Është e bukur, e dashur, e talentuar dhe vjen gjithmonë ndryshe për publikun. Anxhela Peristeri publikon pikërisht tani klipin e saj “Si po jetoj”, një klip i planifikuar nga ajo vetë, një baladë që do t’i përngjajë “Ishe mbret”, këngë me të cilën Anxhela hyri në zemrat e publikut…
Fabjola Kuburi: – Anxhela, ti na vjen gjithmonë me surpriza. Si erdhi kaq shpejt klipi i radhës?
Anxhela Peristeri: – Klipi i radhës ishte planifikuar në këtë periudhë sepse doja shumë të nxirrja një baladë, si kërkesë e publikut, por edhe sepse unë i dua shumë baladat.
– Çfarë sjell publikimi i shpeshtë i klipeve?
– Publikimi i shpeshtë i klipeve, përveçse të grin nga lekët, të jep më shumë mundësi për të qenë në shtëpinë e njerëzve çdo ditë. Gjithashtu, shton edhe një këngë tjetër në repertorin tënd dhe, po të jesh me fat, bëhet edhe hit. Sa më shumë hite të bëjmë, aq më shumë jemi në zemrat e publikut.
– Ndihesh e lodhur apo e kënaqur nga gjithë ky angazhim?
– Ndihem e kënaqur. Dakord, klipet janë të lodhshme kur i xhiron, por pastaj kënaqësia është më e madhe.
– Me sa di unë, ke premtuar një baladë si “Ishe mbret”. Është e vërtetë?
– Tani, të themi të vërtetën, si “Ishe mbret” nuk mund të jetë, por është i njëjti stil. Titullohet “Si po jetoj” dhe premiera është sonte. Mua më pëlqen shumë kjo këngë dhe shpresoj të prekë edhe zemrat e vajzave kryesisht sepse të gjitha e kemi pasur një dashuri të ndaluar!
– Çfarë e bën Anxhelën kaq të bukur?
– Mendoj se njeriun të bukur e bën vetëm shpirti. Faleminderit për komplimentin.
– Le të hyjmë pak në përditshmërinë tënde… Cili është mëngjesi yt rutinë?
– Mëngjesi im nuk është kurrë rutinë; është gjithmonë i ndryshëm. Mjalti me vajin e ullirit nuk mungojnë, pastaj ha çfarë të më marrë mideja.
– Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?
– Mëngjes ideal nuk kam.
– Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?
– Kafen e mëngjesit më pëlqen ta pi në klinikën e shokut tim të ngushtë, Robertit.
– A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?
– E dashuroj profesionin tim.
– Të pëlqen puna në klube nate?
– Unë këndoj në një buzuk në Tiranë dhe kjo më pëlqen shumë. E para sepse këndoj live dhe e dyta, sepse njerëzit kënaqen me muzikën time e vijnë të më ndjekin çdo fundjavë.
– Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur nga Anxhela?
– Nuk kam asnjë gënjeshtër të bardhë. I them gjërat troç, bukur, pastër. (Buzëqesh)
– Je dembele apo i bën gjërat shpejt dhe mirë?
– Jam dembele vetëm për gjërat që s’më pëlqen t’i bëj.
– Ku të zë dreka zakonisht?
– Zakonisht, në shtëpi.
– Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?
– Edhe ftoj, edhe më ftojnë, por më shumë ftoj.
– A je kursimtare?
– Nuk kam lidhje fare me kursimin. (Qesh)
– Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?
– Përveçse shumë kujtimeve, kam ruajtur edhe dy ditare. Kam mbajtur ditar qëkur kam qenë shumë e vogël.
– Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?
– Nuk kam kujtime të këqija nga fëmijëria. Periudha nga klasa e katërt deri në të tetën, ka qenë super. Isha shumë e lidhur me shoqërinë time.
– Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, apo i mban vetëm për vete?
– Sekretet janë sekrete vetëm kur i di një njeri. Unë të tilla nuk kam. Sekretet e mia i dinë gjithmonë më shumë se dy njerëz. Ndoshta s’janë sekrete fare. (Qesh)
– Sekret do të mbetet edhe gjendja sentimentale e jetës tënde në këto momente?
– Jo, s’ka pse! Unë jam singëll dhe, të paktën me ju nuk kam ruajtur sekrete. (Buzëqesh)
– Si është Anxhela pa këngën?
– Si shqiponja pa krahë.
– Çfarë do të thotë për ty të fitosh një çmim?
– Për mua, çmimi i vetëm që më kënaq, është vlerësimi i publikut. Çmimet e tjera janë më pak të rëndësishme.
– Po sikur një ditë të të ofrohej një post qeveritar, cili do të doje të ishte ai?
– Nuk më pëlqen politika, prandaj nuk do të doja asnjë post.
– Cila do të ishte qeveria jote në botën e muzikës?
– Do të kishte brenda saj Selin Dionin, Maraja Kerin dhe Adriano Çelentanon ministra të kulturës, se vetëm kjo ministri do ishte në qeverinë time. (Buzëqesh)
– Të qenit e pëlqyer e bën më të bukur ekzistencën e një artisteje?
– Sigurisht që po, madje synimi i çdo artisti ky është; të pëlqehet nga publiku.
– Çfarë ka në portofolin tënd?
– Lekë, po! (Qesh)
– Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?
– Po, më pëlqen të vishem thjesht gjatë ditës.
– A ke miq të vjetër?
– Sigurisht që kam miq të vjetër dhe mundohem mos i shkëpus lidhjet. Miqësitë e vjetra janë thesar.
– Po për miqësi të reja a je e hapur, apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?
– Një miqësi më shumë, nuk bën kurrë keq.
– Kur mbaron zakonisht dita jote?
– Mbaron kur mbaroj gjithçka kisha programuar për atë ditë.
– Për çfarë i lutesh Zotit?
– Për të qenë mirë me shëndet, se të tjerat vijnë vetë.
– Është e lehtë t’i qëndrosh besnike stilit tënd?
– Për mua, po. Për ty, që nuk je stili im, ndoshta jo. (Qesh)
– Çfarë të frymëzon?
– Gjithçka që më bën të lumtur.
– Të bezdisin thashethehemet për jetën tënde sentimentale?
– Për aq kohë sa janë thashetheme, as nuk më bezdisin, as nuk më interesojnë. Ju e dini se kur kam gjë për të treguar, ju jeni të parët që e merrni vesh. (Qesh)