Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Bekim Balaj: Unë, heroi me Serbinë!
Fatma e Mad Day Nëse nuk më ndodh diçka e çmendur, shqetësohem!
Kërkesat më të çuditshme që bëjnë turistët

Fatma e Mad Day Nëse nuk më ndodh diçka e çmendur, shqetësohem!

 

 

E keni parasysh atë momentin kur të karakterizon energjia, gjendja pozitive dhe dëshira për të biseduar? Në një moment të tillë e kemi realizuar këtë intervistën me Fatmën, vajzën që prezanton emisionin “Mad Day” në Mad Tv sepse çdo pyetje pasohet nga përgjigje mjaft simpatike, ashtu siç është edhe ajo vetë. Jo më kot ajo është pjesë e Mad Tv. E gjithë intervista karakterizohet nga copëza “mad” (të çmendura) made by Fatma dhe që mbyllet me një shije mjaft të mirë, pozitive. Deri në intervistën tonë të radhës, përjetoni pak “çmenduri” edhe ju duke lexuar këtë bisedë mjaft të këndshme me vajzën e surprizave.

Advertisement

 

Mia Buci: – Simpatike, energjike, e shkathët… Përshëndetje Fatma!

Fatma: – E lumtur, komode dhe me dëshirë të madhe për një “mad intervista” (intervistë të çmendur). (Buzëqesh)

– Ti, Fatma, sa “e çmendur” je?

– E gjej gjithmonë një mënyrë për të qenë e tillë, edhe në një ditë të zakonshme. Ne po festojmë edhe 1 vjetorin së shpejti, kështu që nëse nuk kam qenë “mad” për një vit, duhet të jem bërë. (Qesh) Por në të vërtetë në “Mad day” të gjithë janë pak “mad”, edhe kameramanët, edhe inspektori i studios madje. Unë nuk po pres fundin e intervistës, për të ta lënë të hapur ftesën të na vizitosh dhe ta provosh këtë ndjesi.

– Po për vetë emisionin çfarë do të më thoje?

– Besoj është bukur që dy orë në ditë të lësh gjithçka “off” (të fikur) dhe të zgjosh atë pjesën e çmendur që kemi te vetja. “Mad day” është dashuria ime e parë dhe siç duket, kështu ka rezultuar edhe për ndjekësit që unë i quaj madista, por edhe për të ftuarit e fushave të ndryshme. Pasi janë rehatuar në studio, e kam patur të vështirë t’i përcjell. (Qesh)

– Si duhet të jenë të ftuarit që t’i përshtaten natyrës së emisionit?

– Po ja, për shembull, të jenë pa taka nëse do kërcejnë sipër divanit dhe të mos kenë probleme me zemrën nëse do t’i tremb gjatë intervistës. (Qesh) Unë e them shpesh që ne nuk bëjmë intervista, ne bëjmë qejf. Sido që të vijnë, në fund të ditës përfundojnë “mad”.

– Përveçse simpatike, ti dallohesh edhe si një femër me shumë stil. Për ty, stili lind apo kultivohet?

– Po ma thua kaq shumë këtë “simpatike”, sa po filloj ta besoj. (Qesh) Të them të drejtën, unë kam veshur dhe t-shirtin e babit tim apo kam modifikuar fustanet e mamasë, me pak tërheqje veshi nga drejtori i imazhit, Niko Komani. Edhe kultivohet stili, por unë nuk besoj se kam stil më shumë se dëshirë për ta veshur unë rrobën, jo ajo mua.

– Çfarë duhet për një jetë me dashuri?

– Gjërat e thjeshta janë më të vështirat për t’u kopjuar, kështu që edhe një jetë me dashuri, ka të bëjë me një recetë të thjeshtë: Njerëzit e duhur, një motiv që të rrëmben mëngjeset dhe një ëndërr që të vjedh gjumin, ah, edhe një gazetë “Intervista” për pasdite nuk do të ishte keq. (Qesh)

– E lë botën tënde të brendshme t’i ekspozohet botës jashtë?

