Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Katan Trebeshina: E vërteta e azilit në Gjermani…

Epidemia e ikjes, duket se e ka prekur edhe një herë popullin tonë. Ditë pas dite dëgjon për njerëz që lënë pas atdheun e jetën këtu, edhe me fëmijë të vegjël me vete, me shpresën se diku jashtë, i pret një e ardhme më e mirë. Të shumtë janë ata që si dritë të shpresës së tyre kanë parë Gjermaninë, ku një numër i madh shqiptarësh e jo vetëm, janë në kërkim të azilit. Dhe, siç ndodh rëndom në këto raste, legjendat urbane gëlojnë… Dikush mendon se kjo është një politikë shtetërore dhe se jeta e të ikurve është e garantuar në këtë vend. Dikush tjetër se kushtet në të cilat jetojnë këta njerëz, janë shumë të këqija. Për të mësuar më shumë mbi jetën e azilkërkuesve në Gjermani, ne kemi kontaktuar me një shqiptar i cili jeton tashmë prej 15 vjetësh në këtë vend dhe aktualisht, është anëtar i stafit që merret me azilkërkuesit. Ai i përket fushës së shëndetësisë, njëkohësisht dërgon pacientë privatë që vijnë nga Shqipëria apo edhe vende të tjera, të cilët, siç thotë ai, deri më sot kanë dalë të gjithë të kuruar e shëruar plotësisht. Ja, çfarë na thotë më shumë, zoti Trebeshina…

