Puna dhe jeta ime në Belgjikë…
Ajo është e këndshme, e dashur, do muzikën dhe gjithçka që ka të bëjë me muzikën. Jeton jashtë prej vitesh dhe në një mënyrë apo në një tjetër ka realizuar edhe ëndrrën e saj për të kënduar. Bali është organizatore koncertesh dhe spektaklesh në Belgjikë, ndaj miqtë dhe fansat e thërrasin me këtë emër: Bali Belgjikë. Nënë e dy vajzave, Suelës dhe Xhulit, kjo e dyta edhe këngëtare e njohur në art me emrin Miss Xhuli dhe gjyshe e një nipi te mrekullushëm Kleos, Bali vjen në një rrëfim për punën dhe jetën e saj, lidhjen e saj me muzikën dhe gjtihçka tjetër…
Fabjola Kuburi: – Bali, ne njihemi prej kohësh dhe takohemi sot për të bërë një prezantim tëndin me lexuesit e “Intervistës”…
Bali Belgjikë: – Përshëndetje! Është e vërtetë që pjesa më e madhe e atyre që merren me art, me muzikë, më njohin. Unë jam organizatore eventesh në Belgjikë dhe kënga ka qenë pasion që e relalizova sepse m’u dha mundësia. Këngën nuk e kam lidhur me përfitime financiare, por vetëm me dashurinë që kam për këngën. Organizoj koncerte të mëdha, serioze në Belgjikë, aty u bë shtysë edhe vajza ime, këngëtarja Miss Xhuli, që më shtyu më shumë të merresha me muzikë. Nuk kam kënduar asnjëherë nëpër dasma, por vetëm nëpër evente. Ne përveç se jemi organizatore jemi edhe sponsore të koncerteve që realizojmë.
– Ti ke ikur jashtë Shqipërisë para shumë vitesh, apo jo?
– Po, është e vërtetë, ne kemi ikur në ‘91, kemi jetuar në Gjermani për disa vite dhe 1997 kemi ardhur në Shqipëri. Ndenjëm një vit këtu dhe ikëm në Belgjikë në 1999, ku u vendosëm dhe ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Jam nënë e dy vajzave, Suelës dhe Xhulit dhe gjyshja e një nipi të mrekullueshëmn, Kleos. Vajza e madhe është e martuar në Gjermani, kurse unë jetoj në Belgjikë, me Xhulin. Secila në shtëpinë e saj, por jemi afër. (Buzëqesh)
– Si i ke marrëdhëniet me vajzat?
– Unë kam rritur dy mrekulli, Suelën që është jo vetëm e bukur, por edhe femër e kompletuar dhe Xhulin e dashur, të këndshme, vajzë që e do punën.
– Ke qenë nënë e rreptë?
– Kam qenë nënë e përkushtuar për to dhe kjo i ka bërë që më shumë të më respektojnë, sesa të më shohin si të rreptë. Nuk ma kanë bërë asnjëherë fjalën dysh.
– Cila është kënga që ti e këndon me më shumë dashuri?
– Është një këngë që unë e kam realizuar shumë vite më parë, por që nuk pata mundësi ta këndoja në atë kohë, sepse situata nuk ma lejonte, por edhe pse tekstin dhe muzikën e kam krijuar vetë, ua këndoja vajzave kur i vija në gjumë dhe Xhuli e mësoi përmendësh. Kur e kënduam bashkë, doli diçka e bukur sepse të këndosh nënë e bijë një këngë të realizuar nga mami para shumë vitesh, sigurisht që është diçka e ndjerë. Kam edhe një këngë tjetër në dorë, që ka përfunduar në audio, me tekst e orkestrim dhe pret vetëm realizimin. Titullohet “Kjo Shqipëria jonë dikur”, një paralelizëm mes kohës së shkuar dhe të tashmes së Shqipërisë.
– Nuk të kemi parë shpesh në ekran…
– Në momentin që del shpesh, lodh syrin e publikut, humb interesin, materialet e bukura s’mund të jenë aq të shpeshta, s’ka si të bëhen hite të gjitha në kohë rekord. Si rrjedhojë, rezultati do të jetë një figurë që pëson rënie dhe interes në sytë e publikut dhe rrezikon, duke u bërë bajat.
– Çfarë do të thotë për ty të jesh një ndër organizatoret e koncerteve më me emër shqiptare jashtë vendit?
