Ka bërë një klip që ka kushtuar shumë, edhe pse nuk na e tregoi një shifër të saktë, me gjithë këmbënguljen tonë. “Lej let folin” e ka titulluar klipin e saj më të ri këngëtarja seksi Shkenda Dubova. Klipi është i veçantë e po ashtu edhe veshjet e Shkendës në klip, e cila kur e pyetëm si vishet në jetën e përditshme, u përgjigj me batutë: “Blej dhe vishem me gjëra të shtrenjta se nuk jam aq e pasur sa të vishem me gjëra të lira”. Ajo ka publikuar edhe një tjetër klip, një bashkëpunim me solistin e grupit Ilirët, Shemi Krasniqi, me titull “Nuk shikohen vitet në dashni”, bashkëpunim ky që pati suksesin e duhur…
Fabjola Kuburi: – Si thua, Shkenda, “ti lejmë të folin”?
Shkenda Dubova: – Po, t’i lëmë, le të folin sa të kenë qejf. (Qesh)
– Kush të ka mërzitur kaq shumë sa e ke shprehur këtë edhe në këngë?
– Jo, mua nuk mund të më mërzisë askush, por tekstshkruesi i ka fajet, ai i bën gjërat lëmsh. (Buzëqesh)
– U përfol kaq shumë ky klip për faktin që ke shpenzuar shumë për të! Sa shkoi realisht dhe pse gjithë ky shpenzim?
– Të them të vërtetën, ka shkuar shumë, por nuk dua dhe nuk mund të flas për shifra. Nuk më duket edhe aq etike.
– Para kësaj kënge, ti lançove edhe një bashkëpunim me Shemin e grupit Ilirët. Pse kaq në trend bashkëpunimet dhe pse pikërisht me Shemin?
– Kënga “Nuk shikohen vitet në dashni” me Shemin e grupit Ilirët nuk është një këngë sezonale apo afatshkurtër, por një këngë që do t’i rezistojë kohës sepse Shemi është këngëtar i mrekullueshëm, me zë unik.
– Realisht, “a shikohen vitet në dashni”?
– Jo, nuk shikohen dhe nuk kanë pse të shikohen. Kur ka dashuri, gjithçka është dashuri.
– Si është të bashkëpunosh me një këngëtar të përmasave të tilla si ai që e shndërroi në himn këngën “Xhamadani vija-vija”?
– Është privilegj dhe kam fituar një përvojë shumë të mirë nga ky bashkëpunim sepse nga Shemi ke çfarë eksperience të marrësh, eksperiencë shumë pozitive.
– Në klipe të shohim me veshje super të bukura dhe super të shtrenjta. Kështu ndodh edhe në jetë?
– Më pëlqejnë shumë gjërat e shtrenjta. Nuk jam aq e pasur sa të blej të lira!
– Kujdesesh më shumë për lukun apo për zërin?
– Për të dyja bashkë. Janë aq të ndërthurura saqë nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën.
– Emocionet të nxitin për të kënduar apo kënga të jep emocion?
– Gjithmonë kënga. Kënga është emocion më vete që shkakton emocion tek ata që e dëgjojnë, kështu që kënga është ajo që sjell më pas edhe emocionet.
– A ke diçka për të shtuar për këngën tënde, diçka të veçantë?
– Asgjë më shumë se çfarë thuhet në këngë; besoj se ajo flet vetë. T’i lëmë të flasin, është ajo që ka më shumë rëndësi, pa marrë fare parasysh se çfarë thuhet, thjesht “leji le t’folin”.
– Shkenda, dje dhe sot…
– Dje isha e vogël dhe sot u rrita. (Buzëqesh)
– Një pyetje si femra-femrës: A mund të ketë seks pa dashuri apo anasjelltas?
– Ku ka dashuri, ka gjithçka. Ku nuk ka dashuri, nuk ka asgjë, është fallco.
– Ke prej kohësh një imazh dhe formë trupore të kënaqshme. Cili është sekreti?
