Simpatike, e talentuar, mjaft e sigurtë në vetvete dhe gjithnjë e frymëzuar për të sjellë projekte të reja. Kështu ka vendosur të vijë Kida në tregun muzikor dhe duket se ka gjetur mënyrën e duhur. Deri tani ka realizuar disa këngë dhe që të gjitha janë të suksesshme. E ndërsa çdo këngë e saja të lë shije të mirë, shije hiti, e tillë është edhe kënga e fundit në bashkëpunim me reperin kosovar Mozzik. Ata të dy na sjellin këtë bashkëpunim mjaft interesant me titull “Premtimet”, ku duket se përshtaten më së miri me njëri-tjetrin edhe në stilin e të kënduarit. E ndërsa Kida në këto ditë të nxehta gjendet në punë, me koncerte të shumta kryesisht në jug të Shqipërisë, i gjen disa momente për t’u relaksuar ndërkohë që realizojmë edhe këtë intervistë. A do të donit ta shihnit edhe më shpesh Kidën këtu në Tiranë? Kjo është edhe dëshira e saj, të ketë shtëpinë e saj këtu në Tiranë. Shumë gjëra do mësoni rreth projekteve të reja të Kidës, por jo vetëm… Ajo na premton shumë gjëra 😉
Mia Buci: Kida, këtë herë me Mozzik…. Çfarë ka ndryshe kjo këngë?
Kida: – Këtë herë ndryshe është i gjithë bashkëpunimi jonë, ndaj kemi korrur një sukses shumë të madh.
– Kënga quhet “Premtimet” …. Çfarë premtoni ju në këngë?
– Premtojmë shumë dashuri për fansa, për gjithë publikun si dhe sa më shumë projekte të reja. (Buzëqesh)
– Kida dhe Mozzik… Duket një dyshe që përshtatet edhe në stilin e të kënduarit…
– Ne jemi një familje. Kam pas dëshirë të sjell diçka shumë të mirë për fansat dhe publikun dhe besoj që ja kam arrit qëllimin.
– Çfarë mund të të bënte më të suksesshmë nga sa je tani?
– Më të suksesshme të bën vetëm puna, punë sa më shumë.
– Më përshkruaj të lutem, ambientin ku ndodhesh dhe gjithçka që të rrethon momentalisht?
– Momentalisht jam në shtëpi, në dhomën time ku ndjehem jashtzaknisht mirë. (Buzëqesh)
– Për çfarë ke harxhuar më tepër para deri më sot?
– Për rroba dhe dukjen time.
– Ka ndodhur të kesh patur xhirime dhe mos të të ketë dalë gjumi? Si e ke justifikuar këtë?
– Për xhirime jo, por për gjëra të tjera po. (Qesh) Nuk kom pas zgjidhje tjetër, osht dasht me u ngut ma shumë.
– Si do të të pëlqente të sillej një djalë në takimin e parë me ty?
– Me një sjellje të mirë dhe respekt. (Buzëqesh)
– Lidhur me fansat, si e përjeton marrëdhënien me ta, si është interaktiviteti mes jush?
– Fansat i kom ma të mirët, i du shum edhe e kom ni marrëdhënie shumë të mirë.
– E ke menduar, çfarë reagimi do të të shkaktonte nëse njerëzit nuk do të të njihnin në rrugë?
– Nuk do të ishte asnjë problem për mu se nuk ka ndodh deri tash asnjëherë, (buzëqesh) kshtu që nuk e di atë ndjenjë akoma.
– Projekte që presin të realizohen…?
– Është një bashkëpunim i ri të cilin e kem bo publik tash është me Xhensila Myrtezaj dhe ka shumë projekte të reja pas këtij bashkëpunimi.
– Cila është ajo nuk do të hezitoje ta tregoje publikisht?
– Talentin tem.
– Dashuria vjen vetë apo duhet ta kërkosh?
– Vjen vet besoj.
– …ti e ke gjetur?
– Jo, nuk e kam gjet sepse kom angazhime të shumta, jom edhe e re. Ka kohë për krejt gjërat besoj. (Buzëqesh)
– Si do të doje të vinte ajo?
– Le të vijë qysh është më së miri. (Qesh)
– Sa seriozisht e ke marrë angazhimin me muzikën? Ç’rëndësi ka ajo në jetën tënde?
– Mka pëlqy qysh kur isha e vogël. Që kur kom fillu e deri tash veç me muzikë, shkollë, jom për momentin dhe po e shoh që muzika m’u ka bo pjesë e jetës edhe e ka një rëndësi shumë të madhe.
– Sa e lehtë apo e vështirë është të menaxhohet performanca vokale dhe publiku përballë?
– Për mu në fillimet e mia ka qen e vështirë, por tash nuk ka asnjë problem. (Buzëqesh)
– Nëse do ta konsideroje veten një nxënëse në muzikë, kush apo cilët do të konsideroje si mësuesin tënd më të mirë?
– Ndonjë mësues i cili di për muzikë edhe mundet me m’msu akoma ma mirë.
– Kur e kupton që e ke tepruar me blerjet?
– Kur vjen puna të pagesa. (Qesh)
– Magjik konsideron, një objekt të shtrenjtë, një çast, një veshje?
– Çdonjëra prej këtyre mund të konsiderohet e veçantë, por magjik do të konsideroja një çast.
– Të frikëson më shumë ligësia, tradhtia, apo budallallëku?
– Budallallëku.
– Është më sensuale një puthje, apo një përkëdhelje?
– Një përkëdhelje.
– Sipas teje vajzat duan djemtë e mirë, apo djemtë e këqinj?
– Me dëshirë edhe me mendim tem, besoj që djemtë e mirë.
– Ke ndonjë kusht për pjesëmarrjen në koncerte?
– Jo, vetem se kom qef me festu me ata njerëz të cilët kanë ardh veç për mu.
– Çfarë të frymëzon për të qenë në formë?
– Për të qenë në formë shumë gjëra, muzika edhe vetë dëshira jeme.
– Si mundet një këngëtare që ta magnetizojë publikun?
– Me performancën dhe kënget e saj.
– Mendimin e kujt merr sa herë që merr vendime të rëndësishme, apo i beson vetëm intuitës tënde?
– I besoj vetes, prindërve edhe menaxherit tim të cilët janë përkujdes për mu prej momentit që kom hy n’skenë.
– Për çfarë do ta lije të priste muzikën?
– Për asgjë përveç shkollimit.
– Ka ndonjë gjë që të pëlqen po aq sa muzika?
– Po , dizajnin e kom muj me thon si profesion të dytë. (Buzëqesh)
– Mendimet që pushtojnë mendjen tënde kur je vetëm me veten?
– Mos me mendu asgjë.
– Je njëra ndër këngëtaret që preferohet të ftohet më shpesh për të kënduar këtu në Shqipëri. Ke menduar të blesh një shtëpi tënden këtu në Tiranë ashtu siç kanë bërë edhe shumë kolegë të tu nga Kosova?
– Po, me të vërtet këtë vit kam qenë gati gjithë kohën në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë dhe do kisha pas dëshir me e pas një shtëpi timen atje. (Buzëqesh)
– Dhe në fund….premtimi që do bësh?
– Premtimi im është që ka me pas shumë projekte të reja dhe shpresoj që të gjitha do të jenë të suksesshme siç kanë qenë deri tani. (Buzëqesh)