Blerina Çizmja: – Zoti Trebeshina, ju po e prekni nga afër realitetin e kaq shumë shqiptarëve që sot kërkojnë azil në Gjermani. Si e shikoni këtë fenomen ju vetë, me syrin e një emigranti që tashmë ka vite që jeton në Gjermani?
Katan Trebeshina: – Ky është kthyer në një problem shqetësues edhe për vetë Gjermaninë, mbasi ky numër azilkërkuesish sa vjen e shtohet. Fenomeni nuk ka të bëjë vetëm me azilkërkuesit shqiptarë, por edhe nga vende të tjera, si Siria, Afganistani, Pakistani, nga Afrika e nga gjithë Ballkani në përgjithësi, por unë po ndalem te Ballkani e më konkretisht, te Kosova dhe Shqipëria.
– A ju kujton kjo vale etheje për të ikur nga Shqipëria, kohën kur keni ikur ju vetë? Ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë emigrantët e sotëm, nga ata të ikjes së parë masive të shqiptarëve drejt Perëndimit?
– Kjo ikje masive është më e madhja e të gjitha kohërave, mbasi nëse me futjen nëpër ambasada numri i emigrantëve shqiptarë nuk ka qenë më i madh se 5 mijë vetë, tani ai është disa herë më i madh dhe statistikat janë po ato që thuhen edhe në mediat shqiptare dhe gjermane, madje diçka më shumë se aq. Nëse në korrik me ambasadat ikën me preteksin e azilit politik, duhet të kuptojmë se atëherë ishte në fuqi regjimi komunist, ndërsa mbas 24 vjetësh, kjo situatë ndryshon për shumë arsye. E para, thuhet se ka liri e demokraci, por faktet tregojnë ndryshe… Unë po shoh edhe shumë nga partitë politike që u futën në koalicione me qeverisjen e djeshme e të sotme dhe menjëherë mbasi u krijua qeveria, kanë filluar ankesa nga më të ndryshmet…
– Ju keni kontakte të drejtpërdrejta me azilantët, për shkak edhe të punës suaj. Duke gjykuar nga ajo që shihni ju vetë në kampe, çfarë mendoni se e ka provokuar këtë ikje masive?
– Ikja masive nga Shqipëria është një prapagandë e bërë aty në Shqipëri nga trafikantë të lidhur me pushtetin, sepse nuk po përballojnë dot situatën që vetë e kanë krijuar, por edhe për të mënjanuar pasojat e ndonjë revolucioni popullor, që zien në mediat sociale ndaj kësaj klike qeverisjeje. Kriza ekonomike, që sigurisht ka hyrë në një krizë politike, ka detyruar e detyron shtresa të ndryshme njerëzish të largohen e të kërkojnë azil në Gjermani. Pastaj, këta që kanë ardhur, kanë folur më parë me njerëzit e tyre, miqtë e shokët që u kanë thënë se në Gjermani të japin shumë para etj. Kjo ka bërë që dyndja të vijë duke u shtuar.
– Me ç’kategori njerëzish përballeni përgjithësisht aty?
– Kontigjenti kryesor janë popullsi rome. Pastaj, ka nga fshatrat dhe nga qytetet, ka njerëz vërtet hallexhinj, por ka edhe nga ata, si i themi ne, dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë, që kërkojnë edhe qiqra në hell. Harrojnë se shteti gjerman po i strehon me sa të mundet për të mos ndenjur jashtë, siç po rrinë në Greqi, për shembull.
– Konkretisht, si po i pret Gjermania këta njerëz? Fjala kamp duket pak e rëndë, aq më tepër, e lidhur me Gjermaninë…
– Gjermania i ka pritur e strehuar të gjithë! Kuptohet se nuk do të lëshojë vetë gjermani shtëpinë e tij e të strehojë të ardhurit, por ka patur shtëpi që u janë lëshuar shërbimeve sociale për t’u përdorur për këta njerëz. Ka edhe vende të tjera ku shumë gjermanë kanë strehuar njerëz nëpër shtëpitë e tyre. Pjesa tjetër e atyre që kanë ardhur, jetojnë nëpër qendra provizore të ngritura për t’i strehuar, që janë si banesat e zakonshme, me të gjitha kushtet, por kjo s’duhet kuptuar si kampet e përqendrimit. Situata në Gjermani me azilkërkuesit tani ka filluar t’i ngjajë asaj që ndodhi në luftën e Kosovës, kështu që në disa vende, njerëzit janë strehuar edhe nëpër çadra.
– Me çfarë problemesh konkrete po përballen këta njerëz sot?
– Problemet me të cilat përballen azilantët janë gjuha, kultura e dobët, vjedhjet, në disa raste edhe arroganca me autoritetet pritëse, sherret me njëri-tjetrin, me të huajt e sidomos me sirianët, mosmbajtja pastër e ambienteve ku jetojnë, mendjemadhësia e shumë gjëra të tjera negative.
– Cila është kombësia që mbizotëron dhe a janë përfshirë shqiptarët në situata konfliktuale?
– Shumica përbëhet nga sirianët dhe në disa vende të Gjermanisë ka patur edhe përplasje fizike me shqiptarët.
– Sa pagesë marrin azilantët dhe për sa kohë zgjat ajo?
– Azilantët marrin nga 325 euro për person në muaj, të cilat i përdorin për ushqim dhe që janë të mjaftueshme, bile një pjesë e mirë dërgojnë para në familjet e tyre në Shqipëri. Siç pohoi sot edhe Ministri i Brendshëm gjerman, paga e një azilanti është sa rroga e një polici në Shqipëri e Kosovë.
– Tjetër, çfarë u ofrohet atyre?
– Azilantët kanë strehim e akomodim, kanë shëndetësinë dhe operacionet falas, bashkë me ilaçet. Një herë në javë, kush do, merr ushqime e veshmbathje nga Caritasi e kisha, u organizohen edhe kurse për gjuhën, por asnjë s’ka interes… Shumica e të ardhurve kërkojnë takime të shpeshta me mjekë, kërkojnë të bëjnë skanera, eko, grafi dhe në shumë raste, kërkojnë me çdo kusht të jenë të sëmurë, pasi sipas tyre, po të jesh sëmurë, të mbajnë në Gjermani. Një pjesë kërkojnë të heqin mbushjet e vjetra të dhëmbëve e t’u vihet mbushje e re, me mentalitetin “jemi që jemi, t’i bëjmë të gjitha”, duke mos u lënë radhë të sëmurëve të vërtetë.
– A është e vërtetë se shumica e këtyre njerëzve rrezikojnë të rikthehen në atdhe? Çfarë politike po ndiqet dhe cilët kanë më shumë shanse për të përfituar azil në Gjermani?
– Shancet për të fituar azil janë shumë të pakta dhe sipas mediave dhe autoriteteve të këtushme, të gjithë kanë për t’u kthyer, me përjashtim të atyre që kanë mundësi të integrohen, pra, ta përballojnë vetë jetesën.
– Fakti që njerëzit vzhdojnë të ikin, në fund të fundit, pa një pengesë, i ka shtyrë shumë vetë të mendojnë se kjo është një politikë e shtetit gjerman për tërheqje emigrantësh. A mund të jetë e vërtetë kjo dhe, nëse po, për çfarë arsyeje mund të ndodhë?
– Vërtet Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, por kjo s’do të thotë se ka nevojë për punë krahu. Këtu ka nevojë për mjekë, infermierë, inxhinierë, por edhe ata do t’u nënshtrohen testimeve të ndryshme. Nuk mund të punojë askush as mjek e as infermier nëse nuk di gjuhën gjermane, por edhe kjo bëhet nëpërmjet ambasadës gjermane në Shqipëri.
– Ç’është shqyrtimi me procedurë të shpejtuar që u bëhet azilantëve?
– Në të vërtetë, procedurat janë të ngadalta, për shkak të fluksit të madh dhe kjo ka bërë që edhe të vonohet kthimi i tyre.
– Ju vetë, çfarë do t’u këshillonit të gjithë atyre që po mendojnë të nisën për në Gjermani e të kërkojnë azil atje? Duhet ta bëjnë apo jo dhe pse?
– Vetëm humbasin kohën kot, se të gjithë do të kthehen. Të paktën, këtë e them nga ajo që flitet në media e organet qeverisëse vendore.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kristin Prengaj: Nuk janë për mua flirtimet!

Next Post

Zbulohet në Brazil fosili i një gjarpri me katër këmbë

Advertisement