për sjelljen etike të tyre, mjetet, fjalorin që duhet të përdornin, ndaj pushtetarëve. Vezët, domatet dhe mielli gati sa nuk u quajtën prej tyre mjete të rrezikshme si edhe çadrat dhe stilolapsat pistoletë të cilësuara nga Berisha, në 21 janar, mjete që mund të përmbysnin pushtetin me dhunë.
Pra, për demostruesit shqiptarë, nëse do të ketë të tillë ndonjëherë, këta opinionistë, rekomandojnë mjete të një natyre përkëdhelëse,të ëmbla, sentimentale, që kur të përdoren ndaj pushtetarëve të bezdisshëm dhe arrogantë, atyre të mos u bëhet pis kostumi, të mos u prishet humori dhe oreksi, të mos u shkojë shtrembër kollaro. Vërtet se mjetet e dhunshme janë anti-ligjore, dhe nuk duhet të përdoren, as thyerja e dhëmbëve si bënë demostruesit italianë me Berluskonin kur ishte në pushtet, as përdorimi i lëndëve helmuese në demostrata, nga ku vdiqën disa vetë në Greqi, para tre vjetësh, por t’i hedhësh deputetët në kazanin e plehrave si bënë demostruesit në Rumani, t’i qëllosh me vezë apo domate, t’i izolosh ata nga jeta e tyre përrallore, për pak kohë nuk përbën ndonjë rrezikshmëri shoqërore, apo mëkat, madje pushtetari në këtë rast do ta ndiejë veten më mire, pasi është një mënyrë testimi në popull. Është më demokratike të përdoren në vazhdimësi veprime të tilla sindikaliste se sa një herë në dhjetë vjet, të ngrihemi në revolucione alla shqiptarçe ku digjet dhe shkatërrohet gjithçka. Por, nëse deri pak më parë, në qeverisjet e shkuara, shtetar, politikanë, administratorë të pushtetit, të korruptuar dhe të kapur rob nga krimi përpiqeshin ta maskonin dhe ta fshihnin rënien e tyre peng dhe shërbëtor të kësaj të keqe, ndërsa sot ata, me entuziazëm, nën tingujt e simfonisë të pastrojmë Shqipërinë nga krimi, në studiot luksoze televizive, dhe mes përkëdhelje gazetarësh, me letra të falsifikuara në dorë ata, nuk e kanë aspak problem akuzën, e zënies peng të tyre nga krimi dhe korrupsioni. Një trimëri e çartuar dhe tepër e frikshme, për demokracinë shqiptare.