Ja, metodat e tyre për lehtësimin e saj…
Kur një dhimbje e fortë koke i kushtoi Serena Uilliamsit humbjen e finales së turneut të tenisit, ajo mësoi se migrena e saj kishte lidhje me ciklin menstrual. “Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për migrenat menstruale, thotë ajo. Gjatë gjithë kësaj kohe kisha menduar se ishte një migrenë e zakonshme”. Afro 60% e grave me migrenë thonë se dhimbja përkeqësohet gjatë ciklit menstrual. Shkak për këtë mund të jenë hormonet dhe mjeku mund të sugjerojë ilaçe për të ekuilibruar nivelin hormonal. Migrenat prekin më shumë gratë, por prej saj vuajnë edhe afro 6% e burrave. Ja cilët janë VIP-at që vuajnë nga migrena dhe metodat që përdorin ata për lehtësimin e saj…
Ben Aflek
Në vitin 2006, aktori dhe regjisori Ben Aflek pati një migrenë aq të fortë, sa u detyrua të shkonte në spital. “Në atë kohë isha aq i zënë me punë, sa nuk më dilte koha as për të fjetur”, thotë Afleku. Një gjumë i rregullt është i rëndësishëm për parandalimin e migrenës. Duhet vajtur në shtrat në të njëjtën orë, edhe gjatë fundjavës.
Liza Kudrou
Vajtja në Disneyland zakonisht lë pas kujtime të bukura dhe buzëqeshje, por kjo nuk ka ndodhur me aktoren e “Friends”. “Një ditë plot me emocione dhe ushqim gjithmonë më sjell një dhimbje të tmerrshme koke”, thotë ajo. I ati dhe vëllezërit e Kudrout gjithashtu e njohin mirë migrenën, e cila zakonisht është sëmundje që trashëgohet. Fëmijët kanë 50-75% mundësi për të vuajtur nga migrena, nëse edhe prindërit e tyre vuajnë prej saj. Nëse njihni historikun e familjes në lidhje me këtë sëmundje, kjo mund të ndihmojë doktorin tuaj për të gjetur trajtimin e duhur.
Marsia Kros
Aktorja Marsia Kros duket një perfeksioniste e pandalshme në rolin e Bri Van de Kamp, në serialin “Shtëpiakët e dëshpëruara”, por kur kamerat fiken, ajo lufton kundër migrenës. “Dikur e kisha të pamundur të punoja me një dhimbje të fortë koke. Më vinte për të vjellë dhe më turbullohej shikimi”, thotë ajo. Krosi është bërë përfaqësuese e ilaçit triptan që përdoret kundër migrenës. Ai redukton dhimbjen dhe ndjesinë e të vjellave, duke ngushtuar enët e gjakut.
Xhenet Xhekson
Në vitin 2008, këngëtarja Xhenet Xhekson anuloi një seri koncertesh sepse po vuante nga migrena vestibulare. Këto lloj migrenash shoqërohen me marrje mendsh, një ndjesi sikur dhoma të vjen vërdallë. Mund të bezdisin edhe drita e fortë dhe tingujt e lartë. Afro 30% e njerëzve që vuajnë nga migrena kanë edhe marrje mendsh. Migrenat vestibulare trajtohen si migrenat e tjera, me ilaçe dhe duke evituar shkaktarët e dhimbjes së kokës.
Kristin Çenoueth
Aktorja dhe këngëtarja Kristin Çenoueth vuajti nga migrena pasi fitoi çmimin Emy në vitin 2009. Atëherë, doktori i saj i sugjeroi të përdorte botoks. “Që prej asaj kohe nuk kam pasur më dhimbje të fortë koke”, thotë ajo. Botoksi mund të përdoret nga njerëzit që kanë 15 ose më shumë raste migrene në muaj, por ai mund të mos shërojë krejtësisht. Studimet tregojnë se botoksi bën vetëm një lehtësim të vogël të dhimbjes së kokës.
Karli Simon
Kur fituesja e çmimit Grammy, Karli Simon deklaroi “nuk kam kohë për dhimbjet”, ajo nuk i referohej migrenës, por mund t’i referohej shumë mirë edhe asaj. Simoni ka bërë shumë ndryshime në stilin e saj të jetës për të parandaluar dhimbjet e kokës. “Unë nuk pi duhan, fle tetë orë dhe nuk pi as kafe”, thotë ajo. Ajo gjithashtu eviton alkoolin, i cili është shkaktar i dhimbjeve te disa njerëz. Sidomos vera e kuqe duket se është nxitëse e migrenës.
Sindi Mekein
Gruaja e senatorit Xhon Mekein, e ka përshkruar dhimbjen e saj nga migrena si një torturë. “Duket sikur dikush të qëllon me një sëpatë në ballë”, ka thënë ajo. Krizat ishin të forta sidomos gjatë fushatës presidenciale të senatorit Xhon Mekein, në vitin 2008. Dritat e forta të kamerave shpesh i shkaktonin asaj dhimbje koke. “Syzet e diellit janë miku më i mirë për ata që vuajnë nga migrena”, thotë Sindi.
Troi Aikman
Sportisti i futbollit amerikan Troi Aikman filloi të kishte dhimbje koke kur ishte fëmijë. “Të gjithë ata që i kanë në profesion goditjet, kanë dhimbje koke, por askush nuk e përmend këtë gjë”, thotë Aikmani. Udhëtimet e vazhdueshme dhe mungesa e gjumit e përkeqësojnë situatën. Migrena ndryshon sipas njerëzve, por udhëtimet mund të çrregullojnë rutinën tuaj të përditshme dhe të shkaktojnë migrena. Atë mund ta shkaktojnë edhe ndryshimet e motit ose nëse ju zë makina.
