Tina është këngëtarja bukuroshe që ka zgjedhur një mënyrë të sajën për t’u përfaqësuar në muzikë: Çdo verë nga një këngë e klip e po ashtu, edhe pas sezonit të verës. Kohët e fundit, ajo ka sjellë si prezantim të sajin një këngë të shoqëruar me klip, të titulluar “Ti e di”, këngë të cilën ajo e ka punuar në Tiranë dhe e ka realizuar gjithashtu këtu. Shumë shpejt, Tina do të sjellë një këngë po kaq të bukur, pse jo edhe më shumë, të cilën do ta shoqërojë me klip dhe shpreson që të ketë të njëjtin sukses si kënga paraardhëse…
Fabjola Kuburi: – Tina, emër i bukur dhe i veçantë. Nga kush e ke dhuratë?
Tina: – Faleminderit! Tina është emri im i artit me të cilin jam prezantuar në muzikë, si shkurtim i emrit tim të plotë.
– Mendova se të pëlqente Tina Tërner ose i përngjaje asaj në zë…
– Tina më pëlqen shumë, por nuk jam te stili i saj…
– Po suksesin e saj, do të doje ta kishe?
– Të Tina Tërnerit? Sigurisht që po, ajo është ndër ata artistë të rrallë dhe do të ishte privilegj që unë të arrija qoftë në gjurmët e saj.
– Por ti e di, apo jo… Tani dua të të pyes për klipin “Ti e di”. Çfarë ke dashur të sjellësh te publiku me këtë këngë?
– Kjo është kënga ime e parë dhe unë jam shumë e lumtur që më në fund e realizova. Tematika e dashurisë është më e dashura dhe më e lëvruara nga krijuesit e muzikës. Dashuria është shumë e rëndësishme, prandaj ka kaq shumë këngë për të… Klipi është realizuar nga Max Production dhe ka pasur vërtet realizim me nivel.
– A ka lidhje kënga me një përjetim tëndin personal?
– Jo, tekstin e ka krijuar tekstshkruesi, por siç e përmenda edhe më sipër, një gjendje e tillë dashurie shoqëron një pjesë të madhe njerëzish në ditët e sotme edhe pa ndonjë arsye konkrete. Në disa raste dhe në njëfarë mënyre pjesërisht është një përjetim personal, sepse kur e këndon këngën, hyn brenda saj, bëhesh njësh me të.
– E ke pasur të lehtë të hysh në botën e muzikës?
– Unë kam nisur të këndoj në moshën 18 vjeçare, sapo mbarova shkollën dhe ka qenë e vështirë pjesa teknike, ndërsa nga ana shpirtërore kam qenë e plotësuar, sepse kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga familja ime, të cilën e kam primare në jetë.
– Meqë jemi te familja… Me sa di unë, edhe motra jote këndon, apo jo?
– Po, motra ime Aida ka shumë vite që këndon dhe ka një zë vërtet shumë të bukur e të veçantë.
– Pse nuk bëni një bashkëpunim mes motrash?
– E kemi menduar dhe do ta realizojmë shumë shpejt. Jemi shumë të lidhura bashkë dhe do të ishte një realizim i arrirë një këngë mes nesh.
– Të pëlqen më shumë të këndosh live apo me playback?
– Mua personalisht më pëlqen më shumë të këndoj live, ndoshta edhe sepse e praktikoj në mënyrë të mirëfilltë. Të kënduarit live jep tjetër emocion, por njëkohësisht edhe merr shumë emocion.
– Je një këngëtare e re, por me performancën tënde ke arritur të hysh në tregun muzikor shumë shpejt. A mendon se do të vazhdosh me këto ritme?
– Kjo do të thotë që kam zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur dhe unë do të mundohem që edhe në të ardhmen të punoj me njerëzit që nxjerrin më të mirën time. Nëse bashkëpunon me njerëz të talentuar, sigurisht që performanca do të jetë e mirë.
– Për të arritur majat më të larta, shumë herë femrat përdorin bukurinë e tyre. Ç’mendon ti për këtë fakt?
– Mund të them vetëm se në momentin që kanë arritur majat në këtë mënyrë, kanë humbur vetveten.
– Në perfomancat e tua si në skenë, ashtu edhe në klipe, veshja jote është serioze dhe jo ekstravagante, siç ndodh zakonisht me këngëtaret. Pse ke zgjedhur këtë stil?
– Sepse dua që këngët e mia të dëgjohen dhe jo të shihen, dua që muzika që bëj të pëlqehet për veshin me shumë sesa për syrin.
– Cila është ëndrra jote më e madhe?
– T’i shoh njerëzit të kënaqen duke dëgjuar këngët e mia.
– Cilin kujton si momentin tënd më të keq dhe si më të bukurin?
– Kam plot momente të bukura, por edhe jo të tilla. Në fund të fundit, njerëz jemi, por kur kam motrën time, Aidën me vete, gjithçka është e bukur.
– Si e kupton një artist famën?
– Unë nuk jam në kërkim të famës, edhe pse rrjedhimisht ajo vjen. Mendoj se në një moment, nuk do të them: “Më në fund jam bërë e famshme”, por “më në fund, e vura në jetë ëndrrën time”, edhe pse do të duhet shumë punë për ta arritur këtë. Koncepti për famën është relativ, dikush e ka primar, dikush tjetër nuk e ka.
– Në përgjithësi, te njerëzit periudha e fëmijërisë zgjon më tepër nostalgji. A vlen edhe për ty e njëjta gjë?
– Kohët e fundit kam filluar ta dëshiroj kthimin prapa të asaj periudhe. Më mungojnë shumë lojërat që bënim, pafajësia që na karakterizonte dhe kënaqësia që merrnim edhe nga gjërat më të thjeshta.
– Çfarë e karakterizonte Tinën e vogël?
– Ndryshe nga tani, kam qenë shumë e urtë. (Buzëqesh)
– Zakonisht, në tavolinë, kush paguan?
– Kjo pyetja më duket pak si me spec, edhe pse me vend në ditët e sotme. Parapëlqej t’i paguaj vetë. Pastaj ka edhe raste të tjera kur varet nga situata dhe kur, ndonëse do të diskutoj për disa minuta, arrin të fitojë tjetri. (Qesh)
– Të gjithë njerëzit i ndërtojnë ëndrrat e tyre jetësore dhe synimet që do t’i arrijnë. Cila ka qenë ose është ëndrra jetësore e Tinës?
– Muzika, muzika dhe vetëm muzika!
– Së fundi, cila do të jetë kënga e radhës?
– Faktikisht, kam një këngë shumë të bukur të përfunduar që për arsye kohe, nuk i kam realizuar klipin, por shumë shpejt do të jetë për publikun. Titullohet “Kavalier-biznesmen” dhe është një këngë që mendoj se do të ketë po aq sukses sa edhe “Ti e di”. Me dashuri, Tina.