Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ndjehem si i burgosur, por nuk bëj dot asgjë

Unë që po ju shkruaj jam një burrë të cilit i kanë ndodhur shumë ndryshime në një vit. Para një viti isha tjetër njeri dhe më mungonin shumë gjëra, por tani më mungon kryesorja, jeta e lirë e pa pengesa. Do të thoni ju se njeriu nuk kënaqet kurrë. Edhe kjo mund të jetë, ama disa gjëra janë të shenjta për njeriun e disa jo. Që ta kuptoni më mirë po filloj të tregoj shkurtimisht të kaluarën time.
Unë ka pak që kam mbushur 30 vjeç. Kam qenë i martuar dhe nga kjo martesë kam një vajzë 3 vjeçe. Kisha një grua shumë të mirë, por e keqja qëndronte tek unë, sepse unë kisha vesin më të keq të njeriut, bixhozin. Të gjithë thonë se është vesi më shkatërrues dhe nga i cili nuk mund të shpëtosh lehtë. Ajo më duroi mjaft, se bashkë ishim njohur dy vjet më parë se të bënim vajzën, por kur lindi vajza, problemet u shtuan dhe ajo vendosi të më ndante. Dhe mirë bëri. Unë, as nga ndarja e saj nuk zura mend. Prapë vazhdova të luaja dhe të mos lija lek në xhep. Fati ishte që kisha një shok të mirë dhe ai më mbante në shtëpinë e tij. E ëma më mbante sikur të isha djali i saj, sepse prindërit e mi nuk jetojnë tani. Nëna më vdiq kur po më lindte mua dhe babai vdiq para nja dy vjetësh nga kanceri. Edhe kur ishte gjallë, jetonte me shqetësim për problemin tim. Ndoshta edhe ky ishte shkaku i sëmundjes së tij.
Para një viti ndodhesha në një hall të madh. Nuk kisha lekë as të hipja në autobus. Nga hutimi nuk e dija ku po ecja dhe befas u përplasa me një grua e cila sa po dilte nga makina. Ajo u trondit se ishte edhe orë e vonë e natës, kështu që bërtiti me të madhe.
– Më fal! – i thashë. – Nuk doja të përplasesha me ju!
– Uaa… – ajo ende bërtiste dhe m’u desh t’i vija dorën në gojë për të mos e dëgjuar disa policë që ishin aty afër. Në këtë çast ajo tendoi të më godiste, por unë i thashë që nuk kisha ndërmend t’i bëja asgjë. Ajo më pa thellë në sy dhe si duket, e kuptoi që nuk isha i rrezikshëm dhe u qetësua. U sprapsa dhe e lashë të lirë.
– Më falni edhe një herë. Nuk ju pashë, se po kërkoja diçka në tokë.
– S’ka gjë, vetëm ta dish se më trembe shumë se mendova mos ishe ndonjë hajdut.
– Si t’ju qetësoj? – i thashë i pikëlluar, se më erdhi keq për atë grua e cila ishte në punë të saj dhe u ndesh me mua që vetëm probleme iu sillja njerëzve.
– Jo s’ka problem. Tani çdo gjë është në rregull. U tremba në fakt pak si shumë dhe lëshova të bërtiturën, por tani kaloi. Doja të merrja rrugën në këmbë, por tani po hipi edhe njëherë në makinë, se u bë vonë.
– Lum si ti! – më dolën këto fjalë nga goja pa komandë.
– Pse? Pse duhet të jem e lumtur që u bëra vonë? – u mundua ajo të fliste me humor.
– Jo, jo ashtu kot. Ishte diçka që…
– A mund t’ju ndihmoj për ndonjë gjë? Nëse po, më thoni, si mund t’ju ndihmoj?
Nuk kisha rrugë tjetër veçse t’i thoja se kisha humbur portofolin dhe nuk kisha lekë të merrja autobusin. Dhe ashtu bëra. Ndoshta ka qenë edhe e shkruar të ndodhte kjo përplasje dhe jeta ime të merrte këtë kthesë. Ajo pranoi menjëherë të më shoqëronte dhe unë hipa në makinë. Më çoi deri te shtëpia dhe rrugës biseduam. Ajo fliste më shumë e unë përgjigjesha me fjali të shkurtëra.
Ishte një grua rreth të 40-tave, por shumë e mbajtur. Në fakt, seç ndjeva një ndjenjë ngrohtësie që kisha kohë që nuk e kisha ndjerë kur isha me të. Ndoshta ngaqë ajo u soll shumë mirë me mua. Ngaqë biseda u bë e ngrohtë, kur u ndamë, ia shtrëngova dorën më tepër.
– Do shihemi! – i thashë dhe ndërruam numrat e telefonit.
Për të mos rënë në sy, i çova një mesazh pas dy ditësh duke e falënderuar që më mori atë natë në makinë. Ajo ma ktheu se ishte kënaqësi dhe ishte e shqetësuar nëse e kisha gjetur portofolin. I thashë se u ktheva të nesërmen në vendin ku kisha ndenjur me shokët (kështu e kisha gënjyer, se kisha qenë me shokët në një lokal) dhe e kisha gjetur. Ajo u kënaq dhe kështu, ditë pas dite u takuam për kafe. Biseduam dhe biseda na shkonte aq mirë sa u habita edhe vetë. Kisha kohë që nuk isha ndjerë aq mirë dhe, me thënë të drejtën, kisha një javë që nuk kisha luajtur bixhoz. Edhe pse ishte më e madhe se unë, më pëlqente si grua dhe filloi të lindte një ndjenjë mes nesh. Ajo nuk ishte e martuar. Kishte qenë më parë, por ishte ndarë se nuk bënte fëmijë dhe nuk dëshironte që ta linte të shoqin tërë jetën pa fëmijë. Kishte punë të mirë dhe gjendje të mirë ekonomike.
