– I nderuar doktor Demiri, problemin tim do ta quaja të karakterit social, është më tepër një ankth, sesa ndrojtje dhe turp. Kam kuptuar këto kohët e fundit se ne që vuajmë nga ankthi, është mirë që këtë “presion” të brendshëm ta mbajmë për vete sepse nëse ia rrëfen dikujt, siç ndodhi me mua, ai nuk i shpëton rasti të të etiketojë ankthioze, sepse njerëzit janë paragjykues e të bezdisshëm. Ndihem shumë keq, ndihem e lodhur dhe e bezdisur. Çfarë më këshilloni?
– Shpesh kam shkruar për këtë ankthin social dhe përgjigjet e kaluara ju mund t’i gjeni, pasi gazeta jonë e dashur “Intervista” tani gjendet edhe në internet. Ju e keni thënë bukur këtë fjalën “presion i brendshëm”, pasi problemi ka të bëjë vetëm me ju brenda për brenda, pra, ai është vetëm në mendjen tuaj. Reagime të tilla turpi, skuqje, zverdhje, djersitje etj. i kanë shumica e njerëzve të mbindjeshëm, por juve sikur ju “djeg” diçka përbrenda pasi ju është krijuar ky ankthi e ju bërë obsesion (vesvese) dhe ju jep një siklet të madh e reagime të tilla trupore si bllokim, tharje goje, mornica, mërzitje e gjendje të tillë sikur gjendesh në një hon të errët. Sikleti shtohet edhe më shumë duke dashur që të dukesh e qetë e të mos biesh në sy e nga kjo mundet që njeriu të flasë edhe pa pushuar e të bëhet llafazan koti sepse ka frikë se mos i shkon kot biseda e ndihet përgjegjës. Unë e kuptoj thellë hallin tuaj, edhe pse ky lloj ankthi është plotësisht i trajtueshëm me psikoterapi, ndaj lum ata të pakët që e kërkojnë ndihmën e bashkëpunimin me psikoterapeutin. Them të pakët sepse shumicën nuk i lë vetë ky lloj ankthi që të vijnë, duke kujtuar se do të duken të “dobët”, “qesharakë” apo “budallenj”. Shumica e tyre e marrin për keq çdo gjë. Po t’u thuash me shaka “homo” ata kujtojnë se duken si të tillë. Ata që vijnë, qetësohen shumë kur u shpjegojmë se kjo nuk ka lidhje as me të qenit i dobët, budalla, frikacak apo homo, por me “gatimin” e tyre dhe me rrugën jetësore, pasi ata në të vërtetë nuk kanë lindur me këtë lloj ankthi, por u është ngjitur, pra, e kanë “mësuar” atë në saje të ngacmuesve të jashtëm specifikë dhe reagimeve të tyre skajore e të pazakonta. Prandaj këta klientë nuk duhet ta quajnë veten të sëmurë, pasi ankthizioteti s’ka të bëjë me sëmundjet; ai është vetëm mënyrë e të menduarit, të reaguarit, të vepruarit me keqpërshtatje. Gjatë 15 seancave ne i trajtojmë ata duke i bërë që të njohin problemin dhe të mos e vuajnë aq shumë pse e kanë këtë gjendje, pra, ta pranojnë si ndonjë “sfide”, si shqetësim, por jo rrezik.
Ankthi social vërtet nuk është rrezik, por është shumë pengues dhe ta “nxin” jetën, të kushtëzon, nuk të lë që ta shijosh jetën, ndaj duhet hequr, ashtu si “ferrat” të cilat pasi i ke shkelur mirë e mirë, mund të ecësh mbi to edhe këmbëzbathur. Kjo është arsyeja pse këta njerëz të zgjuar e tepër të mirë me këtë lloj ankthi pasi informohen e stërviten duke u përballur, bëjnë çudira më pas dhe e shijojnë jetën si ai që siç thotë populli, vetëm ai që ka qenë në burg apo i pushtuar, ia di vlerat lirisë. Ata çlirojnë aftësitë e veta dhe potencialin e madh që për fat të keq, siç thonë fetarët, “shejtani” ua ka bllokuar duke u krijuar vesvese. Ata mësojnë t’ua kthejnë shpinën vesveseve e të merren me besim te vetja e te Zoti, merren me punë të mira e të dobishme dhe jo “e lagu, s’e lagu”.
