Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më duket sikur më gjykojnë

– Dr. Demiri po ju shkruaj sepse kam vërtet nevojë për ndihmën tuaj. Jam 19 vjeçe dhe studioj për Mjekësi. Të më falni që do t’ju shkruaj pak gjatë, por dua ta kuptoni sa më qartë gjendjen time. E vras shumë mendjen për opinionin e të tjerëve, për shembull, kur nuk marr 10 në provim, mendoj sikur të tjerët do thonë “kjo nuk mëson”, kur një gjë e tillë është absurde se gjithmonë kam qenë një nga nxënëset më të mira. Sikur një fjalë pa të keq të ma thotë dikush, e mbaj mendjen aty gjithë ditën dhe duhet një kohë e caktuar që të më kalojë ose për shembull, takoj shoqet në mëngjes dhe nëse njëra nuk ma var e nuk më thotë “mirëmëngjes”, filloj të mendoj: “po kjo çfarë ka” etj. etj. Ndoshta dua të jem në qendër të vëmendjes, nuk e di. Kur bëj një veprim, mendoj se çfarë do të bënte X në vendin tim dhe ky X mund të jetë shoqja ime të cilën e shikoj që e pëlqejnë shumë në shoqëri. I stërholloj kaq shumë gjërat që më ndodhin saqë edhe diçkaje të përkryer do t’i gjej një cen patjetër. Jam bërë shumë paranojake, më duket sikur të tjerët ndryshe sillen e ndryshe mendojnë, kur nuk kam një arsye specifike dhe kjo më shqetëson. Janë iluzionet e mia ndoshta? Jam një femër e bukur, studente e mirë, e qeshur, energjike e të gjithë më duan, e kompletuar dhe askush nuk do ta besonte se unë kam shkruar një letër të tillë. Ka raste kur mendoj sikur do të më largohen të gjithë dhe nuk e kuptoj arsyen pse, sepse kam shumë shoqe që më rrethojnë dhe më duket sikur në mendjen e tyre fshehin mendime të tjera për mua, sikur s’kanë asnjë lloj interesi për mua, sikur do të më shpërfillin e nuk do të kem me kë të rri. Janë mendime aq pa bazë këto të miat, por edhe aq shqetësuese, sa më janë bërë pengesë në jetë. Dua të përmend edhe faktin se shoqe kam plot që më rrethojnë, por nuk mund ta cilësoj ndonjërën si “shoqe të ngushtë”. Sa herë afrohem me ndonjë shoqe, bëhemi shumë me njëra-tjetrën dhe nëse vë re ndonjë gjë që nuk më pëlqen, më del nga zemra dhe nuk mundem më ta vazhdoj shoqërinë me të, distancohem; nuk jam elastike. Më pëlqen të jem popullore e të kem shoqëri të zgjeruar, por me sa duket, kjo është ajo çfarë dua, jo çfarë jam. Në dukje mund të jem e tillë, por brenda meje jam bosh në këtë drejtim. Adoleshencën sikur po e përjetoj tani, në universitet. Dua të theksoj se këtë problem nuk e kam pasur më përpara, më filloi në universitet, në vit të parë. Kam folur shpesh edhe me prindërit për këtë problem e më kanë ndihmuar goxha, por nuk ka zgjatur shumë fatkeqësisht, ndryshimi ka qenë momental. Më falni për këtë letër të rrëmujshme, por të tilla janë mendimet e mia, nuk i vë dot gishtin asaj çka më mungon. Uroj të më keni kuptuar sadopak, sepse disa këshilla praktike nga ju do të më ndihmonin shumë. E ndiej se kam nevojë për një dorë që të më shtyjë ta kaloj këtë siklet, nëse mund ta quaj të tillë. Faleminderit për kohën tuaj. Nora.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar Nora, studente e Mjekësisë! Do të përgjigjem me respekt, e dashur, sepse do të jesh kolegia jonë e ardhshme, por nuk do të zemërohesh sepse edhe pak “dush” të ftohtë e ke hak. Ja, se pse: Ti ke vetëm disa çrregullime ankthi të cilat janë plotësisht të trajtueshme, pasi ankthioziteti s’ka lidhje me sëmundjet dhe, në mes të letrës, ti thua një “futja kot”: “jam bërë paranojake”. Paranojat dhe psikozat janë sëmundje psikike, ndoshta edhe të rënda, kurse ti, je në anën e tyre të kundërt, je plotësisht e ndërgjegjshme se ndryshe nuk do të na shkruaje dot as këtë letër. Ti e thua saktë se këto “janë iluzionet e mia”, pra, e ke të qartë se nuk ka njeri që të mos ketë iluzione. Për ta kuptuar më mirë ndryshimin e madh të iluzioneve nga deluzionet lexo te gazeta “Intervista” në internet një përgjigje timen: “Ç’janë deluzionet?” dhe do të bindesh. Ti duhet t’i studiosh këto gjëra sepse ato të duhen jo vetëm për vete, por edhe sepse do të bëhesh doktoreshë. Ti qenke një studente që synon vetëm notën dhjetë dhe në rastin tënd këto do t’i quaja, siç thotë Skot Pek, “kriza të vogla”, pa të cilat nuk vjen pjekuria e madhe ose thuaj “neuroza e braktisjes” pasi ti po “braktis” paditurinë dhe fëmijërinë. Në rastin tënd, ankthi është si ai “mësuesi i rreptë”, por gjithsesi, ti mëson. Të gjithë vuajnë nga dobësia e fleksibilitetit në sistemin e reagimit, veçanërisht moshat e reja krijojnë për hiçgjë ndjenjat e parehatisë, vetëfajësinë e dëshpërimit, sidomos kur janë të mbizgjuar dhe të mbindjeshëm. Gjithsesi, kjo gjendje e ky “alarm” i brendshëm duhet kontrolluar sepse nuk të lë të qetë, pra, të prish cilësinë e jetës dhe ti i harxhon energjitë pa dobi. Po atëherë, çfarë ke ti, ose çfarë “diagnoze” mund të vendosim bazuar në letrën tënde? Edhe pse doja të të kisha në kolltukun e psikoanalistit e të të bëja shumë pyetje, përsëri besoj se me kaq sa tregon ti ke: 1. Ankth performance që do të thotë, dëshirë për të bërë kudo e për çdo gjë përshtypje të shkëlqyera. 2. Ndjenjën e sublimes, që do të thotë, dëshirë për përkryeshmëri, gjë që është e pamundur, pasi njeriu nuk është i pagabueshëm, se po të ishim të pagabueshëm e pa asnjë të metë, s’do të kishim vend në këtë planet! Njeriu s’mund të jetë si ai uji i distiluar i cili nuk bën as për t’u pirë se i mungojnë kripërat, mineralet etj. Të dyja bashkë, ankthi i përformancës dhe ndjenja e sublimes të krijojnë një të “tretë” që quhet dismorfobi e që do të thotë parehati me veten, pasi ti kërkon dhe gjen vetëm të meta te vetja, ndaj edhe bëhesh “lexuese” e keqe e mendjes së të tjerëve, pra, kujton ose beson se ata po i shohin si me lupë zmadhuese anët e tua “negative”.

