Rita Rrjolli: – Ervin, këtë herë vjen me “Kom me t`ndez”… Kë do të ndezësh?

Ervin Bushati: – “Kom me t`ndez”, ka për ta ndez atmosferën kudo që do të dëgjohet! Këngën ma tregoi Dj Erian nga Toronto, Canada. Ndodhesha në një tur atje në dhjetor 2014 dhe më pëlqeu sa e dëgjova. I thashë se do ta përpunoja pak në Tiranë kur të kthehesha edhe do ta bëja hit. Mua nuk më mungon nuhatja për hite…

– Sa kohë të mori realizimi i këngës edhe i klipit?

– Me tekst nga Alex dhe realizimin te Gent Myftaraj puna zgjati 4 muaj, pak a shumë, kurse klipi më mori 1 muaj, bashkë me montazhin. Them se ia ka vlejtur sepse është ndryshe.

– Sa shpenzime ke bërë për klipin?

– Mua nuk më pëlqen të them shifra, por mund të them se është një nga klipet më të kushtueshme që kam bërë. Ka shumë figurantë balerinë, shumë kostumografi etj.

– Ke sponsor për klipet e tua?

– Në fakt, unë çdo gjë e bëj vetë, por them se ka ardhur koha të gjej një menaxher të saktë, gjë që mungon në Shqipëri. Çdo gjë e realizoj nga të ardhurat e mia personale, por në fakt për këtë klip dua të falënderoj “Venice Art” në Shkodër për maskat dhe kostumografinë e shkëlqyer, si edhe Tabu Club&Luna Rossa Restorant, për ambientet dhe gatishmërinë. Miss-et e qytetit të Elbasanit si dhe koreografin Denis Blaceri, me grupin e tij të baletit. Nuk lë pas edhe shoqërinë time, që më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe.

– A është e vështirë ta ruash cilësinë në muzikë, kur kostot janë kaq të larta?

– Mendoj se kam krijuar ekuilibër në muzikë. Pa prishur imazhin, për të cilin kam vite që kam investuar, por edhe duke qenë sa më bashkëkohor. Kënga e fundit e dëshmon më së miri këtë.

– Pas kaq kohësh në skenë, çfarë do ta ndryshoje me patjetër në muzikën shqiptare?

– Nuk ka receta në këtë punë, por them që antivlerat po na mbysin.

– A është e vështirë të bësh hit veror, pa lakuriqësi edhe pa ekspozime të pasmesh?

– Edhe lakuriqësia, po erdhi bukur në art, është në rregull, por po të vijë me vulgaritet, ngelet vulgare.

– Si mendon, fenomeni “Kallash” po i zbeh, apo po i nxjerr më në pah klipet e mirëfillta?

– S`kam ndonjë koment për këtë. Shumëkush gjen mënyra të ndryshme për të kërkuar vëmendje e klikime.

– Klipe të tilla, i shikon si civilizim për shoqërinë tonë, apo e kundërta?

– Të them që është civilizim gënjej, por ka nga ata që kanë shije të tilla dhe janë me shumicë.

– Je tunduar nga rryma tallava?

– Deri tani jo, por edhe s’di ta këndoj tallavanë. Ka edhe ajo përfaqësuesit e saj.

– Po nëse do të të propozohej një bashkëpunim në këtë rrymë?

– Në qoftë se do ta sillja në një stil të moderuar dhe me përfaqësues tipik, pse jo…

– Muzikën popullore s`do ta këndosh më?

– Muzikën popullore e kam timen tashmë, pasi është pjesë e çdo fundjave ku ftohem për të performuar. Si muzikën shkodrane, si të Shqipërisë së Mesme, të jugut, apo të Kosovës.

– Klipi është një kthim mbas në kohë, përballë kohëve të sotme… Pse erdhe me këtë ide?

– Videoja shtrihet në dy kohë të ndryshme. Një çift të cilët dashurohen që nga ballot me maska aristokrate e historia e tyre vazhdon në ditet e sotme… Idea është që edhe pse koha dhe jeta mund të ndajë dy shpirtra, ata do ta gjejnë rrugën që të ribashkohen. Këtu fshihet kuptimi i dashurisë së vërtetë.

– A mund të zgjasë kaq shumë një dashuri?

– Nëse është e vërtetë, besoj edhe në përjetësi.

– Për ty, sa ka zgjatur?

– Do t`ia lëmë kohës. (Qesh)

– Ç`ka të veçantë kjo këngë dhe ku dallon nga këngët e tua të mëparshme?

– Të veçantë e bën muzika, teksti, klipi dhe interpretimi im. Është house më i fortë, sepse evolon koha, evolon dhe muzika.

– Çfarë i duhet një kënge që të kthehet në hit veror?

– Nuk është shumë e thjeshtë; duhet të vijë natyrshëm, të ketë reklamën e duhur që të vijë në televizion e në radio. Të vijë te publiku natyrshëm, pastaj është ai që vendos.

– Beson se “Kom me t`ndez” do të jetë e tillë?

– Besoj shumë te kjo këngë. Do të jetë hit!

– Gjithmonë e më shumë house në muzikë?

– Kjo është kënga e dytë në këtë rrymë, pas asaj “Mele Karramele”. Rryma pëlqehet dhe mua më pëlqen shumë.

– Je aktivizuar në koncerte humanitare… Si ndihesh kur këndon për bamirësi?

– Nuk u kam thënë jo ftesave të tilla dhe do të mundohem t’i bëjmë dhe më të shpeshta koncerte të kësaj natyre. Është mirë të japim kontributin tonë.

– Do ta ribëje këtë gjë, vit pas viti?

– Patjetër.

– Sa i zënë je me koncerte këtë kohë?

– Po vjen një stinë e nxehtë me koncerte që do të shtrihen në gjithë bregdetin shqiptar, por edhe jashtë Shqipërisë.

– Si ia bën të jesh familjar dhe të kesh në të njëjtën kohë shumë obligime, paraqitje në jetën e natës, edhe për netë live?

– Tashmë, djemtë janë rritur pak. Kur ishin më të vegjël, ishte shumë më e vështirë. Kohën më të madhe e kalojnë në shkollë, kurse në fundjavë mundohem t`i përkushtohem gjatë ditës. Edhe pak do rriten e do më bëhen shokë.

– Ankohen ata për mungesën tënde?

– Ankohen pothuajse gjithë kohës. Kanë një mal me kërkesa dhe po u premtove gjë, u rri mendja aty, kështu që mundohem maksimalisht të jem në momentet më kryesore të jetës së tyre.

– Nuk lodhesh duke udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin?

– Profesioni ynë nuk është aq i bukur sa duket. Rrugët, sidomos në kontinentin tjetër, janë ato më të gjatat e më të lodhshmet, por ka edhe kënaqësinë e vet kur ke pjesëmarrje në koncerte, duartrokitesh dhe i kënaq shpirtrat me muziken e bukur shqiptare. Kjo të çlodh…

– Pushimet i ke planifikuar?

– Akoma jo.

– Zakonisht, preferon Shqipërinë?

– Kohët e fundit i kam alternuar të dyja; herë brenda e herë jashtë Shqipërisë. Kjo, në varësi edhe të impenjimeve të mia.

– Diçka të fundit të cilën do ta ndash me fansat e tu?

– Shumë shpejt vjen një tjetër hit veror.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here