Duke dhënë gji
– Kam parë në ëndërr sikur po i jepja për të pirë gji një fëmije të vogël. Unë jam një grua me fëmijë të rritur. Ju lutem, më tregoni çfarë do të thotë se jam e shqetësuar.
– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Janë vetëm disa shqetësime shëndetësore që do t’ju shfaqen në ditët në vazhdim, por nuk do të jenë problematike. Çdo gjë do të kalojë. Fakti që keni parë fëmijë në ëndërr, do të thotë që do ta merrni veten shumë shpejt. Ju urojmë shëndet.
Ndërtesa që rrënoheshin
– Kam parë në ëndërr sikur ishim brenda një ndërtese ku jetonim. Jashtë frynte një erë aq e madhe, saqë edhe xhamat e dritareve zgjateshin prej erës si goma, por nuk thyheshin. Unë u frikësohesha sepse kisha frikë mos thyheshin dhe na lëndonin. Jashtë ndërtesës ishin shkatërruar disa ndërtesa të tjera dhe ndërkohë, po i prishnin. Disa burra gërmonin në to. Unë i thoja tim shoqi: “Po pse po i prishin të tëra?”. Pastaj u desh të largoheshim bashkë me burrin, sepse filluan të bien pjesë të ndryshme nga ndërtesa. Burri i tha njërit prej punëtorëve: “A mund ta marr një dërrasë?” dhe ai tha: “Posi jo?!”. E zgjodhi njërën se ishin forma të bukura, dërrasa druri të papërpunuara. Kur e mori, e vuri në tokë dhe direkt u transformua në një tavolinë të bukur. Ju lutem, më thoni, çfarë do të thotë?
– E nderuar letërshkruese! E gjithë ëndrra juaj ka lidhje me jetën e përditshme dhe disa siklete që tashmë i keni hedhur pas krahëve. Ju keni frikë mos ju kthehen sërish shqetësimet që kishit. Ndërtesat e prishura që keni parë përfaqësojnë marrëdhënie të prishura, por që janë jashtë shtëpisë tuaj, sepse në ëndërr keni parë që ndërtesa ku ishit ju, nuk prishej. Pra, rëndësi ka që kulmi i shtëpisë suaj të jetë në rregull. Pavarësisht se keni kaluar këto siklete, marrëdhënia juaj qëndron e fortë, pra, brenda shtëpisë ju jeni të bashkuar. Fakti i formimit të tavolinës, do të thotë që i keni rrënjët e forta dhe mos kini frikë aspak nga ato çfarë kanë ndodhur apo mund të ndodhin, sepse nuk mund ta prekin familjen tuaj.