Kjo sëmundje është përshkruar për herë të parë në vitin 1885, nga autori Xhorxh Gije dhe vjen në vëmendjen tonë, sidomos sot, kur rastet e të prekurve prej saj, shtohen nga dita në ditë. E keni vënë re se sa janë shtuar njerëzit që kafshojnë thonjtë në momente nervozizmi dhe jo vetë, që ngrenë supet apo përsërisin një veprim tjetër herë pas here? Ja, çfarë na thotë për natyrën e kësaj sëmundjeje dhe për mjekimin e saj, bashkëpunëtori ynë i njohur, mjeku neurolog Agron Islamaj…
Valbona Vukulaj: – Doktor, çfarë janë tiket?
– Tiket janë një sëmundje nervore që karakterizohet nga lëvizje, apo lëshim i tingujve në mënyrë të pavullnetshme. Një tik, pra, një veprim i pavullnetshëm, është i shkurtër në kohë, zgjat nga disa sekonda, deri në disa minuta, por përsëritet dhe rishfaqet gjithmonë në të njëjtën formë.
– Çfarë i shkakton ato?
– Së pari duhet të themi se tiket mund të jenë të karakterit funksional apo nervor, ose pasojë e ndonjë dëmtimi të Sistemit Nervor Qendror, siç mund të jenë infeksionet, goditjet në kokë (traumat, si fizike, po ashtu edhe psikike), apo helmimet e tij, si për shembull nga gazrat, apo përdorimi i medikamenteve që dëmtojnë trurin. Shkak mund të jetë edhe përdorimi i drogave të ndryshme, alkoolit, duhanit etj. Shkaku, apo dëmtimi kryesor në këto raste është kryesisht në nivelin e nyjeve të nënkores, pra, të bërthamave që ndodhen në këtë nivel e që kanë të bëjnë me lëvizjet.
– A trashëgohet ky çrregullim?
– Trashëgimia ka ndikimin e saj të rëndësishme në rreth 80 % të rasteve. Konkretisht, këta të sëmurë kanë një nga prindërit, motrat, vëllezërit, apo lidhje gjaku me një person që shfaq tike, por duhet thënë se këto dukuri shihen më shpesh në persona me sistem nervor të ndjeshëm. Rreth 43 % e fëmijëve që kanë pjesëtarë të familjes me këtë dukuri, do të shfaqin tike të llojeve e formave të ndryshme si lëvizëse, po ashtu edhe zanore, ose të kombinuara. Për shembull, kur një binjak shfaq tike të papritura, të menjëhershme, ose tike kronike, në 77 % të rasteve, edhe fëmija tjetër binjak do ta shfaqë këtë shqetësim. Në rastet e motrave ose vëllezërve jobinjakë, përqindja ulet në 23 %. Konkretisht nga studimet e bëra, rezulton se kanë rëndësi edhe faktorë të tillë si ambienti ku personi rritet dhe edukohet, siç është ai familjar, i kopshtit, shkollës, apo ai shoqërori etj.
– Çfarë ndikon tjetër në shfaqjen e këtij çrregullimi?
– Jo pa ndikim janë edhe faktorët para e pas lindjes së grave shtatzëna. Si të tilla mund të përmendim: Pesha e ulët e gruas shtatzënë, stresi i saj, konsumimi i cigares apo alkoolit nga nënat e ardhshme, pasojat obstetrikale. Asistenca dhe ndjekja para e pas lindjes ndikon si te nëna, po ashtu edhe te fëmija i ardhshëm.
– Në ç’mënyrë shfaqen tiket?
– Tiket mund të jenë të thjeshta, ose të kombinuara. Konkretisht ato mund të jenë: Lëvizëse (motore), zanore ose të kombinuara, pra, si lëvizëse, po ashtu edhe zanore njëkohësisht.
– Le t’i marrim me radhë… Çfarë janë tiket lëvizëse apo motore?
– Këto dukuri përfshijnë muskuj të veçantë, ose grupe muskujsh, por që janë të lidhura nga ana funksionale. Si dukuri klinike të tikeve lëvizëse mund të përmendim: Përpëlitjen e syve, shfryrjen e hundëve, lëvizjen e nofullave apo të shpatullave, ulje-ngritjen nga karrigia, apo kolltuku, rregullimi i rrobave, lëvizjet e duarve, apo të këmbëve në nivel të kyçeve, ose shtrëngim i muskujve të barkut etj. Tiket lëvizëse mund të jenë të herëpashershme (të shpeshta), ose në trajtë “breshërie”, që zgjasin disa sekonda dhe përsëriten gjatë gjithë ditës. Ato mund të jenë edhe të rralla, pra, 1-2 të tilla, gjatë gjithë ditës.
