– Përshëndetje! Kam një pyetje për avokatin. Unë jam e fejuar me një djalë që jeton në Angli, me dokumente si kosovar. Si mund të më marrë ai në Angli? Po këtu, a e bëjmë dot celebrimin? Ju faleminderit.
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – Përshëndetje e nderuar zonjë. Ju falënderoj shumë që keni kontaktuar me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”! Përsa i përket pyetjes së parë, se si mund t’ju marrë i fejuari në Angli, ju duhet të merrni informacion nga një avokat në Angli, pasi zyra jonë nuk është kompetente për këtë fushë në të cilën ju jeni e interesuar.
– Lidhur me pyetjen, nëse mund ta bëni celebrimin në Shqipëri, Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë përcakton se: Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe. Martesa lidhet para nënpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve të ardhshëm. Përpara lidhjes së martesës, nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende të caktuara nga bashkia ose komuna aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqëndrimi i bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendi ku do të lidhet martesa. Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme. Shpallja bëhet në bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka vendbanimin ose vendqëndrimin. Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë. Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes. Në qoftë se shpallja ndërpritet përpara mbarimit të këtij afati, ky fakt duhet të përmendet në shpalljen e re. Në qoftë se lidhja e martesës nuk është bërë brenda 1 viti nga shpallja, martesa nuk mund të lidhet pa u bërë shpallja e re e parashikuar në dispozitat për shpalljen e martesës. Personi që kërkon shpalljen duhet t’i paraqesë nëpunësit të gjendjes civile certifikatat e lindjes së të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që është i nevojshëm dhe provon se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës.
– Martesa lidhet publikisht përpara nëpunësit të gjendjes civile, të cilit i është bërë kërkesa për shpallje. Me kërkesë të prokurorit të vendit ku lidhet martesa e bashkëshortëve të ardhshëm, gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të vendosë që martesa të lidhet edhe pa u shpallur. Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës, nëpunësi i gjendjes civile, pasi bindet për identitetin e bashkëshortëve të ardhshëm, në bazë të akteve dhe të thënieve të dëshmitarëve, si dhe të vetë bashkëshortëve të ardhshëm, në prani të dy dëshmitarëve, u lexon bashkëshortëve të ardhshëm nenet e Kodit të Familjes që përmbajnë të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve, merr nga secili bashkëshort deklarimin se ata duan të lidhin martesë dhe, pasi merr pëlqimin e tyre, i shpall në emër të ligjit të martuar. Akti i martesës hartohet menjëherë, nënshkruhet nga bashkëshortët, dëshmitarët dhe nëpunësi i gjendjes civile dhe regjistrohet në regjistrin e martesave.
Në përfundim të arsyetimit të mësipërm, nuk ka asnjë pengesë ligjore për lidhjen e martesës me shtetasit e huaj. Nëse i fejuari juaj e ka të pamundur për të ardhur në Shqipëri, ai mund ta bëjë lidhjen e martesës me prokurë të posaçme duke caktuar një avokat për ta kryer këtë procedurë. Për më shumë informacion, mund të kontaktoni me Studio Ligjore “Duraj” në e-mailin e mësipërm. Gjithë të mirat, Av. Drn. Alban Duraj.
Advertisement