Lidhjet sentimentale janë të vështira edhe pa shtuar ne problemet tona personale, si reagimet, dyshimet dhe frikërat sekrete. Mirë do të ishte t’i njihnim ato, të dinim se çfarë i shkakton, për t’i përballuar më mirë, që të kemi sukses në lidhje. Mishelë Skin, psikologe dhe autore e librit “Më dashuro, mos më lër: Si të përballosh frikën e braktisjes dhe të ndërtosh lidhje jetëgjatë dhe me dashuri” ka studiuar frikën e lidhjeve në librin e saj, si edhe i ka trajtuar ato te pacientët e saj. Më poshtë, ajo na tregon pesë nga frikërat më të zakonshme në lidhje, që të mund t’i identifikoni dhe të evitoni ndikimin e tyre në jetën tuaj. “Secila nga këto frikëra mund të shkaktojë sjellje specifike dhe të dëmshme që sabotojnë lidhjet tuaja, edhe kur ju përpiqeni t’i ruani ato”, thotë Skini. “Hapi i parë drejt ndryshimit është t’i identifikoni e kuptoni këto frika dhe sjelljet e lidhura me to”. Ato mund të jenë tuajat, ose të partnerit dhe në këtë rast ju mund të ndihmoni duke u treguar të kujdesshme që të mos i prekni pikat e dobëta, ndaj të cilave ai është i ndjeshëm…
Frika numër 1. “Ai do të më lërë”
Sipas Skinit, njerëzit që kanë këtë frikë, kanë tendencë të:
– Rrinë ngjitur pas partnerit.
– Fillojnë debatet në mënyrë të ndërgjegjshme, ose të pandërgjegjshme për të testuar lidhjen (kjo mund të kthehet në një profeci që përmbushet vetë; ata kanë tendencë të grinden aq shpesh, sa në fund tjetri me të vërtetë i braktis).
– Të lidhen me njerëz që në njëfarë mënyre nuk janë të disponueshëm.
– Evitojnë fare lidhjet, që të evitojnë braktisjet.
Frika numër 2. “Do të më lëndojë”
“Nëse jeni rritur në një mjedis ku nuk u besonit njerëzve të afërt me ju, nuk ndjeheshit të sigurt, ose abuzohej me ju, ka gjasa të keni frikë se mos ju lëndojnë”, thotë Skini. Ajo shton se njerëzit me këtë frikë shpesh ndjehen si viktima në lidhjen e tyre dhe ndjehen sikur të tjerët i shfrytëzojnë, ose do t’i shfrytëzojnë në të ardhmen. Njerëzit me këtë frikë kanë tendencë të:
– Jenë shumë vigjilentë, vazhdimisht në ruajtje të ndonjë shenje tradhtie apo abuzimi.
– Kur gjërat shkojnë mirë, ose kur tjetri u bën ndonjë gjest butësie dhe ëmbëlsie, ata dyshojnë se diçka fshihet pas kësaj.
– Ata mundohen t’ia bëjnë qejfin tjetrit në mënyrë që të parandalojnë shpërthimin dhe zemërimin e tij.
– Evitojnë t’u tregojnë të tjerëve pikat e tyre të dobëta, sepse kanë frikë se ata do t’i përdorin kundër tyre.
– Evitojnë fare lidhjet sepse nuk mund t’i zënë besë askujt.
Frika numër 3. “Ai nuk do të jetë pranë meje kur të kem nevojë për të”
“Kur të mungon mbështetja emocionale, vëmendja, dashuria, udhëheqja ose mirëkuptimi gjatë rritjes, ka mundësi të kesh frikë se do të mungojnë edhe në moshën e rritur”, thotë Skin. “Kjo frikë vjen me mendime të tilla si “Ndjehem vetëm”, ose “Nuk më japin dashurinë për të cilën kam nevojë”, ose “Unë nuk kam askënd në jetë që të kujdeset për mua”. Njerëzit me këtë frikë kanë tendencë të:
– Zemërohen dhe të jenë kërkues kur nuk marrin atë për të cilën kanë nevojë.
– T’u venë pas njerëzve që nuk shprehin emocionet e tyre.
– Të mos ua thonë të tjerëve pikat e tyre të dobëta, sepse mendojnë se ata do të zhgënjehen nga përgjigjja e tyre (për shembull, mungesë interesi).
– U mbajnë mëri të tjerëve sepse nuk marrin dashurinë dhe mirëkuptimin për të cilin kanë nevojë.
Frika numër 4. “Nuk jam në lartësinë e duhur për të”
Shumë njerëz luftojnë me ndjesinë “se nuk vlejnë t’i duan të tjerët”, thotë Skini. Mendimet tuaja mund të përqendrohen rreth idesë se, “sikur njerëzit të më njihnin vërtet, do të më refuzonin”, ose “nuk ia vlen të më duash mua”. Ju mund të paraqisni një version fallco të vetes, sepse nuk besoni se njerëzve mund t’u pëlqeni ashtu si jeni. Njerëzit me këtë frikë kanë tendencë:
– T’u venë pas njerëzve që tregohen kritikë ndaj tyre.
– Të kritikojnë të tjerët.
– Të fshehin natyrën e tyre të vërtetë.
– Ta kenë të vështirë të dëgjojnë kritikat e të tjerëve.
– Ta ulin veten para të tjerëve.
Frika numër 5. “Kam frikë nga dështimi”
“Frika më e madhe finale që mund të rrëzojë lidhjen tuaj vjen nga besimi se dështimi është i paevitueshëm, ose ju nuk mund të mateni me të tjerët të ngjashëm me ju, sepse ju nuk jeni aq të zgjuar, të talentuar ose të suksesshëm”. Njerëzit me këtë frikë kanë tendencë të:
– Lejojnë të tjerët t’i kritikojnë ose të minimizojnë arritjet e tyre.
– Minimizojnë talentet dhe potencialin e tyre.
– Fshehin natyrën e tyre të vërtetë nga frika se janë të dështuar.
– Gjykojnë dhe kritikojnë të tjerët.
Ju duk i njohur ndonjëri prej këtyre skenareve? Nëse është kështu, ndiqni këshillat e Skinit:
1. Hapi i parë drejt ndryshimit është identifikimi dhe njohja e situatave që shkaktojnë frikën tuaj. Vini re cilat momente të veçanta kanë tendencë të shkaktojnë këto mendime negative.
2. Kini parasysh se eksperienca juaj e tanishme, së bashku me mendimet dhe ndjenjat që e nxisin atë, është duke ju transportuar në të shkuarën tuaj dhe ju bën që ta shihni të tashmen me lente shtrembëruese. Ju mund të ndjeni emocione të padurueshme, të cilat do të doni t’i hiqni sa më shpejt qafe. Çelësi është të mësoni t’i toleroni këto emocione, duke qenë të ndërgjegjshëm për to dhe për situatën tuaj të tanishme. Është e rëndësishme pra të hidhni sytë në të kaluarën dhe të identifikoni situatën origjinale që ka lënë gjurmë të mëdha te ju.
3. Kur ta gjeni veten në momentin që ndodh kjo situatë e padurueshme, mos veproni menjëherë, por lërini emocionet të kalojnë derisa të qetësoheni.