– Po tiket zanore?
– Këto dukuri mund të shfaqen në trajtë të kruajtjes së zërit apo të fytit, në trajtë kolle, apo imitim të kafshëve apo shpendëve të ndryshëm, në trajtë fërshëllimash etj. Po ashtu, mund të shfaqen edhe në trajtë përsëritjesh, apo shqiptimi të fjalëve, apo frazave të ndryshme, ose edhe të rrokjeve, që shpeshherë nuk lidhen me situatën, apo ambientin ku ndodhen këta persona.
– Dhe na mbetën tiket e kombinuara ose të përziera…
– Në këto raste, të sëmurët shfaqin si tike lëvizëse, po ashtu edhe zanore njëkohësisht. Si të tilla mund të përmendim: Tundja e trupit ose anësive e pëshpëritja e fjalëve, apo të rrokjeve të herëpashershme etj. Shtojmë se këto dukuri pakësohen ose ndërpriten gjatë gjumit, sidomos atij të thellë. Kur pyeten këta të sëmurë, shumica e tyre thonë se “është e vetmja mënyrë për t’u çliruar nga situatat e vështira që përjetojnë”. Në këto raste, ata përjetojnë një ndjesi të padëshirueshme, por edhe të parezistueshme, që i detyron të shfaqin këto dukuri.
– Si e bëni ju mjekët diagnostikimin e personit? Mbi cilat kritere bazoheni?
– Për të dalluar nëse tiket janë pasojë e një situate stresante, pra, janë të karakterit funksional nervor, apo pasojë e një dëmtimi të Sistemit Nervor Qendror, ne mjekët specialistë mbështetemi në këto të dhëna:
- Historiku i sëmundjes, që flet për kalim të një goditjeje, traume fizike, një infeksioni, helmimi, ose të një traume psikike.
- Kohëzgjatja. Tiket nervore, apo funksionale janë të përkohshme dhe lidhen me një situatë stresante dhe pas një periudhe kohore, ato kalojnë.
- Mosha e fillimit dhe e përfundimit të tikeve nervore është 6-7 vjeçare e përfundojnë në moshen 18-19 vjeçare, në ndryshim nga ato që lidhen me dëmtime të Sistemit Nervor Qendror, të cilat shfaqen jo vetën në moshë më të vogël, por zgjasin gjatë gjithë jetës.
ç. Tiket funksionale shfaqen disa herë gjatë ditës dhe ndodhin në situata stresante. Ato mund të ndërpritjen për një periudhë 2-3 mujore, në ndryshim nga ato organiket (që janë si pasojë e dëmtimeve të SNQ) që jo vetëm nuk ndërpriten, por vazhdojnë tërë kohën.
- Për diagnozën ndihmohemi edhe nga bërja e disa analizave që na tregojnë nëse kemi ose jo dëmtime të SNQ, siç mund të ndodhë në rastet e tikeve me bazë nga dëmtime të tilla si psh. traumat, infeksionet, helmimet etj., në ndryshim nga ato funksionale, ku nuk kemi dëmtime të SNQ. Si ekzaminime mund të përmendim skanerin, ose rezonancën mangetike të kokës etj. Tiket funksionale duhen dalluar edhe nga sëmundje të tilla si për shembull epilepsia, apo helmimet e ndryshme etj.
– Çfarë problemesh të tjera shfaqin fëmijët që vuajnë nga tiket?
– Fëmijët që shfaqin të tilla dukuri kanë edhe vështirësi për të mësuar, ose kanë ankth, apo çrregullime të sjelljes, të gjumit etj. Ata ndihen fajtorë për çdo veprim që bëjnë si në familje, shkollë apo në shoqëri, gjë që i bën të kenë vështirësi edhe në përshtatjen me këto ambiente, pra këta fëmijë janë të tërhequr, ose mund të jenë shpërthyes.
– Si mjekohet kjo sëmundje?
– Së pari duhet të zbulohet shkaku dhe në bazë të këtij faktori duhet të bëhet mjekimi individual psikologjik, riaftësues e medikamentoz. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë prindër, fëmijë, mjek e psikolog. Vetëm atëherë mund të arrihet që kjo dukuri të mjekohet dhe të parandalohet si me qetësues të SNQ, ose antianksiozë e ripërtëritës të S.N.Q. Suksesi qëndron vetëm te ndërhyrja nga ana jonë në hallkat e fiziologjisë patologjike të prishur të këtyre fëmijëve, për t’i kthyer në normalitet. Në të kundërt, ato do të bëhen të zgjatura (kronike) dhe të vështira për t’u mjekuar.