Ajo i kishte munguar shumë muzikës, por “Ku po dalim” e riktheu vëmendjen e munguar nga Edita. E bukur, e qeshur dhe gjithmonë rrezaton mirësi… e tillë është edhe në këtë intervistë ku kemi folur jo vetëm për muzikën, por edhe për vetë Editën, jetën e saj personale, dashurinë e shumë gjëra të tjera…
Mia.Buci: – Edita, pas një pauze të gjatë, rikthehesh me këngën “Ku po dalim”. Çfarë do thoje ti e para për këngën?
Edita Sopjani: – Kënga është punuar nga unë përsa i përket muzikës dhe tekstit, producent ishte Mtvrecords ndërsa për klipin janë kujdesur “Imagine Producion”. Kënga është pritur shumë mirë nga të gjithë dhe pavarësisht kohës që kam mungu, kam marrë komplimente dhe komente nga më të mirat. Kjo më bëri të ndihem shumë mirë dhe e motivuar për me vazhdu më tutje!
– Ku ka “dalë” Edita gjatë gjithë kësaj kohe mungese?
– (Buzëqesh) Sigurisht, kam vendet e mia ku dal dhe shoqërohem me miq, të afërm dhe shoqëri, që i kam të shumtë dhe më përkrahin për çdo gjë.
– …dhe çfarë të ka munguar më shumë?
– Duke pas parasysh që unë këndoj që nga mosha 8 vjeçare, nuk ishte edhe aq lehtë të pushoja sepse sigurisht, e kom ndje mungesën e skenës, publikut, televizioneve e të gjitha këto! Por thjesht kam pas nevojë për një pauzë dhe e bëra.
– Pse u riktheve me një singëll dhe jo me duet?
– Unë kam më tepër këngë singëll sesa duete dhe mendova që më e drejtë është të vij vetëm, me një këngë dhe klip të bukur. Më pas, gjatë projekteve të tjera, të bëj ndonjë kombinim edhe me artistë të tjerë, pse jo?! (Buzëqesh)
– Teksti dhe muzika e këngës vijnë nga ti… Do të thotë kjo që ke më shumë besim te vetja sesa te të tjerët?
– Unë kam bashkëpunuar me kompozitorë, tekstshkrues të ndryshëm nga më të mirët dhe nuk kam dyshuar asnjëherë në punën e tyre. Thjesht kam dashur të sjell diçka ndryshe nga herët e tjera dhe vendosa që kësaj radhe t’i besoj vetes për një projekt timin, për të cilën kam marrë komente pozitive. (Buzëqesh)
– Këtë verë, më shumë ke punuar sesa ke pushuar?
– Mendoj se kam pushuar mjaft dhe koha është të punoj më shumë për projektet në vazhdim. (Buzëqesh)
– Ku i bëre pushimet?
– Kam qenë pak kohë në bregdetin shqiptar në veri dhe pak në jug, por s’kanë mbaruar akoma krejt… (Qesh) S’e di ku do të jetë destinacioni i radhës.
– Edita, pushimet shoqërohen nga dashuritë verore… Sa je pjesë e këtyre të fundit?
– Hmm… S’jom shumë flirtuese që të kem dashuri të ndara me stinë. (Qesh) Do të më pëlqente të gjeja një dashuri të vërtetë që do të m’i plotësonte të gjitha stinët.
– Çfarë i duhet një dashurie që të jetë sa më jetëgjatë?
– Mendoj se duhet të ketë sinqeritet, besim dhe respekt mes njëri-tjetrit. Këto gjëra mund të çojnë para një dashuri sa më të gjatë!
– Mendon se zënkat e ftohin apo e afrojnë më shumë një çift?
– Po dihet që në lidhje ka edhe zënka të ndryshme, por e mira është që ato të jenë me vend dhe të tejkalohen lehtë e jo të kalojnë në ndonjë gjë serioze dhe të vijnë deri te prishja e lidhjes apo diçka tjetër.
– Me ty, si ndodh?
– S’ka si ndodh kur je e vetme, beqare. (Qesh)
– Sa e dashuruar ndihesh?
– 100 % në dashurinë që kam ndaj familjes time. Për tjetër, 0 %. (Buzëqesh)
– Nëse unë të them “person i veçantë”, ti, çfarë emri më thua?
– Je e rrallë Mia, je edhe e bukur, edhe e zgjuar. A ka më mirë? (Buzëqesh)
– Këtë verë kemi patur një prurje shumë të madhe këngësh dhe këngëtarësh, ku ajo që mbizotëron në vend të muzikës, është zhveshja. Ta bën kjo më të vështirë ecjen para në muzikë?
– Jo, përkundrazi. Zhveshja te ne dhe thuajse gjithkund po arrin më shumë sukses sesa një femër e veshur bukur, mirëpo mendoj që ka prej atyre që kanë shije edhe në zhveshje dhe duken seksi, bukur dhe që i pëlqen edhe syrit të njeriut, por ka edhe prej atyre që fatkeqësisht duhet ta ndërrojmë kanalin!