– U bënë kaq vite që jam e rrethuar nga muzikantë të shkëlqyer dhe profesionistë; jam ndjerë e privilegjuar dhe tejet e kënaqur. Në këto vite jam rritur profesionalisht, pasi kam qenë në kontakt intensiv me muzikën e vërtetë. Vitet që merrem me këta artistë bënë punën e tyre, rasti sjell një rast tjetër dhe ja ku jam sot, këtu, duke biseduar me ty për punën time. (Buzëqesh)
– Cili nga personazhet ka qenë më korrekti dhe cili, më pak korrekti?
– Të them të vërtetën, unë i kam marrëdhëniet shumë të mira me të gjithë dhe kanë qenë korrektë, Sinan Hoxha, Artiola Toska, Gjyste Vulaj… Më pak korrektja ose më saktë, ajo që nuk ka qenë fare korrekte ka qenë Poni. Lamë datën e koncertit, preva biletën dhe pa më lajmëruar fare, nuk erdhi. Kjo më ka zhgënjyer shumë.
– Cili zhanër është më i kërkuar nga dashamirësit e tu?
– Muzika popullore dhe ajo e lehtë!
– Vera të ka gjetur me koncerte e këngë në realizim e sipër. Si arrin t’i realizosh të gjitha dhe, a ke bërë pushime apo jo?
– Njeriu kohën ia dedikon kryesisht profesionit që ka dhe, në rastin tim, duke qenë se pjesën më të madhe të kohës e zë muzika, jam mësuar tashmë me menaxhimin e të gjitha projekteve e koncerteve që kërkojnë kohë.
– Vjen shpesh në Shqipëri?
– Shumë shpesh, jam shumë e lidhur me Shqipërinë. Deri para disa muajsh vija më shpesh sepse isha më e lidhur prej mamit tim, ndërsa pas vdekjes së saj, gjë që më ka vrarë shumë, vij më rrallë…
– Je nënë dhe gjyshe madje, elementë të rëndësishëm për të qenë e kompletuar si femër. Nga ana tjetër, një këngëtare dhe organizatore koncertesh e suksesshme… Mund të të konsiderojmë me fat?
– Puna e madhe është ajo që ngre ndërtesën e lartë, pa të, asgjë s’arrihet me jetëgjatësi. E gjitha do të ishte një flesh momental e aty ku do të fillonte, aty edhe do të mbaronte. Sigurisht që edhe fati luan rolin e tij, por fati nuk do të ecte, nëse s’do të punoje për arritjet.
– Sa kujdeset Bali për pamjen e saj?
– Jashtëzakonsiht shumë, më pëlqen të ndihem mirë me veten. Më pëlqen të ndryshoj për aq sa lejon stili im, pasi në momentin që ndryshon lukun duke dalë nga vetja, merr rezultatin e kundërt. Gjithsesi, më pëlqejnë ndryshimet.
– Ndërmjet familjes, shoqërisë dhe punës, si e menaxhon kohën për të mos lënë pas dore askënd?
– Çuditërisht, kohën e gjej për të gjitha. Gjithçka është vrap me një frymë, por që më ka rezultuar i suksesshëm.
– Çfarë të mungon tani në jetën tënde?
– Frytet e punës time i kam marrë, kam një mrekulli si Kleo për nip dhe dy vajza të mrekullueshme. Më mungon mami im, e cila ndërroi jetë disa muaj më parë.
– Si është gjendja shpirtërore e Balit në këto momente që po flasim?
– Përgjithësisht, e mirë!
– Cili është shembulli që ti ke ndjekur në jetë?
– Ai i prindërve të mi. Jam përpjekur të marr më të mirat e të dyve dhe ia kam arritur duke e treguar në rritjen dhe edukimin e vajzave të mia.
– Deri kur do të merresh me organizim spektaklesh?
– Derisa të ndjej energji për ta bërë.
– E shikon jetën tënde pa muzikë?
– As nuk marr mundimin ta përfytyroj.
– Je tip moskokëçarës apo të vrasin fjalët e njerëzve?
– Jam tip që shoh veten time dhe kujdesem për të plotësuar e përmbushur veten.
– Një sekret që nuk e ke thënë…
– Të them të vërtetën, më ka ngel merak të marr vesh se kush është ai që më dërgon lule te shtëpia ime në Belgjikë. Thjesht e lë tufën jashtë derës dhe nuk e shkruan emrin te pusulla. Mirë do ishte të na thoshte emrin… (Buzëqesh)