– Përshëndetje avokat! Quhem Harun, jam me profesion inxhinier dhe aktualisht, në punë. Eksperienca ime në këtë fushë daton që prej vitit 2006 dhe deri tani. Kam ngelur pa punë rreth 10 muaj në periudhën 2013-2014, por tani kam kontratë rregullisht me kompaninë ku punoj dhe jam stabilizuar. Paralelisht, bashkëshortja me të cilën unë kam 12 vjet martesë, gjatë periudhës që kemi qenë të lidhur ka punuar në afate kohore të ndryshme. Nga martesa kemi sjellë në jetë një djalë që në janar bën 6 vjeç dhe që të dy e duam shumë. Në datën 4 shtator gruaja shkoi drejt prinderve të vet në qytetin e Durrësit për të marrë fëmijën, pasi ishte atje për pushimet verore. Me tha se do shkonte të merrte djalin dhe do kthehej, por të nesërmen më këputi një deklaratë shokuese nëpërmjet Facebook-ut (a thua sikur kishim 2 muaj bashkë dhe jo siçc i ka hije një gruaje me të cilën kisha konsoliduar jetën time për 12 vjet). Deklarata ishte e thjeshtë, vinte në dukje streset dhe ankthet e netëve pa gjume, sherret ne familjen e saj, me prindërit e vet që nuk e di se çfarë diskutojnë, si dhe pamundësinë e një jete të mirë (kërkon shtëpi, luks, të mos rrijë me qira, etj.) Në vitet 2009-2011 unë isha pak i prirur drejt veseve të këqija, prishja lekë me shoqërinë, u zhyta pak në rrjedhën e basteve sportive dhe ndoshta kjo ka ndikuar pak për keq në aspektet e lidhjes sonë. Për këto gjëra, gruaja ime ka qenë në dijeni. Në 2012 unë jam shkëputur tërësisht nga kjo jetë me ndihmën e gruas sime. Kemi ndenjur gati 1 vit të dy pa punë dhe kemi jetuar normalisht pa asnjë problem, bile kjo ka qenë një periudhë shumë e mirë për mua, nën aspektin e kurajos nga ana e saj. Tashmë që kemi një vit në punë të stabilizuar, ajo kërkon të ndahet, ka rreth 35 ditë që ka ikur nga shtëpia dhe fle te një shoqe e punës e divorcuar, që jeton me 2 fëmijët dhe me nënën e saj. Më vjen inat për mënyrën e largimit në radhë të parë dhe për problemet që parashtron në mënyrë absurde. Për shembull, vjehrri më kërkon që t’i blej shtëpi sikur jam çuni i Rok Felerit, kurse ajo kërkon jetë luksi, me pak fjalë, një jetë ku t’i ketë të gjitha gati. Akoma nuk beson që unë jam tërhequr nga veset e mia, ndërkohë që ka mbi nje vit që rrogën time e menaxhon ajo në bankë. Dua të theksoj që gruaja ime, për shkak se ka një natyrë jo shumë të qëndrueshme ndaj problemeve të jetës, ka kaluar një depresion rreth 2011-2012 dhe është kuruar me ilaçe. Mendoj se depresioni mund t’i jetë rikthyer që ka marrë këtë vendim. Faktorët që kanë ndikuar në këtë vendim janë: Ngarkesa e saj në lidhje me problemet e mia në të kaluarën, por që janë sheshuar para 2 vjetësh, ndikimi i tepërt i prindërve të saj në jetën tonë dhe lidhja me këtë femër të divorcuar që ka 1 vit që e njeh dhe që nuk i shqitet nga pas. Jam akoma në fazë pritjeje, pasi i kam thënë që përderisa ajo kërkon ta prishë familjen, asaj i takon të bëjë dokumentet, ndërkohë që paralelisht mendoj të bëj një denoncim në polici apo gjykatë që është larguar nga shtëpia dhe që kërkon të prishë familjen. Tashmë, lufta ime me të do përqendrohet në lidhje me kujdestarinë e djalit. Do bëj çmos që ta marr dhe ta shkëpus prej familjes së saj. Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj!
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – – Përshëndetje zoti Harun. Fillimisht ju falënderoj shumë që keni kontaktuar me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”! Më vjen keq për gjithçka po ju ndodh me bashkëshorten tuaj. Kjo pasi ajo ju ka mbështetur në momentet tuaja më të vështira, kur ju keni patur një nga veset me shkatërruese të njeriut, siç është vesi i bizhozit. Jeni për t’u përgëzuar që ju nuk keni ngelur më shumë se 2 muaj pa punë, por duhet të kuptoni se me bixhozin, sado që ta keni patur rrogën, nuk ma merr mendja se çonit të ardhura në familje. Duhet të pranoni të metat tuaja, të cilat më vjen mirë që ju i keni kaluar me ndihmën e bashkëshortes. E keni lodhur aq shumë atë saqë ajo merrte ilaçe. Nga ana tjetër duhet të kuptoni që depresioni është sëmundje e cila sjell ankth, pasiguri dhe simptoma të tjera. Personi që kalon këtë periudhë nuk ka besim te vetja dhe merr mendimet e të afërme të cilët mund të jenë prindërit, motrat dhe shoqet. Natyrshëm, rasti i bashkëshortes suaj është i tillë. Ndoshta ju me të drejtë mbani qëndrim, por duhet të kuptoni se ajo është në një moment të vështirë psikologjik dhe ju nuk duhet ta lini atë në mëshirë të fatit dhe të njerëzve të tjerë. Ajo e ka treguar veten që ju ka qëndruar pranë në momentet më të vështira të jetës suaj dhe të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju me të.
Mos u shqetësoni nga kërkesat e prindërve të nuses, pasi çdo prind për fëmijën e tij do më të mirën, por gjërat ju mund t’i realizoni nëse punoni së bashku dhe nuk i shpërdoroni të ardhurat. Në këtë sistem ku jetojmë, është e vështirë të blihet apartament por kjo realizohet në forma të ndryshme siç mund të jenë banesat sociale, kreditë e buta nga bashkia ose kreditë e bankave të tjera. Lidhur me kallëzimin penal unë nuk dua t’jua këshilloj pasi këto që trajtoni në letër, tregojnë se bashkëshortja juaj është në momente tepër të vëshitra psikologjike dhe i bën nën ndikimin e personave nga të cilët rrethohet. Njëkohësisht, fëmija nuk do të ndihet mirë nga gjithë kjo situatë. Nëse i shteroni të gjitha rrugët për t’u bashkuar, duhet t’i drejtoheni Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku duhet të kërkoni zgjidhjen e martesës dhe lënien e fëmijës për rritje dhe edukim. Në moshën që është fëmija, është mirë që ai të jetojë me nënën pasi ka nevojë më shumë për të. Në seancën gjyqësore gjykata cakton ekspert psikolog për të marrë në pyetje fëmijën dhe prindërit. Pasi kryhet nga psikologu, akti i ekspertimit paraqitet në gjykatë dhe gjykata pasi merr në pyetje bashkëshortët dhe fëmijën vendos se me cilin nga prindërit do të jetojë fëmija. Nga praktika gjyqësore, në raste të tilla, gjykata ia ka lënë nënës fëmijën. Pra, ju nuk keni asnjë mundësi ligjore për të mbajtur fëmijën. Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni në e-mailin: info@durajlaw.com.