Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Krijimet tuaja...
Xhevahir Sukaj: De Biazi të mësojë shqipen!
Pse duhet ta bëj spirometrinë?

Xhevahir Sukaj: De Biazi të mësojë shqipen!

Xhevahiri i Shkodrës është një gur i çmuar edhe në Iranin e largët. Në 4 vitet e kaluara si pjesë e kampionatit iranian, ai ka arritur të koleksionojë dy tituj dhe një kupë. Sukaj, si asnjë shqiptar më parë, ka lënë gjurmë duke u kthyer në idhullin e tifozerisë iraniane. Aktualisht, ai po shijon pushimet e tij në vendlindje, edhe pse është një ndër emrat më të lakuar të merkatos. Këta zëra nuk e shqetësojnë, pavarësisht se në prapaskenë diçka po gatuhet. E ardhmja është e paqartë, por ekskluzivisht për ne, ai pranon se karriera e tij me Sepehanin, ka mbaruar…

 

Eraldo Harlicaj: – Sukaj, do të na i tregoni emocionet e titullit të marrë në Iran?

Advertisement

Xhevahir Sukaj: – Ishte një titull që realisht nuk e prisnim, pasi të dy ekipet që i kishim kundërshtarë direktë në renditje, ishin para nesh me nga një pikë dhe luanin me njëri-tjetrin. Vetëm barazimi ndërmjet tyre mund të na shpallte kampion dhe ashtu ndodhi. Emocionet ishin të papërshkrueshme pasi një fitore e tillë, që ishte si një dhuratë, të lumturon më shumë.

– Çfarë kishte Sepehani më shumë se ekipet e tjera?

– Presidenca kishte bërë shumë shpenzime për të siguruar lojtarë të mirë dhe për të bërë një ekip kampion. Në fakt, sipas asaj që ishte projektuar në letër, ne duhej të dilnim kampion shumë më përpara dhe të mos e prisnim nga kundërshtarët, por gjërat u ndërlikuan nga mesi i sezonit dhe lamë shumë pikë të cilat i rekuperuam në fund, kur fituam 6 ndeshje radhazi. Besuam deri në fund dhe u shpërblyem.

– Si ishte ky sezon për ju në aspektin personal?

– Sezoni që u mbyll nuk ishte i duhuri për mua në aspektin personal, pasi nuk arrita ta gjeja shumë herë rrugën e rrjetës, por titulli i fituar të bën t’i harrosh disi vështirësitë.

– Sipas informacioneve që kam, ky ishte viti juaj i fundit për Sepehanin. A mund ta zyrtarizojmë këte lajm?

– Po, jeni i saktë. Ashtu siç e kisha paralajmëruar, ky ishte viti im i fundit me Sepehanin dhe u mbyll në mënyrën e duhur. Kanë qenë 4 vite fantastike dhe mjaft të rëndësishme për mua, por tanimë ka ardhur koha që të nis një sfidë të re. Jam akoma në formë dhe në një moshë që mund të mësoj shumë, por edhe të jap shumë.

– A jua kanë shprehur dëshirën drejtuesit e klubit për t’ju mbajtur përsëri në ekip?

– Patjetër, klubi ma ka shprehur dëshirën dhe është i gatshëm për të rinovuar kontratën me mua. Pavarësisht se kam kaluar një sezon jo shumë të mirë, ata kanë besim tek unë pasi i njohin aftësite e mia.

– Tanimë jeni një ndër emrat më të lakuar të merkatos. A keni oferta nga klube të tjera?

– Kam pasur oferta nga ekipe të ndryshme të cilat nuk do t’i bëj zyrtare, pasi akoma nuk ka asgjë konkrete, por mund të them se kam pasur oferta edhe nga ekipe të tjera të Iranit, nga Shqipëria dhe jo vetëm, por gjithçka ia lëmë kohës.

– A mund të kemi një rikthim të Sukajt në Shqipëri?

– Nuk e mendoj si një opsion të mirë rikthimin, tani që jam 27 vjeç, pasi kam akoma për të dhënë në arenën ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë, asgjë nuk është e pamundur pasi kampionati shqiptar është rritur në nivel dhe nuk i dihet… Por, primare për mua mbetet të luajturit jashtë vendit.

– Po një bashkim i mundshëm vetëm për kupat e Europës me ekipet shqiptare?

– Një opsion i tillë ekziston dhe më intrigon, të them të drejtën. Unë mund të luaj në kupat e Europës me ndonjë ekip shqiptar, por nuk mund të them asgjë përtej kësaj.

– Në prapaskenë, kartat po luhen, gjithsesi…

– Unë komentoj vetëm atë çfarë ndodh në fushë. (Qesh)

– Pas katër vitesh në Iran, çfarë ka ndryshuar për Xhevahirin në aspektin profesional dhe atë personal?

– Për katër vite me radhë që isha pjesë e ekipit më të mirë të Iranit dhe një ndër më të mirët në Azi, jam rritur shumë në aspektin profesional, pasi edhe me moshën kam fituar një pjekuri më të madhe dhe përgjegjësi më të lartë. Besoj se kam fituar shumë nga Sepehani dhe unë jam një natyrë që, kudo shkoj, mundohem të marr më të mirën. Ndërsa në aspektin personal mund të them se më kanë ndryshuar shumë gjëra, pasi me familjen time më është dashur të përshtatem me jetesën atje.

