Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Mëso si të mos grindesh me partnerin…

 

Të jetosh në çift dhe të mos grindesh, është e mundur, megjithëse thuhet se nuk u shpëton dot zënkave bashkëshortore. Ne mund të mësojmë të diskutojmë edhe për subjekte që na nxehin, pa e lënduar tjetrin, pa qenë i dhunshëm dhe, mbi të gjitha, pa hedhur baltë mbi dashurinë. Ja, çfarë këshillon specialistja jonë…

 

Advertisement

– Dëgjojmë shpesh së zënkat janë normale, bile të mira për një çift. Çfarë mendoni ju?

– Ne investojmë shumë kohë dhe energji në një lidhje dashurore. I zbulojmë tjetrit intimitetin tonë, ndajmë bashkë jetën e përditshme, gjë që krijon momente të shumta fërkimi dhe acarimi të mundshëm, por në asnjë rast zënkat nuk janë të detyrueshme. Ato gjithashtu nuk janë një shenjë se çifti shkon mirë, ose se pasioni është i paprekur, bile e përkeqësojnë jetën në çift. Nëse përsëriten, ato të shtyjnë ta konsiderosh tjetrin si armik dhe jo më si mik e shok. Bile ka raste kur njëri nga partnerët kërkon arsye për t’u zënë vetëm për të bërë sherr, apo për të lënduar tjetrin.

– Shpesh zënka nis nga një pikë e caktuar, për të përfunduar në një rrebesh kritikash. Pse ndodh kjo?

– Shumë shpesh, zënka nuk ka lidhje me situatën në çift. Për shembull, burri grindet me gruan sepse ajo ka mbajtur një qëndrim që atij nuk i ka pëlqyer. Në fakt, problemi i vërtetë është se ai mund të ndjehet i zhgënjyer seksualisht në këtë moment, sepse gjendja nuk është e mirë mes të dyve, por këtë, ai e ka të vështirë ta thotë. Zënkat janë shpesh kristalizimi i disa zhgënjimeve (që mund të mos kenë lidhje me çiftin), i gjërave të pathëna. Prova e kësaj është se grindemi më rrallë gjatë pushimeve, kur jemi larg stresit dhe jetës së përditshme. Problemi tjetër është aspekti grumbullues i konflikteve. Shpesh nxjerrim në shesh subjektin e zënkës së fundit dhe grumbullojmë kështu qortimet, me dëshirën për të thënë gjithçka kemi brenda.

– Pikërisht, thënia e këtyre gjërave nuk na bën mirë?

– Të flasësh është gjithmonë më mirë sesa ta mbash diçka përbrenda, por përse të presësh sa gjërat të fryhen shumë për ta bërë këtë? Më mirë të mësosh t’i thuash gjërat ndryshe, në moment dhe, mbi të gjitha, me mirësjellje, sepse gjatë zënkave mund ta lëndosh tjetrin. Sa herë ju thoni më shumë gjëra sesa do të donit dhe më pas pendoheni? Zënkat na rrëmbejnë dhe kështu, ndodh shpesh që personit që duam më shumë në botë, t’i flasim me të keq, pa respekt. Vetëm se dhuna verbale, fizike apo psikologjike e vret çiftin, herët ose vonë dhe nuk është e mundur t’i rezistosh kësaj. Ka fjalë dhe gjeste që nuk harrohen kurrë. Nëse këto zënka nuk e vrasin çiftin, sepse partnerët vendosin të rrinë bashkë, ato vrasin dashurinë.

– Ekzistojnë zënkat “e mira”?

– Nuk besoj. Duke filluar nga momenti që ka pasur një grindje, mes çiftit vendoset dhuna e ndjenjat negative dhe njëri nga të dy mbetet i lënduar. Një zënkë «e mirë» do të ishte në realitet një diskutim i mirë. Ky i fundit mund të jetë mjaft i gjallë, por gjithmonë duke respektuar tjetrin. Kur kalojmë në stadin e zemërimit, thirrjeve, të qarave, fyerjeve, kërcënimeve, ose edhe më keq, të ngritjes së dorës, kjo bëhet për të impresionuar tjetrin, ose për ta manipuluar, për t’i imponuar pikëvështrimin tonë. E tillë është zënka; nuk i lë tjetrit mundësinë të shprehë mendimet e veta.

– Nganjëherë është e vështirë ta evitosh grindjen. Si t’ia arrish kësaj?

– Duhen dy vetë për t’u zënë. Nëse nuk i duroni grindjet, atëherë bëjuni bisht atyre! Asgjë nuk ju pengon të thoni «stop, do të nxehemi po vazhduam kështu. Unë të dua, nuk dua ta bëj këtë. Po dal të marr pak ajër, flasim më vonë me qetësi». Më pas, merreni shtruar për të analizuar subjektin në fjalë dhe për të mësuar se çfarë ju shtyn në grindje. Është një metodë e mirë t’i shkruash ato që ke për të thënë. Skena e grindjes është e vetmja ku askush nuk mëson tekstin, por që të gjithë dinë ta luajnë përmendësh. Përkundrazi, unë mendoj se duhet mësuar teksti. Kur keni diçka për t’i thënë dikujt, shkruajeni, për t’i bërë fjalët tuaja sa më të lidhura me faktet, sa më të ndershme që mundeni. Pastaj thuajani, por duke u qëndruar gjithmonë besnik fakteve. Kurrë mos u grindni me sms apo email. Kështu mund të lindin keqkuptime, nervozizma ose keqinterpretime dhe, lëmë edhe gjurmë të shkruara, gjëja më e keqe në këtë mes. Gjërat, tjetrit i duhen thënë vetëm ballë për ballë.

