Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ermal Fejzullahu: Këndova vetëm tani me babain, sepse…

 

 

Në intervistat e dikurshme me Ermalin flisnim për vajzat, aventurat, flisnim për atë djalin më të preferuar të femrave. Ndërsa sot… flasim jo vetëm për muzikën, por edhe për familjen e mrekullueshme që ai ka formuar. Ariana, Arti, Buna dhe Era janë boshti kryesor në jetën e tij tashmë. Megjithatë, në këtë intervistë të realizuar me Ermalin pas kaq kohësh, rikthehemi edhe një herë mbrapa në kohë duke kujtuar me nostalgji fillimet e tij, vitet kulmore të suksesit. “Nostalgjia” mban titullin edhe kënga më e re në bashkëpunim me babain, Sabri Fejzullahun. Kjo këngë do të mbetet ndër më të mirat e Ermalit, një këngë që përcjell një mesazh mjaft të bukur në përplasjen e përjetimit të dashurive mes dy brezave të ndryshëm…

Advertisement

Më gjatë rreth këngës dhe vetes na flet Ermali dhe, edhe pse kjo intervistë nuk do mjaftonte për të rrëfyer të gjitha të rejat në jetën e tij, ne arritëm të zbulonim ato më pikantet!

 

Mia Buci: – Ermal, sapo dëgjova këngën “Nostalgjia”, më erdhën ndërmend fillimet e tua, pjesëmarrjet në Top Fest, çmimet e fituara, intervistat që bënim… Sa nostalgji ndjen ti vetë për fillimet e tua?

Ermal Fejzullahu: – (Buzëqesh) Është gjithmonë nostalgji kur kujton gjërat e bukura që ke përjetuar në jetë e këtu patjetër që bëjnë pjesë edhe fillimet e mia si këngëtar sepse me të vërtetë ka qenë një kohë e artë.

– Të dy me karriera të suksesshme, me këngë hite, me bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, por më në fund, një bashkëpunim babë e bir… Pse e kishit lënë pikërisht për këtë moment?

– Nuk e di! Mbase tani mund të kem bërë pak karrierë, që të kem një duet me babain, mendoj se tani i jam dukur pak më i pjekur artistikisht. (Qesh) Bëj shaka. Ishte vetëm çështje kohe, nuk donim të dilnim me çfarëdo kënge.

– Një ndër këngët e tua të hershme mban të njëjtin titull “Nostalgjia”. Ndjen më tepër nostalgji për…

Të them të drejtën, sa herë që po e shoh në youtube këtë këngën e re, po më bie ndërmend kënga ime “Nostalgjia”, që e kam patur në albumin e parë dhe që e kam patur shumë për zemër.

– Çfarë të lind në zemër të më thuash në këto momente për “Nostalgjinë” me babain?

– Kjo këngë do të jetë kujtimi më i mirë për mua, do të jetoj me të, do të jetë gjithmonë pjesë e zemrës time.

– Dikur ishe një ndër djemtë më të preferuar nga femrat, kurse sot je i martuar dhe me 3 fëmijë… Si është të formosh familje në moshë të re?

Është ndjenja më e mirë në botë. (Buzëqesh)

– Kështu e kishe menduar jetën tënde apo jeta kështu të erdhi?

Jeta erdhi kështu, por nuk do të kisha mundur as ta imagjinoja kaq të bukur. Jeta është e bukur për të gjithë ata që dinë ta jetojnë.

– Emri i djalit, Artit, të përfaqëson më së miri ty dhe karrierën tënde. Po me vetë Artin, sa përshtatet ky emër?

Të të them të drejtën, Artin nuk e shoh shumë që bën për muzikën, por sidoqoftë është akoma herët. Të shohim çka do ndodhë në të ardhmen.

– Sa ngjan Arti me ty? Sa ta kujton ai veten?

Arti më kujton shumë fëmijërinë time, është shumë virtuoz. E shoh tani që është në klasë të parë dhe po të mos ketë rezultatin më të mirë, nuk e zë as gjumi. I tillë isha edhe vetë, por kot nuk thonë që gjaku nuk është ujë. (Buzëqesh)

– …pastaj vijnë dy vajzat, Buna dhe Era…

– Çupkat e babit, ëmbëlsirat e shtëpisë janë Buna dhe Era. (Buzëqesh)

– Si janë ditët e tua të kaluara me familjen?

Thuajse gjithë kohën, kur nuk kam punë, e kaloj me familjen time. U qëndroj afër gjithmonë.

– Po me Arianën?

Arianën e kam grua, shok, mik… çdo gjë. Me të diskutoj për të gjitha temat, më ndihmon në çdo hap të jetës dhe është një nënë e mrekullueshme.

– E mban mend takimin tuaj të parë?

Sigurisht që e mbaj mend. Nuk më ka patur shumë qejf dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse tani është gruaja ime.

– Me çfarë momenti nga fillimet e lidhjes tuaj, qeshni sot kur e kujtoni?

