– Përshëndetje avokat, doja të dija nëse mund t’ia heq vajzës mbiemrin e ish-bashkëshortit. Aktualisht, vajza është 5 vjeçe dhe ai nuk ka patur asnjëherë kontakte me të, jo se nuk dua unë. Vitin që shkoi kam hapur gjyqin në Lushnje me kërkesë-padi heqje prindërore dhe në Tetor 2014, gjykata e Lushnjes e rrëzoi si kërkesë-padi dhe i ka lënë detyrim babait të vajzës të paguajë për të. Mua më intereson më shumë t’ia heq mbiemrin ose t’i bëj një prokurë të përhershme që të lëviz lirshëm me vajzën jashtë. A kam të drejtë për këtë, kur babai i vajzës as nuk dëshiron ta takojë dhe as të paguajë për të? Faleminderit.
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: -Përshëndetje zonjë, ju falënderoj që kontaktuat me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Përsa i përket çështjes së ndryshimit të mbiemrit, neni 171 i kodit të familjes përcakton se: Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit. Ju nuk ia keni vendosur fëmijës mbiemrin në momentin e regjistrimit në gjendjen civile. Nëse do të ndiqnit këtë rrugë, do ta kishit të zgjidhur shqetësimin tuaj. Megjithatë, neni 57 i Ligjit nr. 10 129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, në lidhje me ndryshimin e emrit dhe të mbiemrit, thotë: 1. Emri e mbiemri mund të ndryshojnë në rastet e përcaktuara në këtë ligj. 2. Emri e mbiemri i personit madhor mund të ndryshojnë vetëm me kërkesën e tij. Subjektet e përcaktuara në këtë ligj mund të kërkojnë ndryshimin për rastet e papërshtatshmërisë. 3. Emri i personit mund të ndryshojë pas vdekjes, me kërkesë të personave që kanë atë emër përbërës të gjendjes së tyre civile, vetëm për shkak të papërshtatshmërisë. 4. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile përcakton emrat e papërshtatshëm, në kuptim të këtij ligji, duke marrë mendim paraprak nga institucione të specializuara. Emrat e vlerësuar të papërshtatshëm me vendim gjyqësor përfshihen, drejtpërdrejt, në një përmbledhëse që i vihet në dispozicion çdo zyre të gjendjes civile. 5. Ndryshimi i emrit dhe i mbiemrit të prindit pasqyrohet te fëmija i mitur. Te fëmija në moshën madhore ndryshimi mund të bëhet me pëlqimin e tij, përveç rasteve të papërshtatshmërisë. 6. Ndryshimi i emrit dhe i mbiemrit pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pas miratimit të kërkesës së shtetasit, nga përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile. Në procesverbalin që mbahet në këtë rast, pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile të shtetasit, shkaku i ndryshimit, si dhe emri e mbiemri i ndryshuar. Procesverbali nënshkruhet nga kërkuesi, nga të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes, të cilët e kanë përbërës të tyre emrin ose mbiemrin, kur e pranojnë ndryshimin, nga nëpunësi i gjendjes civile dhe përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile. Emri e mbiemri i ndryshuar, si dhe numri e data e procesverbalit pasqyrohen në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. 7. Në bazë të procesverbalit ose të vendimit gjyqësor, bëhen korrigjimet për personat që kanë nënshkruar dhe për të miturit, ndërsa për pjesëtarët e tjerë madhorë, korrigjimet bëhen vetëm pasi të kenë dhënë pëlqimin me shkrim, të nënshkruar të procesverbalit, përveç rasteve të vendosura nga gjykata. 8. Personat që e kanë përbërës emrin ose mbiemrin, por që janë familje më vete, bëjnë ndryshimin me kërkesën e tyre, me procesverbal të veçantë, ndërsa në rastet e papërshtatshmërisë, janë të detyruar ta pasqyrojnë ndryshimin brenda 1 muaji nga marrja dijeni. 9. Përveç ndryshimeve të mësipërme, emrit dhe mbiemrit mund t’i bëhen përmirësime dhe korrigjime që lidhen me ndryshime e saktësime të shkronjave të veçanta. Këto ndryshime bëhen në bazë të kërkesës së personit të interesuar, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile”.
– Edhe kjo rrugë është e papërshtatshme për fëmijën tuaj, pasi është kusht që kërkuesi duhet të jetë madhor, pra, mbi moshën 18 vjeç. Lidhur me pyetjen, nëse ju mund ta merrni fëmijën jashtë shtetit, ju mund t’i merrni deklaratën noteriale bashkëshortit tuaj. Nëse ai nuk jua jep këtë deklaratë, mund t’i drejtoheni Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me objekt lejimin e fëmijës të udhëtojë me nënën dhe të ndryshoni ditët e takimit me të atin. Shpresoj të kemi qenë i qartë me arsyetimin e mësipërm. Për informacion më të detajuar, mund të kontaktoni në info@durajlaw.com.