U afruam me njëri-tjetrin dhe kjo bëri që unë të shpërngulesha në shtëpinë e saj. E falënderova shokun që më kishte mbajtur për shumë kohë dhe i premtova se do t’ia shpërbleja. Dhe kështu, nisi një jetë e re për mua. Kisha kohë që nuk kisha luajtur bixhoz, sepse jetën e kisha të mbushur me dashurinë për këtë grua të magjishme. Pushimet e para i bëmë në Turqi dhe të them të drejtën, ishte një mrekulli. Nuk e besoja se si kisha harxhuar aq shumë ditë të jetës sime kot. Edhe në punë të gjithë më thonin se kisha ndryshuar dhe ishin të kënaqur me mua. Deri këtu shumë mirë, por edhe lumturia nuk zgjat shumë, si gjithmonë. Një ditë, kur po pinim kafen e pasdites, një nga ata me të cilët luanim në të njëjtin vend, më pa, u afrua e më tha:
– Po ku je mo? Më mori malli për ty. E ke lënë lojën?
– Më fal, nuk e sheh se nuk jam vetëm? – i thashë se nuk e dija si ta hiqja qafe.
– Oh, më fal zonjë! U tregova pa takt po më ka munguar shumë ky djalosh që e kisha një kundërshtar të fortë. – ai fliste dhe këto fjalë më nguleshin në kokë si shigjeta.
Ajo nuk foli, por më pa me një tjetër shikim.
– Mirë mirupafshim tani! Do të shihemi. – i thashë.
– Ku e takoje këtë shokun? – më pyeti ajo me një ton me të cilin s’më kishte folur kurrë. – Ç’lojë luanit?
– E di se je e nervozuar, por nuk doja ta prishja lumturinë tonë me të kaluarën time, prandaj nuk të kam thënë gjë.
– E çfarë duhej të më thojë? – tha ajo ftohtë.
– Dikur luaja bixhoz. Edhe atë natë që të takova ty nuk më kishte humbur portofoli, por i kisha lënë të gjitha në lojë.
– Pra, e paskemi nisur lidhjen me një gënjeshtër. E çuditshme, si nuk më kishte shkuar ndërmend. E dija se duhej të kishe ndonjë gjë që nuk shkonte, por nuk e mendova kështu. Sa idiote qenkam treguar!
– Pse flet kështu? Unë atë natë nuk të pashë dhe u përplasa qëllimisht. E rëndësishme është që ne jemi kaq të lumtur bashkë.
Debatuam edhe pak, por ajo, si e pjekur që ishte, nuk e ekzagjeroi ashtu siç bënte ime shoqe. Pas kësaj zënke, nuk ndryshuan shumë gjërat, vetëm se ajo ishte si më e ndrojtur dhe sa herë dilja, sikur nuk kishte besim tek unë. Edhe me lekët nuk ishte si më parë. I ruante dhe i fshihte nga unë. Kjo gjendje më solli në shpirt një boshllëk që e kisha patur më parë dhe ky boshllëk mund të mbyllej vetëm me lojën, e cila kishte qenë dhe më parë arma me të cilën unë mendoja se ndihesha mirë. Një natë u futa në vorbullën e saj dhe mezi dola. Kur pashë orën, kishte shkuar 3 e mëngjesit. Si gjithmonë pas lojës, me asnjë lek në xhep, m’u desh ta merrja në telefon dhe t’i kërkoja të vinte të më merrte. Ajo erdhi menjëherë dhe nuk më pyeti për asgjë. Kjo më vrau më shumë. Nëse do të më kishte sharë, do të kishte qenë më mirë për mua, por ajo nuk e bëri.
Të nesërmen më kishte lënë një shënim ku më thoshte se nëse doja të luaja, mund të largohesha nga shtëpia e saj dhe të isha i lirë, ama nëse nuk largohesha, duhej të sillesha si më parë, pa lojë, por të isha vetëm në gatishmëri për të. Të isha rob i saj, në një kuptim.
E mendova, por po të ikja nga kjo shtëpi, si do të jetoja? Te shoku nuk kthehesha dot dhe tek ish- gruaja nuk kisha vend se e dija se ajo tashmë kishte një lidhje, kështu që pranova të jetoja me të.
Kjo ka të mirat e veta se unë nuk mund të luaj bixhoz dhe kam shtëpi e ekonomi të mirë, por lidhja jonë ka ndryshuar, nuk është si më parë. Nëse më parë ajo ishte shumë e hapur me mua dhe ishim një çift për zili, tani jemi si të ngurtë dhe ajo dyshon në çdo lëvizje timen.
Pra, kjo ishte ajo që ju thashë në fillim. Edhe pse më parë luaja bixhoz, ndjehesha më i lirë se tani. Tani jeta ime ka një ndryshim të madh, po më mungon liria e cila besoj sjell edhe lumturinë. Ndoshta jam edhe unë gabim e duhet të pranoj që hoqa dorë nga një ves i keq, por ja që dhe kështu më duket vetja si në burg.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

E dëmton aspirina stomakun?

Next Post

5 arsye pse gratë i tradhtojnë burrat që duan

Advertisement