– Jam një emigrante ne Itali e datëlindjes 24 prill 1957. Kam punuar ne Shqipëri në N.B “Gjergj Dimitrov” prej vitit 1970-1990. Problemi im është se unë nuk kam librezë pune për ta paraqitur kur të dal në pension. A mund të më ndihmoni për ta zgjidhur këtë problem? Sqarimi tjetër që kërkoj është: Kur e plotësoj moshën për pension dhe me këtë vjetërsi, a përfitoj pension? Ju faleminderit.
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – Përshëndetje zonjë. Përsa i përket problemit që keni, mendoj se ai zgjidhet pa vështirësi. Fakti që e gjithë vjetërsia kontributive për ish-kooperativat bujqësore është hedhur në mënyrë elektronike, e bën më të lehtë identifikimin e të gjithë peiudhës kontributive që keni në ish-N.B “Gjergj Dimitrov”. Për sa më sipër duhet të dërgoni një kërkesë pranë zyrave tona, të shoqëruar me gjeneralitet që keni, si: emër, atësi, mbiemër, mbiemrin e vajzërisë, adresën në Shqipëri (qytetin/komunën) datëlindjen (ditë, muaj, vit) dhe rubrikat e punës fillim–përfundim, sektorin ku keni punuar, deri në lënien përfundimtare të marrëdhënies së punës. Në rast se keni kartë identiteti, do të ishte mirë që të na e dërgoni, qoftë edhe me e-mail. Nëpërmjet një marrëveshjeje që kemi me ISSH-në do të përcaktojmë dhe konfirmojmë të gjithë periudhën kontributive që keni. Këtë konfirmim, sipas dëshirës tuaj, mund t’jua dërgojmë në adresën në Itali, ose mund ta tërhiqni personalisht apo me ndonjë të afërmin tuaj pranë zyrave tona.
– Sipas informacionit të përgjithshëm që na keni dhënë në letrën e dërguar, rezulton se keni afërsisht 20 vite me kontribute. Për përfitimin e pensionit të pleqërisë, bazuar në ligjin 104/2014 (neni 16, që ndryshon nenin 31 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar) , përcaktohet si më poshtë: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji. Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim”. Përderisa keni një vjetërsi kontributive mbi 15 vite, jeni në kushtet e nevojshme për përfitimin e pensionit. Bazuar në nenin 43 të ligjit 104/2014, që ndryshon nenin 92 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, plotësoni moshën për pension në datën 27 Tetor të vitit 2017. Kjo për arsye se sipas ligjit 104/2014, duke filluar nga 01.01.2015, mosha e daljes në pension për gratë rritet me 2 muaj për çdo vit dhe vjetërsia në punë, me 4 muaj, deri në vitin 2056, ku mosha shkon në 67 vjeç dhe vjetërsia në punë, 40 vjet.
– Pensioni juaj do të jetë në një shumë, proporcionalisht me vjetërsinë kontributive dhe me pagën referuese të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kur të plotësoni moshën për pension, jeni e mirëpritur në zyrat tona për të bërë të gjitha procedurat për aplikimin për pension. Duhet të keni parasysh se të gjitha shërbimet tona ofrohen pa asnjë pagesë. Të dhënat e mësipërme mund të na i dërgoni edhe në rrugë elektronike me e-mail: n.balluku@inas.it, nballuku@yahoo.it ose albania@inas.it Ju falënderoj për besimin. Naim Balluku.