Blerina Zgjana është këngëtarja me origjinë nga Lushnja që jeton në qytetin e bukur të Korçës, bashkë me fëmijët e saj. E lidhur me muzikën pazgjidhshmërisht, ajo këndon brenda, por edhe jashtë vendit. Këndon vetëm live dhe është e dashuruar pas muzikës popullore, edhe pse zhanret e tjera i këndon po me aq pasion. Blerina vjen në këtë intervistë prezantimi për lexuesit e gazetës tonë, por edhe për ata që e ndjekin atë kudo ku këndon…
Fabjola Kuburi: – Blerina, për ata që ende nuk të njohin, por edhe për ata që të njohin pak, kush është Blerina Zgjana?
Blerina Zgjana: – Jam një vajzë e thjeshtë, e lindur dhe e rritur nga dy prindër të mrekullueshëm nga qyteti i Lushnjes. Jetoj në Korçë dhe punoj shumë jashtë vendit, por edhe këtu nuk janë të pakta eventet ku jam e ftuar. Kam lindur me këngën, po jetoj me këngën dhe dua të jetë pjesë e imja gjithmonë.
– Ti je këngëtare e këngëve popullore, por që këndon aq mirë edhe këngët e lehta. Sa shpesh mund të gjendet një këngëtare që i këndon shumë mirë dy zhanre kaq të ndryshme?
– Është e vështirë të hasësh në këngëtar të mrekullueshëm dhe të vërtetë. Ka këngëtarë që këndojnë shumë mirë këngët e lehta, ka nga ata që i këndojnë shumë mirë ato popullore. Kur i bashkon të dyja, nuk diskutohet që ka vështirësi, por edhe rezultati është shumë i mirë.
– Cili zhanër është më i kërkuar nga dashamirësit e tu?
– Zhanret për mua janë të bukura të gjitha, ama kemi gjak shqiptari dhe shqiptarët duan muzikë popullore. Ajo u mbush shpirtin dhe zemrën me qetësi e lumturi.
– Ku qëndron e bukura dhe e vështira gjatë të kënduarit live për orë të tëra?
– E vështirë është sa të duash sepse ka lodhje shumë të madhe, por është një kënaqësi e jashtëzakonshme kur të duartrokasin, kur të vlerësojnë dhe merr urime nga më të mirat.
– Me klipet si i ke marrëdhëniet?
– I kam në distancë kohore relativisht larg nga njëri-tjetri sepse jam shumë keq me kohën, jam shumë e zënë, kam një axhendë shumë të ngarkuar dhe për shkak të emigrimit e ecejakeve, nuk mungon dëshira, por koha.
– Shumë klipe sjellin konsumimin e shpejtë të një këngëtari apo është e kundërta?
– Kam përshtypjen që duhet të vish në ekran kur ke diçka vërtet shumë të bukur për të sjellë për publikun tënd. Nuk e diskutoj që është mirë edhe të sjellësh sa më shumë këngë.
– Ke një zë shumë të bukur dhe je shumë simpatike. Mendon se mjaftojnë këto për të qenë një këngëtare e suksesshme?
– Për një artist nuk është e lehtë të jetë i bukur fizikisht, por edhe të jetë i suksessshëm në karrierë. Rëndësi ka të jesh i talentuar, pa për t’u zbukuruar, shyqyr Zotit, kemi parukieret që kujdesen për ne. (Qesh)
– Kënga për ty është një kënaqësi shpirtërore, një pasion, apo pasuri materiale?
– Kënga për mua është dashuri, është kënaqësi, është pasion shpiertëror. Ana materiale nuk më ka tunduar ndonjëherë.
– Ke të tjera pasione?
– Pasione kam shumë, jam e gjithanshme.
– Je nënë e një djali dhe e një vajze. Si është Blerina si nënë? Si i ke marrëdhëniet me fëmijët?
– Jam një nënë e qetë, por me situata, jam edhe e rreptë. Kam marrëdhënie të mrekullueshme, jemi si shokë shumë të mirë.
– Familja, shoqëria, puna. Si e menaxhon kohën për të mos lënë pas dore askënd?
– Kam lënë shumë gjëra pas dore sepse kthimi në Shqipëri më ka bërë që të kem shumë punë dhe ndoshta kam anashkaluar pak vëmendjen ndaj familjes, por do ta rikuperoj.
– Çfarë të mungon tani në jetën tënde?
– Dy gjëra kryesore, babai im dhe… është diçka e imja ajo gjëja tjetër. (Buzëqesh)
– Si ndihesh shpirtërisht në këto momente që po flasim?
– Ndihem pak a shumë kështu: “Uhhh, sa e lodhur, por edhe e kënaqur!”.
– A ke ndjekur ndonjë shembull në jetë?
– Kam ndjekur shembullin e babait tim që kishte një karakter të fortë si unë. E kam pasur dhe e kam akoma idhull. Edhe pse nuk e kam fizikisht, e kam me shpirtin e tij të pasqyruar tek unë.
– Deri kur do të këndojë Blerina?
– Deri kur ta tradhtojë zëri i saj.