(Qesh) Është diçka e jona personale.

– Përplasja mes dy brezave përcillet në mënyrën më të mirë nga ju si në këngë, ashtu edhe në klip… Ka marrë më shumë komplimente babi nga brezi i tij apo ti, nga brezi yt?

Të them të drejtën, nuk është se jemi komplimentuar unë apo ai. Është komplimentuar puna; kënga, teksti dhe emocioni që përmban kjo këngë.

– “Ju s’jeni si ne, po më vjen shumë keq. Sa herë që dashuroni, bota e merr vesh”… Cila gjeneratë mendon se ka dashuruar më shumë dhe më sinqerisht?

– “Çdokush dashuron një herë në jetë” është vargu që e them dhe besoj se dashuria është e njëjtë qysh prej kohës së lashtë. Besoj se do të jetë e njëjtë sa të ekzistojë njerëzimi.

– …dhe e gjithë kjo “bisedë” mes jush bëhet e shoqëruar me nga një gotë verë. Po në përditshmërinë tuaj, çfarë bisedash bëhen mes teje dhe babit me nga një gotë verë para?

Gjithmonë diskutojmë për jetën, për punën, për shëndetin… gjëra normale. Për fëmijët e mi, si çdo prind me fëmijën e vet. (Buzëqesh)

– Dashuria jote me Arianën është ajo tipikja e kohëve moderne apo ju pëlqen ta shijoni edhe sipas mënyrës së vjetër?

Dashuria jonë është pa përshkrim.

– Po në dashurinë mes mamit dhe babit, çfarë të bën përshtypje?

– Dashuria e prindërve të mi është për t’u marrë lakmi. Ata pothuajse 24 orë janë bashkë, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Uroj që të gjithë ta kenë një pleqëri të tillë.

– Je ndër këngëtarët me një axhendë tepër të ngjeshur me koncerte, kryesisht jashtë trojeve shqiptare. Çfarë të bën më tepër përshtypje nga shqiptarët andej?

Publiku shqiptar është në përgjithësi shumë i dashur, por publiku i diasporës është më i zjarrtë sepse ata janë më të përmalluar për muzikë shqip.

– Koha më e gjatë që ke qëndruar larg familjes?

Qëndrova tre javë kur pata turneun në Australi.

– Si mundohesh t’i mbushësh boshllëqet e kohës që nuk e kalon me fëmijët?

– Në fakt, kaloj shumë kohë me fëmijët sepse gjatë javës jam gjithmonë në Kosovë dhe vetëm në fundjavë udhëtoj jashtë vendit. Kohën kur jam këtej, mundohem ta kaloj më së shumti me fëmijët.

– Një nga të papriturat gjatë koncerteve ka qenë rasti kur ty dhe Labinot Gashin nuk ju lejuan të performonit në një koncert në Zvicër. Cila ishte e vërteta e asaj nate?

– (Qesh) Po, është e vërtetë. Ata kërkuan një lloj vize speciale të cilën nuk e kanë kërkuar deri tani, por ligji kishte ndryshuar. Pas 10 ditëve u pajisa me vizën që ata kërkuan dhe kam qenë edhe dy herë të tjera në Zvicër… pa asnjë problem.

– Ndonjë rast tjetër i ngjashëm me atë të mësipërmin?

Jo, asnjëherë. Ai i Zvicrës ishte rast i veçantë. (Qesh)

Mendon se je shpërblyer aq sa duhet deri tani?

U bënë 13 vite që këndoj dhe suksesi nuk më është ndarë asnjëherë. Më ka bekuar Zoti me një familje që e kam të shenjtë. Çfarë të kërkoj tjetër unë? (Buzëqesh)

Kur ke ndjerë më shumë se kurrë sukses?

Viti 2005, 2006, 2008 dhe 2015 kanë qenë vitet e mia më të suksesshme.

Cila mendon se do të jetë pika kulmore në vazhdim?

Nuk dua të kem një pikë kulmore. Gjëja që e dua më së shumti është ajo që thonë: Middle Gold (e mesmja e artë), por kam projekte të reja të cilat jam shumë i bindur se do të kenë sukses të madh.

 

 

 

– Çfarë ndodh të harrosh më shpesh?

Harroj shumë. Dal nga shtëpia për të bërë ndonjë punë dhe harroj se për çka kam dalë.

– Të ndodh shpesh ta ngresh zërin?

Nuk më ndodh shpesh, por kur më ndodh, dua kohë të qetësohem.

– Ajo që të ka lënë shije të ëmbël së fundmi?

Ëmbëlsira që e hëngra para 10 minutash këtu në shtëpi. (Qesh)

– Diçka që ende druhesh ta praktikosh?

Fatkeqësisht, fitnesin druhem ta praktikoj sepse kam pasur ca probleme shëndetësore kohët e fundit dhe nuk mund të bëj fitness.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kryetari i bashkisë më kërkon seks për një vend pune

Next Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Advertisement