Migjeni e mbush fushën me vargje, ndryshe nga adashi i tij që shkruante në fletë. Rëndësia e tij në Kombëtare është shumë e madhe, pasi mesfushori ka fuqinë që të ndryshojë rrjedhën e lojës. Kjo u vë re edhe në të dy ndeshjet e Kombëtares me Portugalinë dhe Danimarkën. 28-vjeçari nuk e nisi ndeshjen si titullar, por në momentin që preku tapetin e gjelbër, u kthye menjëherë në një armë plus për trajnerin De Biazi. Basha nuk u aktivizua që nga minuta e parë pasi nuk kishte një fazë të mirëfilltë përgatitore dhe kishte bërë vetëm 10 ditë stërvitje me ekipin e ri të Luzernës. Kjo merkato vere solli edhe ndryshim ekipi për të, pasi u largua nga Torinoja për në Zvicër. Për Migjenin, Shqipëria ka mbërritur vetëm në gjysmën e rrugës dhe biletën për “Euro 2016” do ta sigurojë në ndeshjet e tetorit…
Eraldo Harlicaj: – Migjen, e prisnit këtë pozicionim të Kombëtares pas ndeshjeve të shtatorit?
Migjen Basha: – Nuk kam bërë llogari dhe asnjëherë nuk e kam menduar se sa pikë do të marrim apo jo, pasi është e pamundur të qëllojmë në shenjë. Nëse do të më kishit pyetur në fillim të kompeticionit a do të ishim në këto pozita, do të kisha thënë me bindje, “jo”. Ndeshjet ishin të vështira… Morëm 1 pikë, mund të mos merrnim asnjë, por edhe mund të merrnim 6, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet.
– A ndjeni keqardhje për ndonjë episod nga ndeshjet me Portugalinë dhe Danimarkën?
– Po, është mëkat që e pësuam golin në minutat e fundit ndaj Portugalisë, por sigurisht që edhe rasti i fundit në Kopenhagen, kur Roshi nuk arriti të shënonte pas një aksioni fantastik që bëri nga krahu i djathë.
– Meritonim më shumë?
– Nëse duam të ecim para, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Besoj se morëm atë që meritonim, pavarësisht se duket sikur na u bë një padrejtësi. Portugalia ka pasur 1-2 raste të pastra që vetëm falë Berishës apo edhe fatit, kemi shpëtuar. Në Danimarkë ishim pothuajse të barabartë, por ata kishin më shumë raste se ne.
– Si e vlerësoni paraqitjen e Kombëtares në këto dy ndeshje?
– Besoj se na ka munguar besimi. Kemi bërë dy ndeshje pothuajse me të njëjtin rendiment. Një pjesë e kemi nxjerrë mirë, ndërsa pjesën tjetër, dobët. Me Portugalinë në pjesën e parë jemi munduar të mos rrezikojmë shumë, ndërsa në të dytën bëmë diçka më mirë, por përsëri duhet të kishim më shumë besim.
– Mos ishte ky guxim i pjesës së dytë ai që ju ndëshkoi në fund?
– Nuk është se kemi guxuar më shumë, por u treguam të pakujdesshëm në minutat e fundit. Kjo mund të ndodhë për disa arsye, por kryesorja është lodhja. Harxhuam shumë energji, ndërkohë që vinim nga një udhëtim dhe një ndeshje shumë e vështirë me Danimarkën.
– Me futjen tuaj në lojë, gjërat ndryshuan për mirë. A duhej Basha që nga minuta e parë?
– Trajneri është ai që vendos se me cilin ekip do të zbresë në fushën e lojës. Ai bën zgjedhjet më të mira për ekipin. Përsa i përket çështjes sime, ka vepruar drejt. De Biazi e ka shikuar se nuk isha në formë për 90 minuta pasi jam stërvitur vetëm 10 ditë me Luzernën. Lojtarët e tjerë ishin më mirë se unë në aspektin fizik dhe ka pasur shumë të drejtë të mos më inkuadrojë që nga minuta e parë.
– E shikoni kualifikimin më të ndërlikuar tashmë?
– Gjërat janë bërë më të vështira, por e mira është se ne e kemi kualifikimin në këmbët tona dhe nuk varet nga të tjerët. Tashmë, ndjejmë më shumë presion në supe dhe na duhet një fitore në dy ndeshje. Shpresojmë që Danimarka të humbasë me Portugalinë dhe të kualifikohemi nëpërmjet grupit, pa luajtur shanset në play-off.
– Ndeshja me Serbinë ka marrë një rëndësi tjetër tashmë. Për ju do të jetë një ndeshje edhe shumë emocionale. Do ta shikoni vetëm si një ndeshje futbolli apo edhe si një sfidë personale?
– Më vjen keq, por nuk mund të jap deklarata për ndeshjen me Serbinë. Më mirëkuptoni, pasi më është kërkuar të mos jap asnjë intervistë në lidhje me këtë ndeshje dhe pjesës emocionale që më lidh drejtpërdrejt me këtë ekip. Përtej kësaj, shpresoj të jemi në formën më të mirë dhe të fitojmë.
– Armenia i mori barazimin edhe Danimarkës. Besoni se do të luajnë për t’ju prishur punë?
– Armenia është një ekip që duhet ta kemi në konsideratë e që sidomos në shtëpi, luajnë fort. Nuk shpresoj se Armenia do të tolerojë apo të tregohet zemërgjerë me ne, mendoj vetëm të bëjmë më të mirën dhe të arrijmë ta marrim fitoren me meritë. Besoj se ata do të bëjnë ndeshjen e tyre për të fituar dhe ne duhet të luajmë lojën tonë.
– Si po shkon aventura e re me Luzernën?
– Ka nisur shumë mirë. Nuk dua që njerëzit ta marrin këtë aventurë si një hap mbrapa në karrierën time. Për mua, është një motivim i ri.
– Çfarë synimesh keni me klubin e ri?
– Drejtuesit shpresojnë që të kapim kupat e Evropës, ndërsa në aspektin personal, dua që të mbajë formën time sa më lart.
– Në ekip keni gjetur edhe shqiptarin Jahmir Hyka. Si i keni marrëdhëniet me të?
– Hyka më ka ndihmuar shumë për t’u përshtatur dhe më ka pritur me dashamirësi. Flasim dhe kalojmë kohë me njëri-tjetrin.
– A ishte i vështirë largimi nga Torinoja?
– Kam kaluar katër vite shumë të mira në Torino. Ishte e vështirë të largohesha, por unë e dija që më parë dhe kështu e kisha përgatitur veten.
– Ju keni luajtur në të gjitha moshat e Zvicrës dhe më pas keni zgjedhur Shqipërinë. Çfarë u rekomandoni futbollistëve të rinj me origjinë shqiptare që janë në mëdyshje?
– Unë u rekomandoj që në zgjedhjen në Kombëtare të mos mendojnë për shumë gjëra apo rrethana që mund të krijohen, por të zgjedhin me zemër. Vetëm kështu do të jenë të lumtur dhe të plotësuar.
– Si po i ecën karriera vëllait tuaj, Vullnetit?
– Vullneti po luan në kategorinë e dytë në Spanjë me ekipin e Ponferradinës. Ai pësoi një dëmtim vjet që e mbajti jashtë fushave për disa muaj dhe për shkak të tij, akoma nuk ka gjetur ritmin e duhur. Vullneti është i fortë dhe besoj se shumë shpejt do të meritojë edhe thirrjet me Kombëtaren. Është emocion i madh të luash përkrah vëllait në Përfaqësuese. Kam pasur fatin ta provoj njëherë dhe shpresoj të përsëritet.