Shkencëtarët kanë zbuluar se qentë dhe macet kanë alergjene (substanca që shkaktojnë alergji), të cilat gjejnë reagim imunitar të ndryshëm te njerëzit. Ndërkohë që alergjenet që kanë qentë reduktojnë mundësinë për të zhvilluar glaukomën (kjo sëmundje sysh zë vendin e dytë ndër ato që shkaktojnë verbërinë në Britaninë e Madhe), ato të maceve gati e dyfishojnë rrezikun e infektimit nga kjo sëmundje. Shumë njerëz që kanë kafshë shtëpie vuajnë nga alergji të lehta ndaj tyre, por prapë i mbajnë. Megjithatë, studimet e reja kanë treguar se edhe një alergji e lehtë mund të çojë në verbëri…
Studimi, i kryer nga Universiteti i Kalifornisë, UCLA, zbuloi se të zotët e maceve kanë 90% më shumë mundësi të sëmuren nga glaukoma sesa ata që nuk kanë mace. Përkundrazi, ata që kanë qen kishin 20% më pak mundësi për të pasur këtë sëmundje. Mbajtja e qenve ka edhe të mirën se, falë tyre, pronarët dalin më shpesh jashtë, gjë që ka provuar se lufton dritëshkurtësinë. Kirurgu britanik i syve, doktor David Alambi, thotë: “Macet mund të shkaktojnë reagim të sistemit tonë imuntar në një mënyrë që i predispozon sytë të zhvillojnë glaukomën. Ekspozimi ndaj qenve duket se ka efektin e kundërt dhe mund të jetë mbrojtës ndaj sëmundjes”.
Glaukoma ndodh kur lëngjet në sy nuk largohen në mënyrë efikase, duke shkaktuar një grumbullim të tyre, gjë që dëmton nervin optik dhe fibrat e nervit. Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se inflamacioni mund të shkaktojë sëmundjen dhe studiuesit donin të zbulonin nëse kjo mund të nxitej nga alergjenët e kafshëve shtëpiake.
Kafshët shpesh kruhen, kështu që alergjenët nga pështyma dhe sekrecionet shpërndahen në shtëpi, nga ku mund të thithen lehtë nga njerëzit. Kur njerëzit vuajnë nga një reaksion alergjik prej kafshëve, nivelet e antitrupave të imunoglobinës rriten, gjë që shkakton kruarje të syve, teshtima dhe zënie të hundëve. Shkencëtarët kanë matur nivelet e antitrupave në një grup prej 1678 burrash dhe grash që ishin të ekspozuar ndaj qenve, maceve, buburrecëve, akarieve dhe brejtësve. Megjithëse ata nuk gjetën lidhje mes akarieve dhe glaukomës, u zbulua një rritje e madhe, 2.3 herë, për ekspozim ndaj buburrecëve dhe një rritje e vogël për macet. Por ata zbuluan se qentë e ulin rrezikun.
Studiuesit mendojnë se qentë janë më të shëndetshëm për njerëzit, sepse ata kalojnë më shumë kohë jashtë. “Efektet mbrojtëse të qenve mund t’u detyrohen alergjenëve natyralë që ndodhen në lëkurën e tyre, por mund të jenë edhe nga fakti se ata qëndrojnë më shumë kohë jashtë dhe janë të lumtur kur bëhen pis, ndërkohë që macet janë kafshë më të pastra”, thotë doktoreshë Ana Koleman, e UCLA.
“Ne e dimë se ekspozimi ndaj qenve dhe bakterieve që ata mbajnë mund të jetë i mirë për sistemin imunitar. Tani kjo duket se aplikohet edhe për sytë”.
Doktor Alambi, që drejton një klinikë kirurgjikale për sytë në Londër, shton: “Nëse po planifikoni të merrni një kafshë shtëpiake, por nuk e dini çfarë të zgjidhni, mace apo qen, ky i fundit mund të jetë një zgjedhje më e shëndetshme. Qentë i inkurajojnë njerëzit të dalin jashtë dhe të bëjnë më shumë ushtrime fizike. Alergjitë nga kafshët janë shumë të përhapura, dy herë më të mëdha ndaj maceve se ndaj qenve. Neve në Britani na pëlqejnë kafshët shtëpiake, bile, edhe kur prekemi nga alergjia, preferojmë të vazhdojmë t’i mbajmë kafshët dhe të jetojmë me simptomat. Megjithatë, ky studim tregon se njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo ndryshimi në sy”, ka përfunduar ai. Studimi është publikuar në Gazetën Amerikane të Oftalmolgjisë.