Isha shumë e re, vetëm 27 vjeçe, kur u ndava nga im shoq. Kisha dy fëmijë, që, për fat të keq, gjykata i ndau nga njëri-tjetri. Vajzën, që në atë kohë ishte vetëm dy vjeçe, e mbajta unë, kurse djalin e mbajti im shoq. Në atë kohë, djali ishte pesë vjeç. E përjetova divorcin si një fatkeqësi dhe më shumë se një herë u përpoqa të vrisja veten, por ideja se duhet të kujdesesha për vajzën më jepte forcën për t’i jetuar ditët e mia të zeza. Pas ndarjes, unë fitova të drejtën për të marrë një dhomë të shtëpisë së tim shoqi, por do të qe e pamundur të jetoja atje, pasi nuk mund të rrija ende në një shtëpi me njerëzit prej të cilëve isha ndarë tashmë. Për këtë arsye, familjarët e mi biseduan me familjarët e ish-bashkëshortit, ne ramë dakord që unë t’u lija atyre dhomën dhe ata, të më blinin një garsonierë të vogël, që do të ishte prona ime dhe e vajzës.
Edhe sot e kësaj dite nuk di të them se cila ishte arsyeja që më ndau nga im shoq. Po të kisha patur pjekurinë e tanishme, them se nuk do t’u kisha kushtuar shumë rëndësi zënkave tona, që atëhere më dukeshin fundi i botës. Do të kishte mjaftuar të tregohesha më tolerante e të përpiqesha të sheshoja konfliktet që kisha me tim shoq dhe jo t’i hidhja benzinë zjarrit, kur i thonë, por ja që në atë kohë unë nuk e kuptoja këtë. Në familjen time isha vajzë e vetme dhe më kishin llastuar shumë, kështu që ecja me mendimin se të gjithë duhet të bënin ashtu si thoja unë. Në familjen e tim shoqi, në fakt, gjeta diçka tjetër. Ai jetonte me prindërit e me një vëlla më të vogël dhe ata, si familje me tradita që ishin, prisnin që nusja e djalit t’u shërbente, sipas zakonit. Unë, jo vetëm që nuk i kisha shërbyer kujt në jetën time, por edhe isha mësuar të më shërbenin, kështu që shumë shpejt nisën konfliktet mes meje e vjehrrës e pastaj, mes meje e tim shoqi. Ai përpiqej të më bindte të sillesha si duhej, por mua më dukej sikur donte të vinte diktatin dhe e kundërshtoja keqas. Punët arritën deri aty sa ai, i acaruar, nisi edhe të vinte dorë mbi mua dhe kjo gjë shkatërroi gjithçka. Arritëm të jetonim bashkë për rreth gjashtë vjet, por më shumë, ishte e pamundur. Megjithëse i dua shumë fëmijët e mi, më vjen shumë keq që pata fëmijë nga kjo martesë. Do të kishte qenë më mirë të kisha qenë e vetme kur u përballa me divorcin, në mënyrë që të mund të riparoja në radhë të parë veten time e pastaj të merresha me edukimin e fëmijëve.
Me gjithë problemet e shumta që një natë dimri nuk do të mjaftonte për t’i treguar, jam shumë e sigurtë kur them se dhimbjen më të madhe në jetë e kam provuar kur gjykatësja dha vendimin që djalin ta mbante im shoq. Deri në atë moment isha e bindur se po bëja mirë që po ndahesha dhe e vendosur për të ndërtuar një jetë e vetme, por isha e sigurtë që do të kisha me vete edhe fëmijët e mi, pasi mendoja se vetëm nëna ka të drejtën për të jetuar me fëmijët e saj. Në fakt, gjykata nuk mendonte si unë. Ata më lanë vajzën, që ishte më e vogël e kishte nevojë për kujdes dhe më morën djalin, që ishte drita e syve të mi… U ndjeva si e ndarë më dysh. Në atë moment u përballa vërtet me dhimbjen dhe kuptova se deri atëhere nuk e kisha njohur. Nuk kishte gjë më të tmerrshme sesa të të merrnin fëmijën, dritën e syve. E ç’rëndësi kishte se unë do ta merrja gjatë fundjavës, siç do të merrte im shoq vajzën? Nuk do të kisha më mundësi të kujdesesha për të nga mëngjesi në mbrëmje, nuk do të ndiqja dot hapat që do të bënte në jetë, nuk do ta mësoja dot për të bërë detyrat e shtëpisë kur të hynte në shkollë, nuk do ta zgjoja në mëngjes e nuk do t’i thoja dot “natën e mirë”. Atë ditë kam qarë jo si të më kishin ndarë nga djali, por njësoj sikur ai, larg qoftë, të më kishte vdekur. E kam qarë me “oi” dhe ishte vetëm vajza e vogël që u tremb nga unë ajo që më kthjelloi disi, për të më kujtuar se nuk duhet të tregohesha aq e dobët në sytë e saj.