– Nëse nuk do t’i jepnim kësaj botës së jashtme pak nga bota jonë e brendshme, dyshoj se do ishte kaq e bukur. Deri më tani, vetëm pozitivitet kam në botën e brendshme. Kur të ndryshojë situata, besoj se do t’i vendos çelës. (Qesh)

– Përveç Mad Tv , çfarë tjetër i bën të veçanta ditët e tua?

– Njerëzit me të cilët zgjedh t’i kaloj ditët dhe përpjestimi që bëj mes shkollës, miqve, familjes dhe aktiviteteve sportive, sigurisht, edhe çmendurirave. (Qesh)

– Teksa të shoh, më jep përshtypjen e një vajze të qeshur dhe tepër pozitive. A është po e njëjta Fatmë edhe në jetën e përditshme?

– Unë sugjeroj të pimë një kafe bashkë dhe do kuptosh që emisionin unë e bëj dhe në një kafene të Tiranës. “Mad day” është format i vërtetë dhe spontan, prandaj ma besuan mua sepse e dinin që unë nuk mund të isha ndryshe.

– Mendimi i parë me të cilin u zgjove sot në mëngjes?

– Bo, sa vonë që qenkam! (Qesh)

– Ç’të re ke zbuluar së fundi te vetja?

– Që jam zgjatur dhe rri më mirë në taka. (Qesh) Kam zbuluar që lumturohem shumë kur bëj të tjerët të lumtur; kjo më ka bërë vajzë surprizash. (Qesh)

– Kur i ke përjetuar emocionet më të bukura?

– Kjo është nga ato pyetjet që edhe po të kopjoj, prapë nuk do t’i marr pikët maksimale. (Qesh) Nuk e kam bërë një listë se jam e sigurt nuk do të më mjaftonte letra. Edhe të qenurit “mad” është emocion; unë nuk bëj asgjë që nuk më jep emocion dhe jam gjithmonë në kërkim të emocioneve të forta.

– Nga 1-10 sa e tërheq vëmendjen e gjinisë tjetër?

– Meqenëse po flasim për shifra, numri 10 ka qenë gjithmonë i preferuari im, kjo për faktin se bashkon 1 dhe 0. Nuk më gjendet asnjë djalë afër tani që po bëj intervistën, se në të kundërt, do ta kisha pyetur: “Sa tërheqëse po të dukem?”. (Qesh)

– Si e kupton që një mashkull po përpiqet të të joshë?

– Besoj se ne vajzat i kemi radarët femërorë hiperaktivë në flirte të tilla, edhe pse na pëlqen të themi që e kuptojmë që po na joshin vetëm kur na sjellin çokollata dhe lule. (Qesh) Në rastin më kritik, do e pyes: “Më fal, po më josh?”. (Qesh)

– Nëse do të kishe aftësinë për të lexuar mendjen e meshkujve, çfarë do të doje të dije?

– Jam e bindur që do të më duheshin syze optike për ta lexuar, pastaj një kritike letrare për ta redaktuar dhe në fund, një analist të dhënë pas sportit dhe makinave. Vetëm kështu do mund të kuptoja diçka. (Qesh) Por, preferoj t’iu lexoj zemrën më shumë se mendjen.

– Për çfarë të veçojnë në shoqëri?

– Besoj për rrëmujën që krijoj, për thashethemet që u tregoj për Rihanën, për Conversat që vesh, për çudirat dhe çmendurirat.

– Sa të pranishëm janë celulari, viber, vvhatsApp-i në bisedat që bën zakonisht?

– Edhe pse nuk më pëlqen shumë ky fakt, si fanatike e të zezës mbi të bardhë që jam, të gjitha këto aplikacione, edhe falë punës që bëj, janë shumë të pranishme në ditët e mia.

– Nga ku e ke bërë selfie-n e fundit?

– Në një kohë kur Kim Kardashian dhe ceremonia “Oscar” thyejnë internetin me selfie, po më vjen pak turp të them që nuk jam fare e mirë në “selfie”. Më pëlqen më shumë të bezdis personin që kam afër për një shkrepje. (Qesh)

– Me çfarë tjetër do të doje ta sfidoje veten artistikisht?

– Akoma nuk e kam fituar sfidën me takat. Ta mbyll këtë çështje dhe pastaj shohim e bëjmë. (Qesh) E vërteta është se kam dëshirë të provoj, më shumë se të sfidoj.