– Sot, dukja ka marrë më shumë rëndësi sesa talenti… Vërtet kujdesi ndaj vetes është respekt ndaj vetes, por vajzat janë bërë kopje plastike të njëra-tjetrës. Nëse bukuria do të ishte faktori i vetëm që do të të hapte shumë dyer, do ndiqje shembullin e vajzave që të përmenda më sipër?
– Siç thotë një fjalë e urtë, bukuria s’të jep mend! Dihet që kujdesi ndaj vetes duhet të bëhet në çdo kohë, pasi pasqyra e një femre është pastërtia e saj, por nuk besoj që ia kish vlejt vetëm me bukuri me i hap rrugë vetes sepse kjo gjë është e përkohshme. Do të ishte fantastike po t’i kishin të gjitha mendtë, bukurinë, edukimin që mos me pas nevojë për dyer të huaja, por ato t’i hapin vetë dyert e suksesit. (Buzëqesh)
– Klipet e shumta verore, herë janë pasojë e konkurrencës mes këngëtarëve, herë e reklamimit për të marrë sa më shumë ftesa në koncertet e kësaj stine. Ty, cila prej këtyre arsyeve të ka nxitur më shumë?
– Edita është e lidhur vetëm me Editën dhe me askënd tjetër. Thjesht, shikoj punën time! Mendoj që secili artist ka stilin, energjinë, talentin dhe publikun e vet e nuk mendoj që duhet të kemi zili mes vete se cili ka klipin më të bukur apo cili ka koncerte më shumë. Thjesht, ka vend për të gjithë. Ne s’jemi në ndonjë konkurs për çmime, thjesht punojmë për publikun, në mënyrë që të sjellim diçka më të bukur dhe të tjerat janë më pak të rëndësishme.
– Çfarë të veçon ty nga këngëtaret e tjera?
– Unë mendoj se çdo person dallon nga personi tjetër. Edhe unë kam vetitë pozitive dhe ato negative që mund të më veçojnë nga një tjetër. Unë jam shumë e thjeshtë. Kam dëshirë të kem shumë miq dhe jam e shoqërueshme, e afërt me ta. Ndoshta kjo më veçon më tepër. (Buzëqesh)
– Të ndihmon apo të pengon statusi i të qenit person publik?
– Ka raste kur të ndihmon shumë dhe ndihesh e vlerësuar, por në anën tjetër, duke pas parasysh që je person publik, ti në asnjë moment nuk je e lirë të veprosh si ke dëshirë, pa komplekse. Çdo herë, kur del nga shtëpia, je në sy të të tjerëve dhe duhet të jesh më e rezervuar për çdo gjë.
– I trembesh konsumimit të imazhit?
– Natyrisht që trembem.
– Çfarë bën për t’ia zbukuruar ditët vetes tënde?
– Unë mundohem që çdo ditë me e përjetu dhe kalu në mënyrën më të mirë, edhe pse nganjëherë është e pamundur sepse dalin probleme që ta prishin komplet ditën dhe s’mundesh me rregullu më asgjë. Është mirë kur ke familje, shoqëri të mirë dhe pa dyshim që, kur i ke këto, s’ka si të mos zbukurohet dita.
– Cilat janë arritjet që i ke vënë vetes synim në vazhdim?
– I mbaj zakonisht për vete. Ka prej atyre që i kam arrit, por ka edhe shumë të tjera që i kam vënë synim vetes. Nëse kam shëndet të mirë e jetë të gjatë, uroj t’i arrij edhe ato që më kanë mbetur. (Buzëqesh)
– I vendos rregulla vetes apo i merr gjërat si të vijnë?
– Më shumë kam qejf rregullat, por ka prej atyre që thyhen dhe merren ashtu si më vijnë. Me rëndësi, me qenë të mira. (Buzëqesh)
– Ku të shijon më shumë muzika?
– Muzika më shijon çdokund, por më së shumti kur bie në gjumë dhe dëgjoj muzikë të qetë e relaksuese. Kjo. (Buzëqesh)
– Gjatë një udhëtimi me makinë, cilën Cd do të zgjidhje për të të shoqëruar?
– Zakonisht, kur udhëtoj, kam dëshirë të dëgjoj vetëm muzikë instrumentale, që janë më të bukurat në botë, si: “Ballade Pour Adeline”, “Before the rain” etj.
– Koha është treguesi më i mirë për…
– Për të ta ditur të tjerët vlerën dhe rëndësinë që ke në të vërtetë. (Buzëqesh)
– E sjell shpesh ndërmend të kaluarën? Çfarë kujton më tepër?
– Mendoj për shumë gjëra që kam kaluar në jetë dhe sigurisht, ndjej nostalgji për fëmijërinë time. Shpesh i them vetes që s’e paskam dit sa mirë kam qenë e vogël, pa asnjë problem. Ndërsa tash, 1001 probleme dhe nuk je asnjëherë rehat!
– Dhe në fund, ku do dalë Edita pas kësaj interviste?
– Edita për momentin do të qëndrojë në shtëpi. (Buzëqesh) Ju uroj punë të mbarë dhe faleminderit për intervistën. Ju përqafoj.