U martova
– Kam parë një ëndërr sikur unë isha e martuar, ndërkohë që në realitet jam beqare. Vjehrri më dha një filxhan kafeje të bëja kafe, mirëpo unë po bëja kafe me qumësht. Ai sikur do të takonte shumë njerëz diku, por nuk i takoi dhe u kthye në shtëpi. Pastaj m’u bë sikur unë kisha në duar një këmishë të bardhë. Jashtë shtëpisë u afrua një gjarpër i madh, iku e pastaj erdhi tjetri, i trashë dy metra. Ai vrau vjehrrin tim. Erdhi burri im me një furgon të bardhë dhe e shtypi gjarpërin. Burri im kishte flokë të bardhë. Unë hipa në furgon dhe ikëm të dy. Pashë edhe divanë jeshilë. Pres një përgjigje.
– Të shohësh në ëndërr sikur je martuar, tregon një lloj dëshire që e keni brenda vetes dhe mundimi njëkohësisht se nuk po arrini akoma të gjeni njeriun e jetës. Gjithë personazhet që keni parë në ëndërr tregojnë mendimet tuaja rreth kësaj dëshire. Jeni tip që fantazoni shumë dhe në njëfarë mënyre, kjo gjë ju bën të shkëputeni nga realiteti. Kur ktheheni, ndiheni e vetmuar. Gjarpëri tregon dëshira sensuale, nevoja fiziologjike të pandërgjegjshme. Ju keni frikë ta pranoni që keni nevojë për intimitet dhe për një mashkull në krah. Megjithatë, mos u mërzisni, fundi i ëndrrës tregon që shumë shpejt, dikush do të jetë pjesë e jetës suaj. Ju uroj fat!
Isha shtatzënë
– Në ëndërr kam parë një test shtatzanie që e mbaja në dorë, ishte pozitiv dhe bërtisja nga gëzimi se isha shtatzënë. Ju lutem, ma shpjegoni, çfarë do të thotë? Faleminderit.
– Ju, përveç pjesës që shkruani në ëndërr, tregoni edhe dëshirën e madhe për të ngelur vërtet shtatzënë. Kjo do të thotë që është e pashmangshme ajo çfarë keni parë. Prisni me ankth këtë shtatzani, jeni e dëshpëruar dhe gëzimi që keni shprehur janë lutjet tuaja për të ngelur shtatzënë. Ëndrra ju jep dhe një mesazh shumë të qartë, që duhet ta qetësoni veten dhe atëherë kur nuk e prisni, do të ngeleni shtatzënë.