Mungesën e djalit e kam menduar gjithmonë si një dënim nga Zoti, për paaftësinë time në ndërtimin e një marrëdhënieje të vërtetë martesore. I kam dashur fëmijët e mi aq sa ç’mund të dojë një nënë fëmijët e saj dhe kam dhënë gjithçka për ta. U desh të kalonte shumë kohë pas divorcit që unë të merrja disi veten dhe të mendoja për të gjetur një punë e për të rindërtuar disi jetën time. Mua, që kisha qenë gjithmonë një grua e bukur, me një elegancë që binte në sy dhe që nuk pësoi asnjë ndryshim pas lindjes së fëmijëve, vuajtja më bëri kockë e lëkurë. Nisa të ndihesha vazhdimisht e dobët dhe nëna ime këmbëngulte që të shkoja të vizitohesha, por unë kisha vendosur të mos i dëgjoja më fjalët e saj. Kisha nisur të ushqeja një lloj armiqësie ndaj nënës sime që gjithmonë më thoshte se kisha unë të drejtë, kur unë isha ndërgjegjësuar se shumë gabime të miat më kishin çuar në atë disfatë të madhe në jetë.
Unë fillova punë kur vajza mbushi katër vjeç. Deri në atë moment jetova me paratë që më sillte ish-bashkëshorti dhe babai im, që kishte një biznes shumë fitimprurës. Prindërit m’u lutën të shkoja të jetoja me ta, por unë nuk pranova. Nuk doja të jetoja më nën hijen e tyre. Doja të isha e zonja e vetes dhe përpiqesha ta mbaja vajzën time shumë larg mamasë. Nuk doja që ajo të merrte atë edukatë shkatërruese me të cilën isha ushqyer unë, që në vogëli. Nuk them se e pata të lehtë në punë, pasi nuk kisha punuar kurrë dhe ideja se do të kisha njerëz mbi kokë qe si një traumë tjetër, por mësova të ulja kokën e të punoja, si gjithë të tjerët. Babai më thoshte vazhdimisht se puna që bëja “nuk ishte në rangun tim”, madje edhe u zemërua kur pa se nuk po i bindesha, por unë vazhdova me timen. Shumë shpejt, u bëra njeri tjetër. Këtë e vuri re edhe im shoq, që vinte herë pas here për të më sjellë djalin e për të marrë vajzën. Një ditë, ndërsa priste që vajza të dilte nga dhoma e saj, ai më tha se “sido që kishin shkuar gjërat mes nesh, ai më kishte dashur shumë”. Më erdhi për të qarë. Ai ishte martuar sërish, kështu që unë nuk kisha asnjë shpresë për të rindërtuar martesën time, megjithëse do të kisha dashur shumë ta bëja këtë.
Sot, vazhdoj të jetoj me vajzën time, që është bërë adoleshente dhe është një nxënëse e shkëlqyer. Më vjen mirë që ajo është një natyrë e pavarur dhe që e ka njohur vuajtjen në jetë. Kjo do ta bëjë më të fortë… E dua po aq sa edhe djalin tim, që tashmë është rritur dhe më shumë rri në shtëpinë time sesa në të tijën. U kam folur të dyve për rininë time, për gabimet e shumta që kam bërë kur isha ende dhe ata… më kanë falur. Ky është një lehtësim i madh për mua. Kur shoh se ata më rrethojnë me dashuri dhe janë aq të mbarë, e them me plot gojën se jeta ime më ka vlejtur për diçka dhe… jam e lumtur!