– A mund të na thoni disa teknika se si të frenojmë mendimet e këqia që na vijnë në kokë, ose të mos mendojmë për të kaluarën? Unë jam fiksuar pas ish-të dashurit dhe çdo një orë kontrolloj profilin e tij në internet dhe kudo. Pastaj bëhem keq. Më vijnë lloj-lloj mendimesh dhe kjo gjendje më ka lodhur shumë. Nuk di si të veproj. Jam 27 vjeçe.
Borana Marku, psikologe: – E nderuar 27 vjeçare, përderisa ndiheni keq kur e mendoni të dashurin, përse e bëni përsëri!? E keni në dorë vetë të hiqni dorë nga fiksimi që keni ndaj tij; mendoni që nuk jeni më me të, mendoni që ai po jeton jetën e tij, po bën qejf në fund të fundit dhe as nuk ju mendon fare, ndërsa ju rrini e harxhoni kohën tuaj duke kontrolluar profilet e tij etj. Bëhuni pak egoiste dhe vërini në peshore cilësitë e tij pozitive dhe negative. Me siguri anojnë nga negativja! Shkruajini të gjitha gjërat që ju kanë bërë të lëndoheni dhe kjo do t’ju ndihmojë që t’i jepni zemër vetës dhe të shikoni përpara. Nuk është më me ju, kjo duhet t’ju ndihmojë që ta harroni. Jeta është shumë e shkurtër për ta humbur duke përgjuar të kaluarën. Në momentin që ju shkon mendja të kontrolloni profilin e tij, uluni në dysheme, merrni frymë thellë, thoni me vete: “Stop” me sa zë keni në mendje dhe menjëherë bëni një punë të rëndomtë në shtëpi nëse jeni aty, lani çimenton, pastroni diçka, merruni me garderobën tuaj. Do ta shikoni se është një teknikë që do të funksionojë. Më pas, në orët që ju e mendoni më shumë, vraponi jashtë, ose dilni me miqtë tuaj më të mirë dhe bisedoni për çdo gjë që ju vjen në mendje, qoftë edhe duke e sharë ish-të dashurin, nëse kjo gjë ju bën të ndiheni mirë. Nëse nuk ju bën të ndiheni mirë, thjesht mos e përmendni, por argëtohuni sa të mundeni me shoqërinë që keni përreth.
– Një teknikë tjetër është ta përjetoni dhimbjen apo mendimet negative gjer në fund. Në qoftë se ju shfaqen mendime negative apo ju kujtohen momente të kaluara me ish-të dashurin, përjetojini e ripërjetojini disa herë me mendje. Do të ishte mirë t’i përshkruani me zë ato çfarë po mendoni apo imagjinoni dhe t’ia thoni vetes ose dikujt që keni afër. Kur ta përsërisni disa herë këtë gjë, do vijë një moment që nuk do t’ju bëjnë më përshtypje ato mendime dhe nuk do t’ju krijojnë asnjë emocion negativ, përkundrazi, do vijë dita që do të qeshni me to, ose do t’i kujtoni si pjesë të jetës që i përkasin së kaluarës dhe nuk ju pengojnë aspak të jetoni të tashmen.
– Marrja me sport apo aktivitet fizik është një mënyrë fantastike për t’u shkëputur nga të gjitha llojet e mendimeve. Përqendrohuni vetëm tek ajo çfarë po bëni dhe kjo do t’ju bëjë të ndiheni mirë jo vetëm shpirtërisht e psikologjikisht, por edhe fizikisht. Pastaj, përsëritni me vete se sa e rëndësishme është të jeni mirë me shëndet dhe mendoni sa njerëz vuajnë për shembull nga sëmundje të pashërueshme. Ju i keni të gjitha, nuk ju mungon asgjë; i dashuri që kishit nuk ishte i juaji dhe kaq. Mendoni gjëra pozitive, mendoni që meritoni të jeni e lumtur dhe lumturia do të trokasë në portën tuaj atëherë kur nuk e prisni.