Ne jemi ende në gjysmë të vitit 2015, por që tani janë bërë zbulime dhe hapa të rëndësishëm përpara në fushën e mjekësisë. Ja, cilët janë ata:
- Syri i parë bionik në botë
Një ndër përparimet e fundit të shkencës është syri i parë bionik në botë. Kirurgë të Spitalit Mbretëror të Syrit të Mançesterit, kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale pioniere në këtë fushë, duke u dhënë shpresë njerëzve të prekur nga tipi më i zakonshëm i humbjes së shikimit, degjenerimi makular i moshës së shtyrë. Një i moshuar britanik 80 vjeçar, Rei Flin, është personi i parë në botë që i është nënshtruar kësaj procedure, e cila përmirëson në mënyrë të dukshme shikimin: vendoset një implant në retinë, që i konverton imazhet-video të kapura nga një kamera e vogël, në syzet speciale të pacientit.
- Pilula mrekullibërëse që u lejon celiakëve të konsumojnë miellin
Njerëzit që vuajnë nga sëmundja celiake shumë shpejt do të mund të konsumojnë miellin dhe nënproduktet e tij. Shkencëtarët e Universitetit të Albertës, në Kanada, po përpunojnë një pilulë speciale të bazuar në të verdhat e vezës, që mund t’i ndihmojë celiakët të konsumojnë produktet që përmbajnë gluten, pa vuajtur nga efektet dytësore. Këto pilula do të evitojnë thithjen nga trupi të gliadinës, një përbërësi të dëmshëm të glutenit, duke eliminuar me sukses efektet e tij negative.
- Transplantimi i parë i kafkës së printuar me 3D
Teknologjia e printimit 3D ka bërë një evolucion të rëndësishëm në fushën mjekësore këtë vit. Një vajzë në Kinë ka qenë personi i parë në botë me kafkën e rindërtuar nga një printer 3D. Vogëlushja trevjeçare, Han Han, vuante nga një sëmundje e lindur, hidrocefalusi, që e bënte kafkën e saj të rritej katër herë më shumë sesa një kafkë normale. Kirurgët përdorën një printer 3D për të krijuar një kopje ekzakte prej titani të kafkës së fëmijës dhe e transplantuan atë me shumë sukses. Han Han pritet ta marrë veten në muajt që vijnë.
- Trajtimi me virusin e herpesit për kancerin e lëkurës
Në një përpjekje për të luftuar kancerin e lëkurës, shkencëtarët zbuluan se virusi i herpesit, që shkakton sëmurjen e buzëve, mund të eliminojë në mënyrë drastike tumoret e lëkurës dhe të parandalojë rritjen e tyre. Trajtimi inkurajon gjithashtu sistemin imunitar për të sulmuar qelizat kanceroze. Në 26% të njerëzve të sëmurë që reaguan ndaj ilaçit, një në 10 u shëruan krejtësisht nga tumori.
- Një analizë e re për të zbuluar kancerin e vezoreve
Një analizë e re, shumë e sofistikuar për të zbuluar kancerin e vezoreve, do të mund të dyfishojë mundësinë e zbulimit të tij. I njohur si “vrasësi i heshtur”, kanceri i vezoreve është shumë i vështirë për t’u diagnostikuar në kohë, sepse edhe simptomat e tij shfaqen vetëm kur tumori është në një fazë të përparuar. Për fat të mirë, një metodë e re, që bazohet në analizën e gjakut, e përpunuar nga University College në Londër, mund të bëjë diagnostikimin e hershëm. Studiuesit ishin të aftë të zbulonin tipin më të përhapur të kancerit të vezoreve në 86% të grave me këtë sëmundje, gjë që përbën dyfishin e suksesin që arrihet me analizat e zakonshme.
- Vaksina e parë kundër malarjes
Pas një pune shkencore 20 vjeçare, më në fund pritet të dalë në treg vaksina e parë kundër malarjes. Kjo sëmundje është shumë e përhapur në Afrikën subsahariane, por me anë të vaksinës RTS,S/AS01 do të bëhet e mundur të mbrohen një e treta e fëmijëve të vaksinuar. Vaksina pritet të fillojë të përdoret brenda disa muajsh dhe shpresohet që me anë të saj të shpëtohen miliona jetë.
- Superantibiotiku i ri
Pritet të hidhet në treg edhe një antibiotik i ri, rezultat i bashkëpunimit mes shkencëtarëve gjermanë, anglezë dhe amerikanë. Ky superantibiotik, që quhet teixobactin, e ka provuar efikasitetin e tij ndaj trajtimit të MRSA (stafilokokut rezistent ndaj meticilinës) dhe tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve. Shkencëtarët përdorën një mekanizëm të teknologjisë së lartë për të rritur disa baktere që më parë ishte e pamundur të kultivoheshin.