– Kur dhe për ç’arsye ndodh të dalësh jashtë kornizave të emisionit?

– Nëse kornizat televizive do të mund të flisnin, nuk dua ta imagjinoj çfarë do të thonin për mua. (Qesh) Jam me fat që drejtoj një emision si “Mad day” që vetëm në korniza nuk të fut, kështu që unë do të trembem kur të jem në korniza. (Qesh)

– U trembesh gabimeve? Cilin cilëson si më të bukurin që ke bërë?

– Vetëm gabimet e bukura mbaj mend, ato të shëmtuarat sa më pak i kujtoj, aq më vajzë e mirë më duket vetja. (Qesh) Më fute në mendime tani, më duhet të hap ditarin e adoleshencës dhe të sigurohem që mami nuk do ta lexojë intervistën. (Qesh) Por, e di çfarë? Unë sa herë që gaboj, falënderoj Bob Marlein që më nxjerr nga situata me atë shprehjen e famshme “Gabojmë për të mësuar dhe mësojmë për të mos gabuar më”. (Qesh)

– Je penduar vetëm që…

– …kam gjetur medikamentin e duhur për pendimin, është dashuria. Nëse i bën gjërat me dashuri, nuk ekziston mundësia të pendohesh.

– E ke të lehtë të rifillosh pas çdo fundi?

– Fatmirësisht nuk jam përballur me situata të këtilla. Fundi është atëherë kur unë zgjedh të mbyll librin. Nuk jam edhe aq studioze, por në librin e jetës kam shumë faqe për të shkruar dhe jam në kërkim të një fundi përrallash.

– Fatma, mbiemri yt më bën të mendoj se ekziston ndonjë lidhje farefisnore me Defrim Methasanin…

– Ke goditur në shenjë! (Qesh) Nëse kam ndonjë informacion për sportin, kjo vjen si rezultat i dëshirës me të cilën ndjek çdo dalje televizive të gazetarit sportiv Dëfrim Methasani, i cili është njëkohësisht kushëriri i babait tim.

– Këshilla që të përsërit mamaja?

– Nëse këtu do përgjigjej mami im, do kishte bërë një listë me 100 të tilla, por tani më vijnë ndërmend vetëm dy: “Mos kërce sipër divanit se do rrëzohesh” dhe “Mos i tremb të ftuarit”. (Qesh)

– Cila ka qenë situata më e çmendur në të cilën je ndodhur?

– Dita ime është e mbushur me situata të tilla, madje protagonistë të çmendurive bëj dhe një qytetar që mund të takoj në ashensor, stafin vërtet “mad” të televizionit ku punoj apo edhe rojen e parkimit. Nëse nuk më ndodh diçka e çmendur, atëherë filloj të shqetësohem. (Qesh) Jo gjithmonë rezultojnë mirë, por në fund të ditës, kuptoj pse jam pjesë e një televizioni me këtë emër. (Qesh)

– Për çfarë i shpenzove paratë e fundit?

– Surprizova dikë me një kompozim shumë të çuditshëm lulesh. Të thashë që jam vajzë surprizash! (Qesh)

– Justifikimi që të nxjerr gjithmonë nga situatat?

– Një batutë dhe një buzëqeshje bën dhe botën më të bukur e jo më një situatë kyçe.

– Karakteristika kryesore e shenjës tënde të horoskopit…

– Nuk jam shumë e lidhur me horoskopin. Unë jam Akrep dhe me të dëgjuar e kam që Akrepët janë seksi dhe të zgjuar. Në fakt, këto karakteristika më bëjnë të mendoj se kam ngatërruar shenjë. (Qesh)

– Arrin të kapësh gjithmonë momentin e duhur?

– Jo gjithmonë, por nuk mjaftohem me horizontin. Më pëlqen pafundësia dhe nëse nuk kap momentin, të paktën e kërkoj atë, siç do kërkoj tani në fund që të më marrësh sërish në intervistë, meqenëse ia kalova vërtet bukur. Përqafime. (Qesh)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Bekim Balaj: Unë, heroi me Serbinë!

Next Post

Kërkesat më të çuditshme që bëjnë turistët

Advertisement