– Të them të vërtetën, mua Zoti më ka fal kështu, nuk kam asnjë sekret dhe më vjen keq për ata që nuk duan ta pranojnë këtë gjë dhe flasin kot se gjoja paskam bërë operacione…
– Cili është ushqimi të cilit nuk do t’i bëje kurrë naze dhe çfarë të ka ngelur pa provuar nga kuzhina shqiptare?
– Të gjitha ushqimet tradicionale! Atyre nuk mundem t’u rezistoj.
– Thuhet se njeriu është pjesë e këngës. Si mund të jetë një gjë e tillë?
– Për aq kohë sa njeriu e këndon këngën me dashuri dhe përfshihet në të gjatë interpretimit, do të thotë që bëhet pjesë e saj, pa diskutim.
– Si e koncepton dashurinë Shkenda?
– Dashuria nuk njeh moshë, as vende, nuk ka konceptim të përkufizuar, nuk ka rregulla.
– Cila ka qenë këngëtarja jote e preferuar në vitet e fëmijërisë dhe deri kur fillove të këndoje vetë?
– Ka pasur shumë, por mund të them që Ledina Çelo më ka pëlqyer që fëmijë dhe ende më pëlqen.
– Çfarë ndien kur fiton dhe çfarë, kur zhgënjehesh?
– Nuk e kam menduar se si do ndihesha, nuk di ç’të them. Më mirë nuk po them gjë.
– Çfarë problemesh mendon se ka muzika shqiptare?
– Muzika shqiptare në këto momente ka një problem shumë të madh: imitimin dhe kopjimin. Është mëkat që dikush të bëjë karrierë në kurriz të punës së dikujt tjetër. Unë, të paktën, kështu mendoj.
– Mendon se shumë këngëtarë qëndrojnë në treg vetëm falë thashethemeve nëpër media?
– Këto janë ato që kanë ngel, vetëm thashethemet. Që të mos merresh me thashetheme duhet të punosh dhe meqë puna është larg në horizont, ngelet vetëm të merresh me thashetheme, që të qëndrosh në vëmendje.
– Kur jemi te karriera dhe sukseset… Sigurisht, fillimi ka qenë i vështirë, apo jo?
– Kur kam nisur, kam qenë 15 vjeçe, shumë e vogël për t’u integruar siç duhet në botën e muzikës. Tani që jam rritur, e kam më të vështirë dhe më duket tamam fillim i fuqishëm i diçkaje që unë e dua me shpirt, siç është muzika.
– Nuk resht së thëni se je shumë krenare që je shqiptare…
– Jam shumë krenare dhe e keni dëgjuar mirë se unë, kudo ku shkoj jashtë, e tregoj me krenari që jam shqiptare.
– Presim në të ardhmen ndonjë surprizë nga Shkënda? Për shembull, foto të nxehta si këto që ne i kemi ekskluzive apo, pse jo, edhe këngë hot?
– Kur thua “e ardhme”, po më duket shumë larg. (Qesh) Shumë shpejt, nga unë do keni këngë, klipe, bashkëpunime, foto të nxehta. Nga Shkenda, pritet gjithçka e bukur.
– Do zgjidhje një histori sentimentale pasionante apo racionale?
– Një histori racionale, që të kishte pasion brenda. (Buzëqesh)
– Tregu muzikor shqiptar është i tejmbushur me këngëtare seksi. Si ndihesh ti në këtë treg dhe si do ta përshkruaje veten?
– “Seksi pedigree” (Seksi në thelb), por jo vulgare, siç janë shumë prej tyre. Vulgariteti nuk sjell gjë të mirë; sensualiteti, po.
– A ka Shkenda një mik apo mikeshë të zemrës?
– Kam shumë miq e mikesha. Jam e lumtur që kam rreth vetes miq të mirë me të cilët ia kaloj shkëlqyeshëm, sepse me miqtë, njeriu kalon pjesën më të madhe të kohës.
– Për këtë herë, kemi harruar gjë?
– Tani në fund dua të të falënderoj ty, të gjithë stafin e gazetës,fotografin tim Avni Selmani se nuk dua të më ngelë merak, si dhe të gjithë fansat e mi, kudo ku i kam. Ju puth fort!