Vrimat gjigande që hapen në tokë duket sikur kanë dalë nga një makth. Për fat të keq, ky fenomen nuk është edhe kaq i rrallë, por shpesh, i paparashikueshëm. Kur ndodhin papritmas ato shkaktojnë edhe viktima. Vrimat krijohen qoftë progresivisht, me një vithisje toke të ngadalshme, qoftë papritur. Ky fenomen haset veçanërisht shpesh në disa zona, si për shembull në disa shtete amerikane, ndër të cilët bën pjesë edhe Florida.
Vrima gjigande e Bereznikit, në Rusi, është veçanërisht e frikshme. Ajo sa vjen e zmadhohet që prej vitit 1986 dhe është tashmë mbi 200 e thellë dhe 80 m e gjerë. Vrimat gjigande mund të krijohen edhe nga shirat e rrëmbyeshëm, ose ato acide që fusin ujin në nëntokë, ose nga çarjet në sistemin e kanalizimeve. Një studim i një eksperti të NASA-s, të publikuar në revistën “Geology”, thotë se shfaqja e disave prej tyre mund të parandalohet falë imazheve me satelit. Në Floridë, rreziku i këtyre vrimave është kaq i madh, sa ai është përfshirë në kontratën e sigurimit të shtëpive. Atje zbulohen çdo vit me mijëra vrima të reja, për shkak të tokës gëlqerore me shumë pore, por gjithashtu për shkak të kushteve atmosferike nganjëherë ekstreme. Vrimat shkaktojnë edhe shumë dëmtime, për shkak të ndërprerjes së kanalizimeve, si edhe aksidente rrugore. Disa nga fotot e marra prej tyre duken surealiste.
Vrimat gjigande mund të arrijnë mbi 30 metra thellësi. Vrimat e Sarisarinjamës në Venezuelë njihen për bukurinë natyrale, sepse kanë zhvilluar ekosistemin e tyre me faunë dhe bimë të egra. Një vrimë gjigande në Bimmah (Oman), e mbushur me ujë është kthyer në një vend pushimi bregdetar shumë i kërkuar nga turistët. Vrima gjigande që shihni në foto njihet me emrin Vrima e Madhe Blu. Ndodhet në brigjet e Belizes (Amerikën Qëndrore) dhe është mbi 100 mijë vjet e lashtë. Siç shikohet, nëna natyrë thotë gjithmonë fjalën e fundit…