Fabul
Lepuri në baltë
Vraponte lepur gjyqtari
Të shpëtonte nga zagari
Hidhet nga një buzë e lartë
Bie në një pellg me baltë
Dhelpra shkon në punë të vet
Kërkon ndihmë lepuri i shkretë
Ngeli dhelpra e habitur
I doli dreka e habitur
Shkon te lepuri me vrap
Të gjorin nga gryka e kap
Nga balta e nxori pa mundim
Dhe e çoi te një burim
Si e lau dhe e pastroi
Me mishin e lepurit drekën shtroi
Nga balta mund të të nxjerrë miku
Mund të të nxjerrë edhe shoqëria
Nga balta të nxjerr edhe armiku
Por vetëm për interes të tija… Gjokë Shkurtaj Vlorë
Ëndrra ime
Shpirti ngjitet drejt shkallëve
Të vetëkënaqësisë
I dehur prej epshit të marrëzisë dhe vetë lumturohet
Plagos, vret dhe vdes
Duke kujtuar ëndrrën,
Kuptova sa larg ish realiteti
Ky realitet i mplakur
Me zhgënjim sinqeriteti
Duke kujtuar ëndrrën,
Kuptova sa larg ish bota jote nga imja,
Iluzionet e humbura të kohës,
Të mjegullta nga dhimbja…
E pra, kjo ish ëndrra ime,
Ëndrra e parë e jetës,
Por, ish larg/eh, sa larg të vërtetës! Maria Arapi – Zefi
Dashuria ime
Për ty do këndoj
Dhe vetëm për ty
O Mariana ime
Pse nuk bëhesh dy
Simbol dashurie
Je ti në jetë
Vargjet janë pak
Si kënga je vetë
Si simbol në jetë
Një lule dhuroj
Po lulja po vyshket
Kënga do të rrojë
Me zë të veçantë
Më bëre për vete
O kokonia ime
Nuk kam më siklete
Me shpirtin që ke
Më fal dashurinë
Fjalët janë pak
Ti je shpirti im. Qerem Velaj
Ajo që ndjej dhe ajo që dua
Vërtet, nuk dua të të dua
Më hapur nuk di se si t’them
Por vallë dreqin ç’ndodh me mua
A me shpirtin tim, bohem?!
Për atë shpirt nuk kishte ligje
Ngjante ujëvarë plot dashuri
Shpirt, që s’mbyllej kurrë në burgje
Por ja që mbeti rob te ti!
Prandaj edhe kurrë nuk thuhet, kurrë
Sepse është shpirti që udhëheq
Çirru më pas, bëj zemrën gur
Mallko e shaj me djaj e dreqë!
Më fal që s’mundem të t’gënjej
Vërtet nuk di çfarë ndodh me mua
Pse dreqin vallë ajo që ndjej
Është më e fortë nga ajo që dua?! Bledi Ylli
Gara e jetës!
Çdo pengesë e kapërcyer
Është pa dyshim një start i ri
Kërkon guxim për t’mos u kthyer
Bindje, kurajo, besim, dashuri!
Mund të rrëzohesh tek e para
Por ti ngrihu dhe fort vazhdo
Në jetë do hasësh gjithmonë gara
Duhet fitore, ndaj shumë lufto!
Nuk ka rëndësi sa herë rrëzohesh
Sa herë ngrihesh ka shumë rëndësi
Pa u rrëzuar s’mund të mësohesh
Që të synosh trofeun e ri!
Do të të shtyjnë në garën tënde
Do të godasin të të rrëzojnë
Por në një garë ka shumë vende
Ku më të mirët, triumfojnë
Ti pa dyshim je ndër të mirët
Dhe do të dalësh në vend të parë
Se s’të pengojnë as gurët, zinxhirët
Ti ke lindur, për të vdekur në garë! Romeo Gegushi