Sapo ka përfunduar edicioni i sivjetshëm i Miss Shqipëria 2015 ku u kurorëzua Sara Karaj, një bukuroshe shqiptare e cila është larguar që e vogël në moshë nga Shqipëria. Por, jetesa në Angli nuk ia ka shuar bukuroshes dëshirën për të marrë pjesë në konkurset e bukurisë shqiptare. Të gjithë ne kemi kuriozitet të dimë më shumë për vajzën me fizikun e përsosur dhe buzëqeshjen e veçantë, që bëri për vete jo vetëm jurinë, por edhe publikun. Le ta zbulojmë së bashku në këtë intervistë…
Arlis Alikaj: – Përshëndetje Sara! Si ndihet vajza më e bukur e Shqipërisë kur mban në kokë këtë kurorë?
Sara Karaj: – Marrja e kurorës më lumturoi pa masë. Më bëri të ndjeja një emocion të veçantë. Edhe pse jam larguar që në moshën dy vjeçare nga Shqipëria, kjo kurorë më bëri të ndihem më krenare dhe e lidhur me vendin tim.
– Mendon vërtet se ishe më e bukura aty?
– Për mua, të gjitha konkurrentet ishin shumë të bukura.
– Çfarë cilësish mendon se të bënë ta merrje ti kurorën? Ku ndryshoje ti nga konkurrentet e tjera?
– Unë kam një karakter të fortë, besoj se kjo është një cilësi që më dha shumë pikë. E kam pasur shumë pasion skenën që në fëmijëri dhe mendoj që e kam reflektuar shumë këtë gjë në natën finale.
– Kujt i ke ngjarë Sara, me bukurinë e fizikun që ke?
– Përsa i përket pamjes sime, mendoj se kam ngjarë nga të dy prindërit sepse për mendimin tim, që të dy janë të bukur.
– A mund të shpresojnë të gjitha femrat në arritjen e këtyre parametrave, apo Miss lind dhe nuk bëhesh?
– Pse jo? Çdo vajzë është e bukur në mënyrën e saj. Unë kam lindur dhe jetoj me të bukurën.
– Si u bëre pjesë e këtij konkurrimi dhe, ku ishe më parë ti?
– Pasi mbarova vitin e parë të universitetit dhe gjeta kohë të lirë pas provimeve, e mendova si të përshtatshme për të marrë pjesë në këtë konkurs bukurie dhe bëra aplikimin online.
– Jam shumë kurioz të di se kush të shtyu më shumë për të marrë pjesë dhe cilët e kundërshtuan këtë…
– Unë gjithmonë kam menduar të marr pjesë në ndonjë konkurs bukurie që përfaqëson vendin tim. Pjesëmarrja në Miss Shipëria 2015 ishte dëshira ime, por më ka mbështetur edhe familja, si dhe gjithë të afërmit e mi. Absolutisht nuk kam pasur kundërshtime.
– Urimi më i bukur që ke marrë pasi e more çmimin? Kujt ia dedikon atë?
– Urimet për mua kanë qenë të gjitha shumë të veçanta dhe këto më kanë bërë njësoj të lumtur si marrja e kurorës. Unë këtë çmim ua dedikoj prindërve të mi të cilët më kanë dhuruar këtë bukuri dhe më kanë rritur me shumë dashuri.
– Çfarë do të thotë për ty të jesh Miss Shqipëria? Si vazhdon më tej kjo rrugë e nisur?
– Miss Shqipëria për mua është vetem fillimi. Me pëlqen skena dhe kam dëshirë të bëj modeling si dhe të marr pjesë në ndonjë shou televiziv.
Më shumë rreth Sarës
– Cilët janë parametrat e tu truporë?
– Gjatësia: 1.75 cm; Gjoksi: 90 cm; Beli: 62 cm; Vithet: 92 cm.
– Sara, ke pasur eksperienca të mëparshme në fushën e modës?
– Kam realizuar disa sete fotografike mode, por më shumë u jam përkushtuar studimeve.
– A ka qenë moda ëndrra jote?
– Moda ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime; ka qenë dhe do të jetë një nga ëndrrat e mia…
– Po kurora e Miss-it, ishte ëndërr?
– Kurora e Miss-it ishte ëndrra e të gjitha konkurrenteve, jo vetëm e imja. (Buzëqesh)
– Tani që je Miss Shqipëria, çfarë do të ndryshojë te Sara?
– Mund të them që Sara si person nuk do të ndryshojë në lidhje me personalitetin e saj. Ndërkohë, mund te ndryshojë jeta e përditshme… Shpresoj që tani e tutje të merrem më shumë me botën e televizionit dhe, pse jo, të bëhem pjesë e saj.
– Po te djemtë që të ndjekin me sy, kur kalon rrugës, ka ndryshuar gjë tani?
– Çdo femër e bukur është shumë e përndjekur nga sytë e djemve, me apo pa kurorën e Missit.
– A ka Sara të dashur?
– Sara nuk ka të dashur… akoma nuk kam vendosur për këtë pjesë të jetës sime.
– Cili është sporti yt i preferuar?
– Sporti im i preferuar është noti.
– Si është Sara si studente?
– Unë mundohem të studioj sa më shumë që studimet e larta t’i përfundoj me rezultate shumë të mira.
– Një shoqe të shkruante në Facebook: “Të rriti mami si llasticë dhe u bëre Miss”. Je ende llastica e mamit?
– Përsa i përket kësaj pyetjeje, mund të them vetëm këtë, që njerëzit në Facebook japin thjesht mendimet e tyre, sepse unë jam rritur në Angli dhe nuk kanë pasur mundësi të më njohin nga afër. Gjithsesi, unë jam shumë e lidhur me mamin, por jam e preferuara e babit. (Buzëqesh)