– Një nismë e re, një punë më shumë pasion e lodhje sikur i nxjerr ata nga ky “hon” i errët. Ata nëpërmjet ekspozimit progresiv gëzohen pa masë pasi pak e nga pak nëpërmjet punës e dhimbjes arrijnë të durojnë pa e patur problem si më parë atë që e mendonin si një pengesë të pakapërcyeshme, ose siç thotë populli, fitojnë guximin e humbur dhe e “çajnë ferrën”. Ata mësojnë edhe atë që quhet “bërjen të pandjeshëm” me pak fjalë, ne me anë të psikologjisë së ashtuquajtur të “neveritjes”, ua bëjmë si të zakonshme ato fjalë apo mendime të cilat ata i konsiderojnë për vese të tmerrshme dhe skuqen vetëm duke i menduar. Ata kuptojnë se këto mendime apo fantazi të “këqija” nuk janë prodhim i mendjes sonë, ato vijnë, shpesh edhe befas, por ajo që ne kemi në dorë është që të mos shqetësohemi sepse nuk jemi as që i prodhojmë as që i dëshirojmë ato, por ato vijnë si në kundërshtim e mospranim me ndërgjegjen e moralin tonë, vijnë ashtu si mjegulla, ndaj edhe le t’i lëmë të ikin pa u “përfshirë” në to. Klientët mësojnë edhe ca të drejta të tyre “të mbrapshta”, të cilat nuk i kanë ditur më parë se i kanë si për shembull, ti ke të drejtë të bësh gabime, të flasësh edhe kur të tjerët nuk ta kërkojnë, ose të mos flasësh edhe kur të tjerët ta kërkojnë të flasësh etj. plot 37 të tilla.
Ata mësojnë shumë çudi të bukura të tilla, por nga ana tjetër, mësojnë se si të jenë e të ndihen vetvetja, të ndjejnë e të shprehin ndjenjat dhe emocionet e tyre si të ligjshme. Ata mësojnë t’i “nxjerrin” e t’i shprehin sikletet e tyre, të mos çajnë kokën pse të tjerët i qeshin apo i ironizojnë ose nuk i pranojnë. Gjatë ndërrimit të “roleve” ata përvetësojnë afirmimet pozitive në të menduar e në të folur të cilat dalëngadalë zëvendësojnë pjesën e “keqe”, duke u bërë automatike, pra, zhvendosëse. Seancat janë edhe të bukura, edhe interesante, shpeshherë edhe plot humor. Psikoterapia në grup është edhe më e bukur pasi asnjëri nuk beson se tjetri e ka këtë lloj ankthi, secili kujton se vetëm ai i ka këto, madje e beson veten si një rast “unik” e të pakorrigjueshëm. Ndër të tjera, klienti mëson se si të mos jetë dyshues e xheloz, se si të bëjë e të marrë komplimente pasi këta njerëz i kanë shumë të nevojshme komplimentet, por nuk marrin sepse nuk japin (nga turpi ose se mos të tjerët kujtojnë sikur po tallen dhe janë të detyruar të betohen për ato që thonë) e pra, sipas ligjit të karmës, ajo që ne japim, transmetojmë, na kthehet pas, na vlen, na shërben dhe e shijojmë. Ndër të tjera, ata mësojnë se si të mos bëhen “lexues” të këqinj të mendjes së të tjerëve. Për ta kuptuar këtë, le të kujtojmë atë barcaletën se si një shofer vajti për t’i kërkuar krikun një kolegut të vet taksist e gjatë gjithë rrugës mendoi përgjigjet më negative të mundshme që mund të jepte ai dhe, sapo shoku i hapi derën, në vend që t’i kërkonte krikun, ai i tha: “të dhjefsha krikun!”. Ai tjetri u habit dhe e mori për të dehur, por kur e mori vesh të vërtetën, jo vetëm që i dha krikun, por ia rregulloi edhe gomën e ky tjetri, gati i turpëruar nga mirësia e tij, i tha: “më fal se kam folur me veten dhe kam dhënë ca përgjigje të tuat pa të pyetur ty, ndaj edhe të shava krikun”… Kjo do të thotë “lexues” i keq i mendjes së tjetrit.