– I dashur psikolog, kam një problem shumë serioz që s’do të guxoja kurrë t’jua thoja ballëpërballë. Kur isha adoleshente, u fejova dhe u ndava. Tani jam 22 vjeçe dhe kam frikë të kem një lidhje ose të fejohem. Kalova në traumë, si një lloj përdhunimi, se nuk e doja atë njeri dhe tani jam bërë tip i mbyllur. Më vjen zor ta them, por më tërheq e njëjta gjini, kam frikë nga meshkujt, kam frikë të mendoj për seksin e jo më ta bëj atë. Tmerrohem nga mendimi se përse s’i dua meshkujt. Nuk kam qenë kurrë e dashuruar…
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E dashur 22 vjeçare, po të flas si bijës sime sepse më vjen keq që ti të kesh aq shumë nevojë për psikoterapi e të mos guxosh për të përfituar nga fenomeni më i bukur e natyror, nga rrëfimi i vetes, këshillimi psikoteraupetik dhe reflektimet mbi jetën. Po pse, siç thua ti, nuk do të guxoje të ma thoje kurrë ballëpërballë një problem kaq “serioz”? Ky nuk është ndonjë turp. Nuk ishte faji yt që për shkak të një traume nga fejesa jote në adoleshencë, kalove një periudhë të vështirë, u ndjeve gati si e përdhunuar dhe tani je bërë e mbyllur, nuk guxon më që të takosh ndonjë djalë, e ke marrë frikë seksin, ndoshta edhe ke kaluar gati në fobi nga meshkujt, apo më e pakta është se ke kaluar në një gjendje negativizmi ndaj tyre. Turpi e brengat e tua shtohen kur ti mendon (në fakt, të duket) sikur të tërheq e njëjta gjini(!). Do të dëshiroja të të bindja se kjo është një ndjesi “mashtruese”, një “marifet” që na e krijojnë frikërat e ankthi pas traumave që ne pësojmë në jetë, pra, është një lloj ndjesie fallco ose ashtu siç e thonë fetarët, një ide që ta kujton “shejtani”, por që të jep edhe ndjesitë fallco, madje njëfarë kënaqësie e qetësie si për të të bindur se ti je lesbike kur nuk je, as nuk mund të jesh, se nuk je “gatuar” e tillë. Vepron pra psikosmatikja, duke manipuluar me faktin që çdo njeri është sadopak dyseksual. Është pikërisht dyseksualiteti pa të cilin njeriu nuk do të quhej normal, ai që i tremb shumë djem të rinj duke kujtuar se mos janë homo, ose shumë vajza të reja, që kujtojnë se mos janë lesbike. Të gjithë ata që e kanë këtë lloj frike, kur vijnë tek unë e bëjnë testin, rezultojnë se janë 100 % të rregullt dhe vetë kundërshtia psikologjike tregon se homoseksualiteti nuk është aspak në natyrën apo në qenien e tyre, por vetëm te mendimet, pra, është diçka të cilën ata s’mund ta kenë edhe sikur ta dëshirojnë, pasi siç thashë, nuk janë gatuar të tillë. Homofobiku ka frikë edhe ta mendojë homoseksualizmin, edhe pse mund t’i duket sikur e dëshiron. Kështu ka ndodhur edhe me ty vajzë; ti je fejuar e vogël, pra, adoleshente dhe romantizmit e ndjenjave të tua të brishta (si trëndafili kur çel) i është përgjigjur i fejuari gati me përdhunim. Kështu ndodh ndonjëherë sepse jeta neve shpesh na sulmon, porse përvojat e para, shumë të këqija janë shpeshherë shumë traumatizuese, deri në atë shkallë sa njeriu mund të kalojë në të kundërtën e asaj që ka dëshiruar, pasi vetë reaksioni i ndjenjës bëhet i tillë sa të duket sikur gjithë fatkeqësinë ta shkaktoi ajo që ti dëshiron, pra, martesa apo seksi.
