Pas një sërë këngësh të cilësuara si hite sezonale e më gjatë se aq, “Trego” është projekti i saj më i fundit muzikor që e sjell në një bashkëpunim me një tjetër këngëtar të njohur, Shpat Kasapin. Sigurisht që ngjyrat, stili dhe ritmet e kërcyeshme nuk mund të mungonin edhe këtu, si në çdo klip tjetër të sajin. Në këtë intervistë, Lori na flet për këngën dhe shumë të tjera, por në këtë intervistë, ka patur sigurisht shumë më shumë për të na treguar sesa në këngë…
Ariana Bregu: – Lori, këtë herë vjen në një bashkëpunim të suksesshëm me Shpatin.. Si u bëtë bashkë në këtë duet?
Lori Kaçka: – Kishte kohë që po mendonim të realizonim një këngë, por impenjimet e secilit po e vononin realizimin derisa më në fund gjetëm kohën dhe sollëm “Trego”, që fatmirësisht ka rezultuar një këngë mjaft e pëlqyer verore.
– Pritet ndonjë tjetër këngë solo këtë verë apo e ke mbyllur me kaq?
– Tani për tani, nuk mund të them me siguri, por asnjëherë nuk i dihet, apo jo? (Buzëqesh)
– Kam vënë re që, veç muzikës, edhe tekstet marrin rëndësi të veçantë në këngët e tua…
– Tekstet e Aida Barakut janë shumë cilësore dhe unë kam dalë gjithmonë e kënaqur në bashkëpunimet me të.
– Pushimet, kur do t’i bësh këtë herë?
– Unë pushimet i kam bërë gjithmonë pas sezonit veror. U bë tashmë gjysma e jetës që i bëj pushimet në shtator dhe më duket shumë normale sepse është fiks momenti kur vij pas punës, pas lodhjes. Pastaj shtatori është një muaj jo shumë i nxehtë dhe unë, kur shkoj për pushime, dua të pushoj dhe jo të argëtohem, kështu që më shkon shumë për shtat. Është fiks periudha më e përshtatshme për mua për të pushuar.
– Me sa di, këtë verë ti ke mbajtur edhe Ramazan…
– Unë kam kohë që e mbaj Ramazanin dhe edhe këtë herë nuk kam bërë ndryshe, i kam shkuar deri në fund. Është diçka që më bën të ndihem shumë mirë.
– E buzëqeshur, e lumtur, si gjithmonë. Kjo më bën përshtypje te ti… Je gjithmonë kështu?
– Përpiqem. Mendoj se jeta është shumë e shkurtër për të qenë e mërzitur apo negative. Më pëlqen të jem pozitive, së paku për aq sa mund të jem e tillë, për pothuajse gjithçka që më rrethon. Ku ka më mirë se pozitiviteti! Të marrësh dhe të përçosh pozitivitet e bën jetën më të bukur, më të lehtë.
– Çfarë pëlqen puliku te ti që të ka kaq shumë për zemër?
– Me siguri, këngët e mia, punën time. (Buzëqesh) Plus që unë përpiqem të jem gjithmonë vetvetja me këdo, qoftë me njeriun më të thjeshtë apo me atë më të rëndësishëm, me fansin tim më të zjarrtë…
– Ke më shumë adhurues femra apo meshkuj?
– Nuk është se e kam bërë këtë bilanc. Nëpër koncerte dihet që kur këndojnë femra, vijnë më shumë meshkuj dhe anasjelltas, por ky nuk është një tregues i mirëfilltë për këtë. Për mua e rëndësishme është të më duan për atë që bëj, të vlerësojnë punën time të cilën e bëj me shumë dashuri e përkushtim, duke u përpjekur që të mos zhgënjej askënd, në radhë të parë Lorin e më pas, edhe fansat.
– Numëron disa bashkëpunime gjatë karrierës tënde, përmendim atë me Bleron e së fundi, bashkëpunimi me Shpatin. Do të veçoje ndonjë prej tyre?
– Është e vështirë të veçosh në këto bashkëpunime.
– Një gjë që bie në sy është edhe aktrimi në këngët e tua…
– Aktrimi është një gjë e mirë për një këngëtare, aktrimi i shërben këngës, plus që në fushën e artit bëjnë pjesë të dyja, ndaj i bëj të dyja me kënaqësi.
– Si gjithmonë, edhe këtë verë ke qenë mjaft produktive…
– Po, e vërtetë. Mua më pëlqen të jem në kontakt me publikun, nuk dua që ai të humbasë vëmendjen ndaj meje, ndaj kam preferuar të vij gjithnjë me diçka të re përpara tij. Shpresoj vetëm të mos u jem mërzitur kaq shumë duke më kanë parë në çdo ekran. (Buzëqesh)
– Duket sikur rivaliteti mes kolegësh është gjithnjë i pranishëm, edhe pse i nënkuptuar ose disi i kamufluar. Ti ruan shoqëri në mesin e këngëtarëve apo për sa kohë që ekziston kjo klimë, nuk është e mundur diçka e tillë?
– Xhelozia profesionale duket si diçka jo e këndshme, por realisht, për të qenë të vërtetë me veten dhe të tjerët, duhet kuptuar që kjo është diçka edhe e mirë në vetvete sepse kështu ti motivohesh të bësh më të mirën e mundshme, të japësh maksimumin prej vetes dhe diçka e tillë nuk mund veçse të jetë pozitive për të gjitha palët. Sa i përket shoqërisë me kolegët, unë jam munduar gjithmonë që t’i ruaj raportet të mira me kolegët, duke parë gjithmonë punën time. Janë disa me të cilët shoqërohem, por u bënë kohë që shoqërohem pak më shumë me Kaltrina Selimin që për mua është një vajzë e përkryer, një shoqe shumë e mirë, një vajzë e çiltër dhe shumë e sinqertë… më ka befasuar për mirë!
– Luku me të cilin paraqitesh, është gjithnjë një trend më vete. Duket sikur moda është një tjetër pasion i yti…
– Sa i përket lukut, shija është relative, por unë kam vënë re që publiku ka shije, ka sy për të parë dhe kuptuar se çfarë është e bukur, e pranueshme e çfarë jo. Unë ia kam lënë gjithmonë në dorë publikut, por shyqyr që gjithë ai investim që bëj, më është vlerësuar dhe shpërblyer.
– Një gjë tjetër që e bën me po aq pasion?
– Një gjë tjetër që e bëj gjithmonë me shumë dëshirë është gatimi. Më pëlqen të gatuaj, është relaksim total.
– Udhëtime, udhëtime, udhëtime… Të janë mërzitur udhëtimet për punë?
– Ndoshta jo tamam mërzitur, por do të thoja që më ka humbur pak durimi. Megjithatë, është diçka për të cilën duhet ta mbledhësh mendjen, duhet kuptuar që kjo është puna jote, kjo është diçka që është e lidhur me punën që ti bën, kështu që s’të mbetet veç ta pranosh.