Ajo është shumë e lidhur me muzikën popullore, ku edhe e shpreh veten më mirë. I pëlqejnë bashkëpunimet dhe dëshiron të ketë një të tillë edhe në sezonet në vijim. Adelina Dodaj, këngëtarja bukuroshe vjen në një rrëfim për jetën, muzikën e lumturinë që i ka dhuruar djali i saj Destani dhe shumë gjëra të tjera të cilat këngëtarja na i ka rrëfyer në intervistën në vazhdim…

 

Fabjola Kuburi: – Adelinë, ta nisim këtë intervistë me hapat e para në muzikë… Si i hyre muzikës, e kërkove ti apo erdhi ajo në jetën tënde?

Adelina Dodaj: – Hapat e parë në muzikë i kam nisur që në vegjëli, në qytetin tim të lindjes, Rrëshen. Aty e nisa… Më pas, me kalimin e viteve fillova të perfeksionoja zërin, performancën, sepse praktika gjithmonë i realizon gjërat më mirë. Mund të them që me muzikën kemi gjetur njëra-tjetrën.

– Kur të takon për herë të parë, përshtypja që të krijohet është ajo e një femre miqësore dhe të dashur. Sa vlen ky nocion në ditët e sotme?

– Kam përshtypjen, ashtu siç krijove ti për mua përshtypjen e parë, se me njerëz që e meritojnë, ia vlen gjithmonë të jesh miqësore.

– Cila është kënga e parë që ke kënduar në publik?

– Ah, sa kujtime të bukura që më solle në mendje! Kënga e parë që kam kënduar në publik ka qenë “Ja, na erdhi Viti i Ri”, me grupin e fëmijëve të klasës së parë. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm.

– A ka një rrymë muzikore, me të cilën ti je shumë e lidhur dhe një, në të cilën nuk do të këndoje asnjëherë?

– Jam shumë e lidhur me muzikën popullore; aty e gjej veten time plotësisht. Çdo rrymë është e bukur në mënyrën e saj, por unë nuk do të tentoja asnjëherë në zhanrin e muzikës klasike.

– Çfarë gjete në muzikë, mikpritjen që prisje apo vetëm bërryla?

– Gjeta pak nga të dyja, ashtu si në gjithçka tjetër në jetë.

– Adelinë, ti mban një emër që është goxha i njohur në artin tonë. Shumë femra me këtë emër janë të suksesshme në muzikë. Je e kënaqur me emrin që mban?

– Sigurisht që po. Përveç faktit që ky emër është i suksesshëm në muzikë, unë e kam dhuratë nga prindërit e mi, të cilët janë mrekullia ime në këtë jetë.

– Kush të këshillon apo të bën kritika më shumë?

– Kam një këshilluese dhe një kritikuese të tmerrshme në të njëjtën kohë. (Qesh) Është motra ime dhe mikesha ime, një Enxhi Vlashi, që ç’të të them! (Buzëqesh)

– Cili do të ishte bashkëpunimi ideal për ty, apo nuk të tërheqin shumë bashkëpunimet?

– Të them të vërtetën, bashkëpunimet më pëlqejnë dhe me to kam ngelur gjithmonë e kënaqur. Për këtë arsye, patjetër që do të bëja përsëri bashkëpunim. Kam qenë gjithmonë e mendimit që bashkëpunimet janë të suksesshme sepse gërshetohen talentet e të dy këngëtarëve që bashkëpunojnë dhe merret më e mira e mundshme. Për momentin, nuk kam ndonjë emër konkret, por shumë shpejt besoj se do ta kem një projekt të tillë.

– Në muzikë, si kudo, ka xhelozi e zili. Ti, si natyrë miqësore, besoj se i ke marrëdhëniet e mira me koleget…

– Faleminderit për vlerësimin. Kam marrdhënie normale, relativisht të mira.

– Ke ndonjë që nuk e ke shumë qejf?

– Po, por nuk them dot emra. (Qesh)

– Ti je nënë e një djali të vogël… Më trego pak, je një nënë e rreptë apo e dashur?

– Mendoj se jam një mami shumë e dashur. Pjesën e rreptësisë nuk e kam provuar akoma se Destani im është akoma shumë i vogël. Të qenit nënë ka ndryshuar shumë gjëra tek unë, sidomos më ka bërë më të ndjeshme.

– Na trego ndonjë ngjarje  mes teje dhe djalit që, sa herë e kujton, qesh…

– Ah, ngjarje të tilla kam plot; çdo ditë është një ngjarje e re dhe e bukur me djalin tim. Unë jam e bekuar me të.

– Cilat momente quan ti të lumtura?

– Momentet e mia të lumtura nisin që në momentin që prindërit më kanë sjellë në jetë, martesa ime dhe momenti më i bukur, më i lumtur për mua, lindja e djalit tim.

– Si është një 24-orësh i Adelina Dodajt?

– Nis me Destanin tim dhe përfundon po me Destanin tim. Ai është dashuri, është gjithë jeta ime!

– Çfarë bluhet në aspirat e tua?

– Të realizoj një koncert recital, të tërin nën firmën time.

– Çfarë do ishe sot, nëse nuk do të ishe bërë këngëtare?

– Do të isha një volejbolliste mjaft e mirë.

– Adelinë,  cila është kënga që ti e këndon me dashurinë më të madhe?

– Ka shumë këngë që i këndoj me dashuri, por me më shumë dashuri këndoj ninullat e djalit.

– A ka një tingull me të cilin zgjohesh në mëngjes?

– Po, është tingulli i mrekullueshëm të zërit të Destanit tim.

– Është e vështirë të bashkërendosh si duhet karrierën dhe familjen. Ti, si e ke bërë këtë, duke mos humbur përkujdesjen për asnjërën?

– Nëse tregon pak kujdes në menaxhimin e kohës, në mirëmenaxhimin e saj, më saktë, nuk ka gjë që nuk realizohet.

– Ndihesh e realizuar deri këtu ku je tani, si në profesion, ashtu edhe në jetë?

– Ndihem një femër e realizuar dhe e plotësuar në të gjitha pikëpamjet. Shkurt e saktë, jam shumë e lumtur.

– Adelinë, a lamë ndonjë gjë pa thënë?

– Pas shumë kohësh mungesë, unë do të vij shumë shpejt me një klip të ri dhe pas tij, do të ketë shumë surpriza të tjera. Ishte kënaqësi të bëhesha pjesë e gazetës suaj. Faleminderit dhe punë të mbarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here