- Dora bionike e kontrolluar nga mendja
Doktorët në Austri kanë pajisur tre burra me dorë bionike, e cila kontrollohet nga truri. Burrave në fjalë u ishin prerë duart dhe iu nënshtruan një rikonstruksioni bionik për të lidhur dorën protezë me muskujt dhe nervat. Tani ata mund ta komandojnë dorën me mendje dhe mund të bëjnë gjithçka me të, madje edhe të hedhin një top, apo të mbajnë një vezë.
- Eliminimi i mjekrës së dyfishtë
Keni mjekër të dyfishtë për shkak të shëndetit? Një zbulim në fushën e mjekësisë kozmetike mund ta eliminojë atë. Autoritetet amerikane kanë aprovuar ilaçin Kybella, i cili injektohet dhe sulmon qelizat dhjamore në mjekër, duke i tretur ato. Megjithëse Kybella nuk është fare i padëmshëm, ai thuhet se është natyral. Është një formë e acidit deoksikolik, që tret dhjamrat dhe që prodhohet edhe nga trupi. Së shpejti, ai do të hidhet në treg edhe në Evropë.
- Kurë për tullacllëkun?
Dy zbulime të rëndësishme mund të zgjidhin edhe problemin e humbjes së flokëve. Studiuesit e një universiteti amerikan kanë arritur të rrisin me sukses flokë, duke përdorur qeliza staminale me qëllim që të transplantohen qelizat te njerëzit dhe të trajtohet me sukses tullacllëku. Ndërkohë, shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë së Jugut kanë zhvilluar një teknikë shkuljeje të flokut që stimulon shumë rritjen e tij.
- Roboti-kirurg me shumë duar
Për herë të parë në Britani, kirurgët në një spital londinez, kanë hequr një tumor kanceroz, duke përdorur një robot me shumë duar. Ky robot e çon operacionin me laparoskopi (kur hapen vetëm disa vrima në trup për operacionin) në një nivel më të lartë, pasi ai vepron me saktësi të lartë dhe i shkakton dëme minimale pacientit, duke reduktuar dhimbjet pasoperatore dhe duke përshpejtuar kohën e rigjenerimit.
- Zbulohet shkaku i Alzhaimerit?
Këtë vit janë bërë disa ndryshime edhe në trajtimin e Alzhaimerit, që nga ilaçet e reja, më të fuqishme e deri te terapia me ultratinguj. Gjithashtu, shkencëtarët amerikane mendojnë se kanë gjetur një nga shkaqet kryesorë të kësaj sëmundjeje. Ata kanë zbuluar se qelizat që na mbrojnë prej saj e ndërpresin veprimin e tyre dhe konsumojnë një substancë të quajtur arginine tek individët që preken nga sëmundja. Duke e bllokuar këtë proces me mjekim, studiuesit kanë qenë të aftë të rikthejnë simptomat e Alzhaimerit te minjtë, duke hapur mundësinë e një trajtimi efikas të kësaj sëmundjeje.
- Protezat 3D
Doktorët kanë arritur të trajtojnë një sëmundje fatale të frymëmarrjes te të porsalindurit, duke përdorur një rrip metalik të biodegradueshëm (që tretet me kalimin e kohës), të printuar me një printer 3D. Trakeobronkomalacia është një sëmundje e rrallë që shkakton mbylljen e papritur të trakesë te një bebe. Rripi metalik shërben për ta mbajtur trakenë të hapur, duke lejuar këtë organ të zhvillohet si duhet. Falë kësaj teknologjie të re, djali trevjeçar Kaiba Gionfrido, nga Ohajo në SHBA, është fëmija i parë në botë që është trajtuar me sukses nga kjo sëmundje.
- Një kurë e re për astmën?
Studiuesit e Universitetit të Kardifit kanë zbuluar një shkak të mundshëm të astmës dhe kanë përpunuar një trajtim me ilaçe që pakëson simptomat te kafshët. Shkencëtarët kanë zbuluar se receptorët e kalciumit në trup (CaSR) luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe kanë përpunuar disa ilaçe ekzistuese, të quajtura kalcilitiks, të cilët mund të manipulojnë CaSR-në, duke eliminuar simptomat. Nëse provat te njerëzit dalin me sukses, atëherë mund të gjendet një trajtim efikas brenda pesë vjetëve.
- Rigjenerimi i qelizave të zemrës
Ndryshe nga qelizat e mëlçisë, për shembull, ato të zemrës nuk rigjenerohen në mënyrë efikase. Deri tani, shkencëtarët e Institutit Uisman të Izaraeilt dhe ata të Sidneit, në Australi, kanë zbuluar një mënyrë për të stimuluar rritjen e qelizave të zemrës, duke përdorur një hormon të quajtur neuregulin. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, mund të përpunohet një terapi për rigjenerimin e zemrës te pacientët e sëmurë, aty nga viti 2020.