Ndërkohë që shumica e njerëzve sot në botë vuajnë për të plotësuar nevojat më thelbësore të jetesës, ka disa që notojnë në luks dhe mund të konsumojnë ushqime e kokteje që kushtojnë mijëra dollarë, ose të blejnë makina që kushtojnë miliona. Për shembull, një pikturë e Pikasos u shit kohët e fundit 179 milionë $ dhe një skulpturë e Xhakometit, 141 milionë $. Ja një listë e gjërave më të shtrenjta që mund të blihen sot në botë:
1. Piktura më e shtrenjtë moderne
Në 11 maj 2015, piktura e Pikasos, “Gratë e Algjerit” u shit për 179.3 milionë $ në një ankand të firmës Kristi, në Nju Jork, një rekord ky për pikturën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në një ankand.
2. Skulptura më e shtrenjtë e shitur në ankand
Po në të njëjtën ditë, skulptura e Alberto Xhakometit, me madhësi natyrale, “Njeriu që tregon me gisht”, u shit më shumë se 141 milionë $ nga firma Kristi, në Nju Jork, duke fituar titullin e skulpturës më të shtrenjtë.
3. Makina më e shtrenjtë
Firma Bloomberg deklaroi se, në tetor 2013, një blerës i panjohur bleu një makinë Ferrari 250 GTO garash, të vitit 1963, për 52 milionë $, duke e bërë atë makinën më të shtrenjtë në botë. Makina më parë i përkiste Pol Papalardos, një koleksionuesi në Konektikat, SHBA.
4. Pica më e shtrenjtë
Një picë me trufë të bardhë u shit për 150 $ në restorantin e shefit Gordon Ramsei, Labirinti, në Londër. Kjo picë me brumë të hollë ka sipër pure qepësh, djathë italian fontina, mocarela, proshutë, kërpudha, një lloj sallate japoneze (e ngjashme me rukolën) dhe trufën e bardhë e të rrallë italiane.
5. Supa më e shtrenjtë
Në restorantin Kai Mayfair në Londër serviret supa me emër “Buda kërcen mbi mur” për 190$. Supa ka shumë përbërës, si kreshtë peshkaqeni, lloje të ndryshme guackash deti, kërpudha japoneze, kastravec deti, mish pule, proshutë kineze, mish derri dhe xhinseng.
6. Pulla më e shtrenjtë
Një firmë ankandesh nga Gjeneva, Zvicër, ka shitur pullën e verdhë suedeze “Treskilling” me një vlerë 2.3 milionë $, më 8 nëntor 1996. Kjo pullë e verdhë tre-shilingëshe, e vitit 1857, nga e cila ka mbetur vetëm një ekzemplar, u shit më vonë në vitin 2010 për një çmim edhe më të lartë, të panjohur.
7. Veshja e filmit më e shtrenjtë
Fustani i zi, i veshur nga Odrei Hepbërn në filmin e vitit 1961, “Mëngjes në Tifani” (Brekfast at Tiffany‘s), u shit në ankand për vlerën 924 347 $, në Londër, më 5 dhjetor 2006. Fustani ishte dizenjuar nga stilisti Hubert de Givenchy.
8. Instrumenti më i shtrenjë muzikor, i shitur në ankand
Firma Tarisio Auctions shiti një violinë Stradivarius, të quajtur Lady Blunt, me një vlerë prej 15.9 milionë dollarësh në një ankand, në Londër, më 20 qershor 2011.
9. Dorashka më e shtrenjtë
Një dorashkë që i përkiste “mbretit të popit”, Majkëll Xheksonit, u shit në një ankand në Manhatan për 420 mijë $, më 21 nëntor 2009. Dorashka u ble nga resorti Ponte 16, Nju Jork, SHBA.
10. Sushi më i shtrenjtë
Shefi Anhelito Araneta i Riu, nga Filipinet, përgatiti në vitin 2010 sushin më të shtrenjtë, që kushtonte 1978 $. Nigiri sushi ishte zbukuruar me diamantë dhe qe mbështjellë me një fletë ari 24 karatëshe.
11. Piktura më e shtrenjtë, e vjetër
Piktura me titull “Masakra e të pafajshmëve”, e pikturuar nga mjeshtri i vjetër flamand, Peter Pol Rubens, iu shit Keneth Tomsonit, pronar i gazetës “Tomson”, për shumën 76.7 milionë $, më 10 korrik 2002.
12. Peshku ton më i shtrenjtë
Një peshk ton me kreshtë blu, i kapur në Aomori, Japoni, u shit në një ankand për 1.8 milionë $, në tregun e peshkut Tsukiji, Tokio, më 5 janar 2013. Peshku peshonte 222 kg.
13. Parfumi më i shtrenjtë
Clive Christian No. 1, një parfum për burra, ose No. 1 për gratë u hodh në treg në Londër, në nëntor 2005. Koleksioni i kufizuar u shit 205 mijë $ për një shishe 500 ml. Parfumi ishte paketuar në shishka prej kristali Baccarati, të cilat ishin zbukuruar me një diamant 5 karatësh të bardhë dhe me një fjongo prej ari 18 karatësh.
14. Makina e vjetër më e shtrenjtë
Makina më e vjetër Rolls Royce u shit për 7.2 milionë $ në një ankand në Londër, më 3 dhjetor 2007. Makina me dy vende, me targë 20154, ishte prodhuar në vitin 1904.
15. Koktejli më i shtrenjtë
Në Klubin 23, në Melburn, Australi, u shit koktejli më i shtrenjtë për 12 970$, më 7 shkurt 2013. Ky koktejl, i përgatitur nga Xhoel Hefernan, ishte përgatitur me konjakun Croiset 1858, “Cuvee Leonie”.
16. Puthja më e shtrenjtë e shitur në ankand
Joni Rim, një grua amerikane, pagoi 50 000$ për të marrë një puthje nga aktorja hollivudiane, Sharon Stoun. Puthja u shit në ankand në Los Anxheles, SHBA, në gusht 2003.
17. Vera e bardhë më e shtrenjtë
Shoqëria e verërave The Antique VVine Company, në Londër, shiti një shishe vere të bardhë Chateau d’Yquem (1811), për vlerën 117 mijë $, më 8 janar 2011. Vera u ble nga Kristian Vaneke, nga Indonezia.
18. Teleskopi më i shtrenjtë
Teleskopi hapësinor Hubble, më i shtrenjti në botë, i lançuar nga NASA më 1990, ka kushtuar 2.1 miliardë $.
19. Banja më e shtrenjtë
Banja më e shtrenjtë u ndërtua nga Lam Sai-vving, nga Hong Kongu, në janar 2001. Ajo ishte ndërtuar me ar, zafirë, rubinë e qelibar dhe i kushtoi Sai-vvingut 3.5 milionë $.
20. Haviari më i shtrenjtë
Almasi, një haviar i prodhuar nga peshku beluga iranian, kushton 34 500$ për kilogram. Ky haviar, i quajtur edhe “ari i zi”, prodhohet nga vezët e peshkut bli të rrallë albino që është 60-100 vjeç i vjetër.
21. Shtëpia më e shtrenjtë
Industrialisti indian Mukesh Ambani, ka ndërtuar në Bombei, Maharashtra shtëpinë më të shtrenjtë në botë. Ndërtimi i saj ka kushtuar 1 miliard $. Shtëpia 27 katëshe ka një sipërfaqe prej 37 161 metrash katrorë dhe menaxhohet nga një staf prej 600 njerëzish.