– Jam e shqetësuar sepse jam 22 vjeçe dhe fle akoma me mamin tim. Më vjen shumë turp ta pranoj këtë gjë, por frikësohem shumë kur fle vetëm. Edhe kur jam vetëm, duhet të ndez ndonjë qiri ose të lë ndonjë dritë ndezur, sepse nuk e bëj gjumin e mirë. Shpesh, motra më e madh më thotë se i kam ndarë mamin me babin. Si me shaka ma thotë, por unë ndihem keq sepse babi fle në kuzhinë, kurse unë në dhomë me mamin. Ju lutem, më thoni si të veproj? Frika që kam më bën të fle me mamin. A është sëmundje kjo gjë?
Borana Marku, psikologe: – E nderuar lexuese, terroret e natës janë një çrregullim gjumi dhe individi, për shkak të tyre, zgjohet në një gjendje të tmerruar. Kjo sjell si pasojë edhe frikën për të fjetur vetëm dhe nevojën për të qenë gjithmonë në praninë e dikujt tjetër gjatë natës. Shkaqet e këtyre terroreve mund të jenë të ndryshme, në varësi të moshës dhe, zakonisht, shoqërohen me frikë, mungesë gjumi, periudha tensioni, stresi ose konflikti. Terroret ngjajnë me ankthet e natës, por këto të fundit ndodhin në një fazë të ndryshme të gjumit dhe përfshijnë ëndrra të frikshme apo të pakëndshme, të cilat kujtohen pas zgjimit dhe nuk krijojnë çorientim, ndërsa terroret e natës ndodhin zakonisht në gjysmën e parë të natës dhe fëmija mund të zgjohet duke ulëritur, pa qenë në gjendje të sjellë ndërmend detaje të eksperiencës frikësuese. Mbani mend të keni kaluar situata të tilla në fëmijërinë tuaj? Për këtë, mund të konsultoheni edhe me prindërit…
E bëra këtë krahasim pasi ju nuk shkruani se si ka ndodhur që jeni pushtuar nga kjo frikë për të fjetur vetëm. Nëse marrim te mirëqenë se ka qenë një terror, nuk kërkohet ndonjë ekzaminim specifik për gjendjen në të cilën ndodheni, ndërsa nëse terroret përsëriten dhe ashpërsohen, është i nevojshëm një vlerësim psikologjik.
Në raste si i juaji, nuk rekomandohet trajtimi me medikamente. Personi që vuan nga ky problem, ka nevojë për rehati dhe risigurim. Gjithashtu, do t’ju këshilloja të rregulloni zakonet tuaja të gjumit, pasi ndoshta kjo frikë që keni, mund të jetë thjesht pasojë e faktit që ju nuk flini rehat, për arsye të ndryshme. Duke bërë sasinë e mjaftueshme të gjumit për moshën dhe duke reduktuar streset në jetën tuaj, gjendja juaj do të përmirësohet me siguri. Informacioni që ju kam dhënë më sipër është vetëm një ide se cili mund të jetë shqetësimi juaj, por do të preferoja të takonit një psikolog për një gjykim dhe trajtim më të saktë, si edhe për të rifituar besimin në vetvete. Ju uroj gjithë të mirat, duke ju kujtuar se çdo problem e ka zgjidhjen e tij.
Advertisement