Të trija këto të krijojnë ato që quhen çrregullime ankthi të përgjithësuar, që do të thotë se ty po të bëhet si zakon i keq që gjen diçka për t’u shqetësuar dhe, edhe kur punët të shkojnë shumë mirë e mbarë, ti shqetësohesh për problemet e së nesërmes. Po t’i shohësh veç e veç e po të bëja “testin” përkatës për secilin nga 3 termat që të përmenda, ato të dalin të lehta, të kontrollueshme, pra, secila veç e veç, nuk “peshojnë” shumë, porse po t’i marrësh së bashku ashtu siç i ke ti, ato peshojnë shumë dhe ti, edhe pse nga jashtë je vajzë e bukur, e qeshur, studente shumë e mirë, model, nga “brenda” ndjen parehati e palumturi dhe, siç thua ti, askush nuk do ta besonte se pikërisht ti e ke shkruar një letër të tillë. Por, po të më pyesësh mua që më kanë dalë thinjat duke shkruar për këto leksione e libra e duke trajtuar shumë të tjerë si ti, ankthi e stresi yt janë jo vetëm të lodhshme e munduese, por edhe pikëlluese. Gjithsesi, çdo e keqe e ka një të mirë nga prapa dhe lajm i mirë ishte se pasi trajtohen këto probleme, ti jo vetëm që do të çlirohesh prej tyre me anë të dy lloje psikoterapish, të njohjes e të sjelljes, por do të jesh si “ndonjë e vaksinuar” psikologjikisht me aftësitë reale për ta njohur, ndërtuar e gëzuar jetën. Pikërisht për këtë aryse, Skot Pek e ka quajtur psikoterapinë një të mirë të madhe aq sa thotë “si lum ai që nevoja e çon tek ajo”… Tani, meqenëse letra jote është e gjatë, unë nuk mund të zgjatem.

Advertisement

Ne psikologët themi dhe argumentojmë se ajo që shkakton stres, nuk janë aq ngjarjet apo ndodhitë në vetvete, por mendimet tona për ndodhitë. Për më tepër, na ndiqni në përgjigjet në numrat e ardhshëm. Edhe diçka: Për gjithçka që ke arritur e që nuk janë pak, është plotësisht merita jote dhe mbaj mend: Ti do të jesh shumë e suksesshme në jetë. Psikologia e talentuar nga Prishtina, Lumnie Telaku, ka argumentuar në një publikim se është ironike se më të pranuar nga të tjerët janë ata të cilët nuk tregojnë ndonjë merak apo sforcim për të qenë të tillë, por që janë të qetë dhe ndihen vetvetja. Më pëlqen mënyra se si punon me klientët kjo psikologe, duke i mësuar ata që të mos merren me gjëra të vogla, pasi përveç shëndetit, punës e profesionit, të gjitha të tjerat janë të vogla. Do të vijë një ditë që gjithësecili nga shoqëria do të ikë në punë të vet, në jetën e vet… ato që mbeten janë dituritë dhe aftësitë pa të cilat jeta nuk bëhet e siguruar dhe as e suksesshme. Në qoftë se ti, studente e mjekësisë, do të bëhesh fjala vjen, një kirurge e suksesshme që shpëton jetë njerëzore dhe familjare e mirë, këtu “përmblidhen” mbi 90 % të vlerave të tua dhe ti do të ndjehesh e çliruar nga ai “koni i errët” i ankthit social si një hiçgjë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Djemte kerkojne vajza...

Next Post

Ish-i dashuri më injoron

Advertisement