– Të flasim pak për Kombëtaren… Do të luhet me Francën një miqësore luksi. Si e keni shikuar ecurinë e tyre në këto eliminatore?

– Normalisht që e kam ndjekur dhe jam shumë i lumtur si shqiptar që Kombëtarja ka bërë kaq mirë. Shpresoj më të mirën për ata djem, pasi janë me të vërtetë të talentuar dhe kanë arritur diçka të madhe. Besoj fort se do të kualifikohemi e nëse drejtësia do të vihej në vend për ndeshjen me Serbinë, mendoj se do të arrinim të paktën vendin e tretë. Me Francën është një miqësore luksi dhe një vitrinë mjaft e mirë për futbollistët tanë.

– Besoni se do të ktheheni një ditë?

– Dëshira është e madhe pasi kam mundësi. Mosha, por edhe aftësia ma premton diçka të tillë, pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin e sulmit. Unë besoj se do të rikthehem duke punuar fort dhe duke bërë më të mirën për ekipin me të cilin do të luaj, prandaj edhe kjo lëvizje e imja nga një kampionat i largët dhe i panjohur si Irani, nuk bëhet pa qëllim, pavarësisht se asnjëherë nuk i dihet.

– Një këshillë që mund t’i jepni De Biazit…

– De Biazi është një strateg i shkëlqyer dhe këtë e tregon rezultati në punën e tij. Unë do të thoja të qëndronin më këmbë në tokë pasi kanë bëre vetëm gjysmën e rrugës dhe një këshillë personale për të, meqë tani u bë edhe shtetas shqiptar: Të mësojë shqipen! (Qesh)

 

Sukaj dhe Irani

 

– Ne në Shqipëri nuk e njohim shumë Iranin… A mund të na e përshkruash jetesën atje?

– Të them të drejtën, edhe unë, kur ika në fillim, isha shumë skeptik pasi nuk e njihja vendin. E mendoja si një vend të egër dhe isha i mbushur me paragjykime. Me kalimin e viteve fillova të ambientohesha dhe të mësohesha, madje të më pëlqente jetesa atje. Unë dhe familja ime bënim një jetë shumë të qetë dhe u përshtatëm.

– Çfarë kishte më shumë apo më pak se Shqipëria?

– Për këtë mund të flas vetëm në aspektin futbollistik pasi në jetën time private, Shqipërinë nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër. Unë të gjithë familjen e kam në Shqipëri dhe gjaku më thërret. Në ndeshje ishin një popull mjaft futbolldashës dhe i mbushnin stadiumet në çdo ndeshje. Qyteti ku jetoja unë ishte pak a shumë si një Shkodër tjetër.

– A ishte e vështirë gjuha?

– Kam pasur probleme me gjuhën pasi nuk e njihja dhe ishte shumë e vështirë. Më kanë ndodhur shumë keqkuptime në fillim… më thonin të bëja diçka e bëja diçka tjetër ose, kur ikja të blija, flisja më shumë me shenja. (Qesh) Tani e kuptoj mirë, ndërsa për ta folur, më pak.

– E njohin ata Shqipërinë?

– Pothuajse fare. Vetëm ambienti sportdashës, shokët e ekipit dhe tifozët, më shumë prej ne lojtarëve shqiptarë që luajtëm aty.

– Po megjithatë, kjo nuk ju pengoi t’u mësonit shqiponjën dykrenare… Kur them këtë, u referohem fotove me titull dhe jo vetëm…

– Unë u flisja shumë për Shqipërinë dhe për simbolin tonë kombëtar, e përdorja kur bëja gola në Iran dhe më pas ua mësova të gjithëve edhe kuptimin. Është bukur të shikosh aq shumë të huaj që bëjnë shqiponjën, apo jo? (Buzëqesh) Të them të drejtën, përveç të qenurit futbollist, jam munduar të jem edhe si një ambasador për vendin tonë. U flisja drejtuesve për talentet shqiptare dhe për kampionatin tonë, si një treg mjaft të mirë.

– Çfarë do t’ju mungojë më shumë nga Irani?

– Unë akoma nuk kam vendosur për të ardhmen, kështu që nuk i dihet, por do të më mungojë gjithçka. Isha mësuar tashmë me atë mënyrë jetese dhe do të më mungojë. Ishte e bukur periudha e janarit, kur flisja me shokët apo familjarët dhe u thoja që isha në plazh, ndërsa ata ishin të mbuluar me jorgan. (Qesh)

– Ushqimi i preferuar iranian?

– Kishin një traditë të mirë për ushqime, nuk kam vuajtur në këtë pjesë. (Buzëqesh) Ishte një ushqim i quajtur samanu, si një lloj paçeje e thartë, me kumbulla të thata.

– A u tregua dorëlëshuar Irani me Sukajn?

– Mjaftueshëm, për të më mbajtur katër vjet. (Buzëqesh)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Krijimet tuaja...

Next Post

Pse duhet ta bëj spirometrinë?

Advertisement