– Shumica e zënkave në çift përsëriten, pasi rishfaqen të njëjtat subjekte. Si të dalësh nga kjo situatë?

– Pasi ke zgjedhur një njeri, duhet pranuar ai ashtu si është. Njerëzit nuk ndryshojnë. Vështirësia qëndron në faktin se e marrim çiftin si të mirëqenë dhe tjetrin, si pjesën që na plotëson. Ne nuk mund ta qortojmë tjetrin për origjinën, opinionet, familjen dhe fenë e tij… pra, se është ai që është. Në parim, ai nuk ju ka tradhtuar, ju e dinit që në fillim se kush ishte. Pyetja e duhur që duhet t’i bëni vetes është pse ju bezdis një qëndrim i tillë. Le të marrim shembullin e një gruaje që mendon se bashkëshorti i saj kalon shumë kohë duke bërë sport. A është vërtet fakti se bën sport, ai që e bezdis apo fakti se gjatë kësaj kohe ajo është vetëm në shtëpi? Apo ngaqë ka një vajzë të bukur në sallën e palestrës? Apo ajo është pak xheloze, sepse ajo vetë nuk bën sport? Duke ditur këto gjëra, mund të diskutosh me tjetrin dhe më pas, gjithçka mund të negociohet. Nuk mund ta zgjidhësh gjithçka me një diskutim, por mund të merren vendime, me objektiva, afate. Më pas mund të kthesh faqe, të përqafosh tjetrin, t’i thuash që e do dhe të kalosh në diçka tjetër.

– Çfarë të bësh kur ndjen që diskutimi është pa krye?

– Mund të bësh një pauzë, t’i thuash vetes se jeni shumë të nervozuar, të paaftë për të dëgjuar tjetrin e për të përparuar dhe mund të fiksoni një takim tjetër për të folur për këtë. Por kujdes, duhet që diskutimi të mbështetet mbi një subjekt real, jo mbi një qortim. Shumë shpesh subjekti është shumë përgjithësues. Për shembull, nëse ju i thoni bashkëshortit se ju ka ardhur në majë të hundës që mamaja e tij fut hundët, kjo do të thotë se juve ju duket se ajo fut hundët. Tjetër gjë është t’i kërkosh atij të mos i tregojë asaj zënkat tuaja. Edhe në këtë rast, duhet parë më larg. Është mamaja e tij që fut hundët, apo është ai që ende nuk e ka prerë kordonin e kërthizës me të?

– A mund të jetohet vërtet në çift pa u grindur?

– Ka shumë çifte që nuk grinden kurrë dhe shkojnë shumë mirë. Zënka është thjesht një mënyrë për të thënë gjërat dhe këto çifte refuzojnë t’i thonë gjërat në këtë mënyrë. Së bashku mund të vendosim të mos grindemi. Nëse vendosim të ndajmë me tjetrin vite të bukura, ia vlen të përpiqemi të mos i prishim jetën njëri-tjetrit dhe ta trajtojmë tjetrin si shokun/shoqen tonë më të mirë.

 

10 këshilla për të evituar zënkat

– Kujtohuni që ju e doni bashkëshortin/en tuaj, pra, ai/ajo nuk është armiku juaj që duhet luftuar me çdo kusht.

– Thuajini gjërat në moment dhe butësisht. Evitoni lëndimin e tjetrit, aq më tepër që diçka e tillë është joproduktive.

– Mos e akuzoni tjetrin, as mos përgjithësoni. Ka një ndryshim mes të thënit «ti nuk i rregullon kurrë çorapet e tua» dhe «I ke lënë çorapet e tua në dhomë. Mund t’i rregullosh, të lutem?».

– Nëse ndjeni se rritet zemërimi, dilni nga dhoma dhe bëni një shtëtitje. Është mënyra më e mirë për të evituar konfliktin.

– Mos e qortoni tjetrin pse është ashtu si është. Mos qortoni opinionet e tij, origjinën, familjen, fizikun, fenë… por edhe fëmijët, sidomos nëse nuk janë të përbashkët.

– Pranojini gabimet tuaja. Në një moment qetësie, bini dakord mbi faktin se faji gjithmonë është i të dyve. Kjo do t’ju lejojë, gjatë një zënke, që njëri nga të dy ta kujtojë këtë dhe të qetësojë situatën. Nuk ka kuptim të duash me çdo kusht të provosh se ke të drejtë. E rëndësishme është vetëm të gjendet një zgjidhje për problemin.

– Mos u grindni në publik, para të afërmve, miqve, fëmijëve. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të shprehësh se nuk je dakord me diçka, por, të mos tregosh respekt për tjetrin para njerëzve që i do, është diçka e rëndë.

– Mos fyeni, kërcënoni, apo ngrini dorën. Respekti ndaj tjetrit tregohet në shumë detaje.

– Jini të ndershëm ndaj vetes. Evitoni manipulimin, teatrot… Kur ndjeni se do të filloni të bërtisni, qani, apo kërcënoni, thuajini vetes se po e teproni dhe se çifti juaj nuk funksionon në këtë mënyrë.

– Mësoni të kërkoni falje. Ideale do të ishte në moment, përndryshe, më vonë, mësoni të thoni se keni gabuar, që keni vajtur shumë larg, që nuk e mendonit atë që keni thënë, që ju vjen keq.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë efekti kanë ushtrimet me pesha?

Next Post

E tradhtova burrin tim të sëmurë me kancer

Advertisement