Gjithçka për çokollatën
Janë të pakta ushqimet që evokojnë kaq shumë pasion se ky ushqim i shijshëm. Në folklorin e kulturave të shumta thuhet se konsumimi i çokollatës të shton besimin, shëndetin, fuqinë dhe pasionin seksual. Dikur ajo u rezervohej vetëm mbretërve, ndërsa në kohën tonë është bërë shumë popullore dhe mund të themi se është edhe e shëndetshme. Ja disa gjëra që nuk i dinit për të.
Nga vjen çokollata?
Baza e çokollatës është kakaoja, që prodhohet nga pemët e kakaos. Ato përbajnë disa bishtaja të mëdha, brenda të cilave ndodhen kokrrat e kakaos. Kjo bimë është zbuluar 2000 vjet më parë në pyjet tropikale të Amerikës. Njerëzit e parë që kanë konsumuar kakaon kanë qenë majat (në vitet 250-900 p.e.s). Ata i bluanin kokrrat e kakaos dhe i përzienin me erëza për të krijuar një pije të hidhur dhe pikante, që besohej se bënte mirë për shëndetin. Për majat, bishtajat e kakaos simbolizonin jetën dhe pjellorinë. Ata përdoreshin shpesh në ritualet fetare, përfshi edhe ceremonitë e martesës dhe quheshin si ushqim i perëndive. Në Meksikën qendrore, aztekët besonin se nga ngrënia e frutave të kakaos vinte dituria dhe pushteti dhe se ato kishin cilësi ushqyese, forcuese, bile edhe afrodiziake.
Si erdhi çokollata në Evropë?
Evropianët e provuan çokollatën më 1519, kur perandori aztek, Montezuma, ia ofroi këtë pije pikante eksploruesit spanjoll, Kortesit dhe ushtrisë së tij. Pushtuesit spanjollë i sollën farat e kakaos në Spanjë, ku ato u përzien me erëza të reja dhe sheqer, për të krijuar një pije. Ajo u përhap nëpër Europë, ku, për shekuj me radhë, mbeti një pije për elitën.
Aftësia joshëse e saj
Reputacioni i çokollatës si afrodiziake lulëzoi në oborrin mbretëror francez. Nga kjo u frymëzua arti dhe literatura erotike. Kazanova e bëri zakon të pinte çokollatë para takimeve të tij romantike. Edhe sot ajo identifikohet si afrodiziake.
Prodhimi në masë
Makina e parë për prodhimin e çokollatës u ndërtua në Barcelonë, në viti 1780, duke hapur rrugën për prodhimin e saj në masë. Më vonë, shpikjet e ndryshme, bënë të mundur të prodhohej çokollatë e butë, kremoze dhe e ngurtë për t’u ngrënë, jo thjesht lëng për pirje. Çokollata e parë e ngurtë u prodhua nga prodhuesi britanik Fry & Sons, në fillim të 1800-ës.
Dhuratë për Shën Valentin
Mendohet se në fillim të shekullit të 17-të, të dashuruarit filluan të shkëmbenin suvenire në ditën e Shën Valentinit, ndër ta edhe ëmbëlsira. Në vitin 1868, u prodhua kutia e parë me çokollata e Shën Valentinit.
Në vitin 1875 u hodh në treg çokollata e parë me qumësht, nga Daniel Peter, në Zvicër. Ajo u bë aq popullore nëpër botë, sa që edhe gjatë L2B, qeveria amerikane u dërgonte kokrra kakaoje trupave në front. Në ditët e sotme, ushtria amerikane ka futur çokollatat në racionet e ushtarëve. Çokollata ka vajtur deri në hapësirë, si pjesë e ushqimit të astronautëve.
A është vërtetë afrodiziake?
Nuk është tamam, megjithëse përgjatë historisë, çokollata është konsideruar si e tillë. Ajo përmban sasi të vogla të një elementi kimik të quajtur feniletilaiminë (PEA) , ose “ilaçi i dashurisë” dhe thuhet se rregullon energjinë, humorin dhe përqëndrimin. Një sasi e vogël e PEA lëshohet në trup në momentet e euforisë emocionale, shtimit të presioni të gjakut dhe rrahjeve të zemrës. Nuk ka të dhëna se PEA e gjendur në ushqime shton PEA-n në tru, megjithëse adhuruesit e çokollatës janë të sigurtë se po!
Ëmblësirë e shëndetshme
Çokollata e zezë (ndryshe nga ajo me qumësht, apo e bardhë), përmban flavonoide të shëndetshme, të ngjashme me ato që janë gjetur në çaj, verën e kuqe, fruta dhe perime. Studimet kanë treguar se çokollata e zezë mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut, nivelin e sheqerit në gjak dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës, gjë që redukton rrezikun e diabetit. Por kini parasysh, çokollatat që konsumojmë kanë edhe shumë yndyrna të ngopura dhe sheqer, kështu që konsumoni vetëm pak si pjesë e një diete të shëndetshme.