Anija kozmike amerikane, New Horizons, i afrohet Plutonit, mbi sipërfaqen e të cilit pritet të fluturojë më 14 korrik, pas një udhëtimi prej 9 vjetësh dhe 5 miliardë kilometrash të përshkuar.
Pas Rozetës dhe Tchurit, Dawn dhe Ceres, është radha e anijes kozmike, New Horizons, të sillet rrotull Plutonit. Kjo anije kozmike që u lëshua nga Nasa para 9 vjetësh, do të fluturojë mbi sipërfaqen e planetit misterioz xhuxh më 14 korrik; një fluturim historik, shumë i pritur nga shkencëtarët.
Plutoni mbetet ende një planet xhuxh misterioz. Ai zotëron një atmosferë të përbërë nga azoti, ka një sistem të ndërlikuar stinësh, karakteristika gjeologjike të veçanta dhe është i përbërë kryesisht nga shkëmbinjtë dhe akulli. Ai është i vetmi “trup qiellor kryesisht i formuar nga akujt, ndër trupat shkëmborë ose të gaztë të Sistemit tonë Diellor”, thonë specialistët. Ai mund të zotërojë një oqean uji nën shtresën e trashë të akullit, ashtu si sateliti i tij, Sharoni, ose mund të ketë një atmosferë. Anija ka marrë me vete një pjesë të hirit të astronomit amerikan, Klajd Tombag, që zbuloi Plutonin më 1930. Në fillim, Plutoni konsiderohej si planeti i 9-të i sistemit tonë diellor. Ai rrotullohet rreth Diellit brenda një kohe prej 247,7 vitesh tokësore. Megjithatë, në vitin 2006, Unioni Astronomik Ndërkombëtar e hoqi nga kategoria e planetëve të mëdhenj dhe e futi në atë të planetëve xhuxhë, për shkak të madhësisë së tij të vogël. Me një diametër prej 2300 km, ai është më i vogël se Hëna jonë dhe ka një masë 500 herë më të vogël se ajo e Tokës.
Plutoni dhe 5 satelitët e tij
Madhësia e tij është një nga shkaqet që shpjegojnë “baletin e çuditshëm” që bën Plutoni me pesë satelitët e tij. Sigurisht, ai është më i madhi i “bandës”, por jo aq sa çifti i formuar me Sharonin, satelitin e tij kryesor, të ketë atë lidhje të fortë që ka Toka me Hënën. Me një fjalë, qendra e gravitetit mbi të cilën Sharoni sillet rrotull Plutonit, ndodhet jashtë këtij të fundit. Ata të dy krijojnë ndikime gravitacionale të ndryshueshme, që bëjnë të pamundur përcaktimin e pozicioneve respektive të satelitëve të tjerë, Hidrës, Niksit, Stiksit dhe Kerberit. Duke iu afruar Plutonit, New Horizons nuk zbuloi satelitë të tjerë, përveç atyre të zbuluar nga teleskopi Hubble këta vitet e fundit. “Fakti që nuk u zbuluan satelitë të tjerë, ose unaza pluhuri kozmik ishte pak surprizë”, thotë njëri nga përgjegjësit e misionit. Nga fotot e dërguara nga anija më 2 korrik, shihen përgjatë ekuatorit një seri njollash të errëta, me 480 km diametër secila, me një distancë të rregullt nga njëra-tjetra, një enigmë që shkencëtarët presin ta zbulojnë. Gjithashtu u vunë re ndryshime të mëdha në ngjyra dhe pamje mes Plutonit dhe Sharonit, i cili është i errët dhe gri.
Udhëtimi i New Horizons nuk do të ndalet këtu. Pas Plutonit, anija kozmike do të vazhdojë udhëtimin e saj për t’iu afruar objekteve të tjera të brezit të Kuiperit, një grumbullim i gjerë mbeturinash të objekteve kozmike përtej orbitës së Neptunit, të krijuar nga lindja e Sistemit tonë Diellor, para 4,6 miliardë vitesh. Falë teleskopit Hubble, anija ka identifikuar tre objekte interesantë që ajo mund të vizitojë. Ato kanë një diametër që shkon nga 25-55 km dhe ndodhen afro 1.5 miliardë km larg Plutonit.