Dashi dhe femra
– Isha te gjyshja dhe doja të kapja një dash të vogël. Ishte shumë i bukur dhe vendi ku isha ishte si kopësht parajse, shumë i bukur. Në pamundësi për ta kapur këtë dash, më erdhi një tjetër, por ishte femër shumë e bukur dhe më përqafonte; e ndjeja ngrohtësinë e saj. Sytë i kishte me ngjyra të ndryshme, më fliste, por me një gjuhë tjetër. Unë i thashë: “Pse nuk e mëson atë dashin të flasë si ti?”. Nuk mbaj mend më pas se si përfundoi, por ishte ëndërr e çuditshme.
– Dashi që keni parë në ëndërr përfaqëson energjinë tuaj mashkullore dhe pjesa e femrës, energjinë femërore, bashkë me instinktet e saj. Ka shumë mundësi që të jeni në prag të një vendimi i cili duhet të trajtohet me shumë kujdes. Duhet të keni vendosmërinë e një mashkulli dhe taktikën e zgjuarsinë e një femre në vendimin që do të merrni, ndaj duhet të keni kujdes dhe të veproni me kujdes. Gjithsesi, ëndrra është në avantazhin tuaj, sepse dashi përfaqëson edhe fuqinë e autoritetin që keni ju ndaj të tjerëve. Jeni superior.
Adami dhe Eva
– Në ëndërr isha e martuar dhe shtatzënë me një fëmijë femër. Në ëndërr m’u shfaq edhe një person i moshuar, i cili ishte i vogël me trup dhe më tha: “Shikoji këto dy varre, njëri është i Adamit dhe tjetri i Evës, kështu që nëse të lind djalë, vëri emrin Adam, nëse është vajzë, Eva”. Jam vërtet kurioze, ç’do të thotë kjo ëndërr?
– Nga ëndrra që më dërgoni, më lini të kuptoj që nuk jeni e martuar. Atëherë, ëndrra ju vjen me një mesazh shumë të qartë: përpara se të filloni diçka, çfarëdo të jetë ajo gjë, nuk duhet të injoroni energjinë femërore dhe as atë mashkullore, sepse si Adami, ashtu edhe Eva, janë simbole të vjetra që tregojnë energjinë e femrës dhe të mashkullit. Në varësi të problemit apo çështjes që keni, ju duhet të shfrytëzoni instinktet tuaja. Njerëzit e vjetër, si në rastin tuaj, shfaqen në një periudhë kur ju jeni konfuzë dhe nuk dini si të drejtoheni ose keni nevojë për këshilla për marrjen e një vendimi. Shtatzania është një projekt i juaji, që ka lidhje me pjesën e parë të shpjegimit. Do të keni një ide të re, një drejtim të ri, vetëm se duhet ta shfrytëzoni sa më mirë këtë mundësi. Duke qenë se fëmija është vajzë, duhet të shfrytëzoni energjinë dhe shkathtësinë e femrës.
Burri më tradhtonte
– Kam burrin në emigrim dhe pashë sikur e mora në telefon dhe po i thoja: “Më ke harruar, nuk të merr më malli për mua”. Ai po mundohej të ma mbushte mendjen për të kundërtën, duke më thënë se vetëm unë isha femra e tij. Ndërkohë që mbyllëm bisedën, unë bëra gjoja sikur e mbylla, por e lashë hapur dhe dëgjova zërin e një femre afër tij. Kjo gjë më bëri të ndihesha aq keq, saqë jam zgjuar duke qarë nga dëshpërimi i tradhtisë së tij. A ka ndonjë kuptim sepse jam në ankth?
– E nderuar zonjë, nuk duhet të dëshpëroheni, nuk është e thënë që një tradhti në ëndërr është tradhti edhe në realitet. Ju vërtet ushqeni dyshime për burrin tuaj, sepse e keni larg dhe kjo gjë ju bren brenda shpirtit. Ndiheni e pasigurt, keni dyshime e angazhime të tepërta në familje dhe kjo ju bën të ndiheni e vetmuar dhe mendoni sikur burri po ju tradhton e ju ka kthyer shpinën, por nuk është e vërtetë. Nëse ndiheni kështu, flisni hapur me burrin tuaj, thuajini që ju mungon, por aspak dyshimet që keni, sepse i keni pa baza. Ai është në emigrim, ka shkuar të punojë për të mbajtur familjen, vetëm këtë gjë mendoni dhe qetësojeni veten.