– Zhan Zhak Rusoi u martua me një grua shumë të zgjuar të cilën ai e dëshiroi shumë, por ajo e braktisi dhe ai, i lënduar thellë e me shpirtin copë, filloi të urrente zgjuarsinë e femrave, si të ishte ai shkaku dhe u martua me një tjetër grua e cila iu duk se nuk ishte e tillë, por e urtë dhe e paqtë, pa pretendime, grua që s’do ta braktiste kurrë. Por, kur kuptoi se ajo nuk dinte të numëronte dhe as nuk mbante mend emërtimet e ditëve, muajve etj. u lemeris fare edhe më keq dhe gjithë bukuria e saj iu zbeh, i mori inat të gjitha femrat dhe kujtoi se mos ishte homoseksual.
Kështu po ndodh edhe me ty vajzë, pasi pas çdo traume, njeriu pëson një rënie shpirtërore, një zhgënjim dhe vjen një ditë që “dialogun” e bën vetëm me veten, më saktë, ngjarjet e “pahijshme” ia rrëfen vetëm vetes, në vend që t’ia rrëfente psikologut dhe dalëngadalë, në monologun si në një “morg”, i mbyll mendimet pozitive tek ato “odat e errëta” të shpirtit, shtresëzon deri në tavan mendimet negative që fillojnë me pyetjet: “Po sikur?” e “pse?” pa fund dhe ndjehesh vetëm si një e dështuar. Në këto raste, ne fajësojmë e vetëfajësohemi dhe pranojmë “faktet” se s’mund të jemi ne as të lumturit e as të duhurit. Kjo gjendje shoqërohet me brenga pa fund e strese, pasi ne psikologët themi se na shkaktojnë stres nuk janë ndodhitë në vetvete, por mendimet tona për ndodhitë. Dhe fillojnë e shohim veten me “syze të errëta” aq sa edhe kur flejmë, i ndjejmë qepallat të rënduara. Dhe kjo, jo për faktin se në jetë nuk ndodhin gjëra që na bëjnë të lumtur, por sepse vetë ne ua mbyllim dyert gjërave të bukura nga frika se mos na futen të “këqijat”.
Njeriu nuk duhet të mbyllet si kërmilli në guackën e vet pasi jeta është e mbushur plot me gjëra të bukura dhe neve do na duket jeta e “errët” nëse nuk guxojmë që të dalim e ta shohim. Kjo ndodh sepse na kanë mbetur në mendje të hidhurat, si ndonjë kockë e patretur në stomak dhe na dhemb aq shumë duke lënë të tilla gjurmë sa na duket sikur mendimet e zymta zvarriten rreth nesh si anakondë. Në këto raste, duhet patjetër pak “acid” natyror psikoterapeutik që t’i shkrijë pa lënë gjurmë këto skelete traumash të padurueshme e aq të hidhura. Vetëm veshet e mi e dinë se çfarë kanë dëgjuar nga mijëra klientë të cilëve u është rregulluar më pas jeta e cënuar nëpërmjet psikoterapisë. Njeriu duhet të kuptojë se ka një ndryshim të madh në mes të çasteve të këndshme dhe atyre të dhimbshme, i cili lidhet me termat dhe memorizimin. Ato të bukurat përjetohen me shpirt e me zemër, ndërsa ato të hidhurat mbeten si të shtresëzuara në hapësirat e rrudhave të trurit; kjo është edhe arsyeja pse e njëjta lëngesë na “vret” edhe me kalimin e kohës, madje edhe atëherë kur kujtojnë se e kemi harruar.
Prandaj unë u them klientëve që në seancën e parë se do të hapim “dyer e dritare” të “magazinave” të kujtesës, jo vetëm për t’i ajrosur, por edhe për t’i sistemuar, sepse duke heshtur vjen një moment që nuk e di më se kush je më e ku duhet vajtur.
Advertisement