Ela Makperson
Për të evituar migrenën, ndërkohë që punon nën dritën e projektorëve, topmodelja përdor akupunkturën. “Unë bëj akupunkturë rregullisht“, thotë ajo. Një studim i vitit 2009, ku përmblidheshin rezultatet e 22 studimeve të bëra për akupunkturën, zbuloi se ata njerëz që e përdornin atë si metodë mjekësore kishin më pak dhimbje koke. Të tjerët, që e përdornin në vend të ilaçeve, gjenin më shumë lehtësim prej saj sesa ata që merrnin ilaçe. Akupunktura mund të përmirësojë humorin e gjumin dhe të reduktojë shkaktarët, siç është ankthi.
Terrel Devis
Dhimbjet e kokës e lanë në stol lojtarin amerikan të bejzbollit gjatë finales së vitit 1998. “Unë i shihja gjërat dyfish dhe trefish”, thotë ai. Pasi mori një ilaç, ai arriti të shënonte dhe të shpallej lojtari më i mirë në fushë. Kur filloi të kishte migrena, Dejvisi nuk i tregoi askujt. “Mendoja se njerëzit do të më konsideronin të çmendur”, thotë ai. Tani ai eviton ushqimet që mund të shkaktojnë dhimbje koke, si çokollatën, kafeinën dhe aditivin MSG, që gjendet nëpër ushqime.
Kareem Abdul-Jabbar
Basketbollisti legjendar Kareem Abdul-Jabbar ia hedh fajin stresit për dhimbjen e tij të kokës. Stresi mund të shkaktojë kontraktimin e muskujve të qafës dhe lëkurës së kokës, duke shkaktuar dhimbje koke dhe migrena. Qëkur vuajti nga migrenat e para, në moshën 14 vjeçare, ai ka përdorur metoda të shumta për luftimin e tyre, si jogën, akupunkturën, masazhin dhe një metodë të quajtur “biofeedback”. “Stresin nuk e eliminon dot, por më në fund, kam qenë i aftë ta mbaj atë nën kontroll”, shprehet ai.
Mishelë Bahman
Kongresmenia amerikane Mishelë Bahman, ka folur për migrenën e saj kur ishte në fushatën presidenciale të vitit 2011. Ajo tha se migrenat “mund t’i mbash lehtë nën kontroll me ilaçe” dhe se ato nuk e pengonin të bënte punën e saj. Shumë njerëz me migrenë vuajnë prej saj në punë. Është e rëndësishme të ndiqni këshillat e doktorit dhe të ndihmoni parandalimin dhe trajtimin e tyre.
Suzan Olsen
Aktorja amerikane ka folur hapur për migrenat e saj. “Kur pësova mingrenën e parë, në moshën 11 vjeçare, doktori im më puthi në ballë dhe më tha se isha shumë e vetëdijshme”, i kujtohet asaj. Ajo merr triptan për ta mbajtur nën kontroll migrenën. Afro 10% e fëmijëve nën 15 vjeç kanë vuajtur prej saj dhe më shumë se gjysma prej tyre do të vazhdojnë të vuajnë prej saj edhe në moshë të rritur.
Të reja
Gratë që duan 2 fëmijë, duhet t’i fillojnë në moshën 27 vjeçare
Duke u bazuar në analizën e të dhënave mbi pjellorinë e 58 mijë grave, ekspertët kanë krijuar një program kompjuterik për të sugjeruar se kur duhet të fillojnë të provojnë gratë të bëjnë fëmijë.
Profesori Alan Pasei nga Universiteti i Shefildit, ekspert mbi pjellorinë, ka thënë: “Ne duhet të marrim parasysh faktorin se njerëzit nuk i bëjnë fëmijët shumë afër njëri me tjetrin. Kjo do të thotë se, nëse doni tre fëmijë, nuk mund të prisni deri në moshën 35 vjeçare, por duhet të filloni herët, që të jeni më të sigurta”. Profesori thotë se programi ka për qëllim t’i mësojë të rinjtë “si ta planifikojnë jetën e tyre”. “Të gjithë mendojnë se kemi kohë, por ky program tregon se nuk kemi edhe aq”. Tabela e përpunuar tregon se në ç‘moshë duhet të fillojë të provojë një grua që të ketë 90%, 75% dhe 50% sukses për të pasur fëmijë, në varësi të familjes që do dhe nëse do të përdorë metodat artificiale.
Studimi tregoi se shtatzania mbetet një mundësi për gratë në fillim të të 40-tave, me mundësinë e ngjizjes me 50%. Ai tregoi gjithashtu se problemet e pjellorisë i prekin burrat vetëm nga fundi i të 40-ave. Kështu, programi tregoi se gratë që duan të paktën tre fëmijë duhet të fillojnë përpjekjet për t’i bërë ata duke filluar nga mosha 23 vjeçare. Ato që duan dy fëmijë, duhet të fillojnë nga mosha 27 vjeçare, ndërsa ato që duan një fëmijë, nga mosha 32 vjeçe, pasi kështu do të kenë shanset maksimale. Studimi është botuar në revistën “New Scientist”.