Ajo ka lindur me muzikën dhe muzika me të. Kështu thotë Artushi, e cila vjen për publikun më baladën e parë të saj, me titull “Shko”, baladë e cila i rrënqeth shpirtin kujtdo që e dëgjon. Ajo ka dhënë maksimumin në këtë baladë sepse ka dashur të vijë e realizuar maksimalisht. Ne urojmë që suksesi të mos mungojë për Artushin në këtë baladë dhe në këngët e tjera që do të sjellë në vazhdim…

 

Fabjola Kuburi: – Artush, ta nisim këtë intervistë me hapat e parë në muzikë. Si i hyre muzikës, si erdhe në botën e saj?

Artushi: – Artushi ka lind me muzikën dhe muzika ka lind bashkë me Artushin. Muzika është jetë dhe jeta ime është muzikë.

– Para se te hyj te baza e kësaj interviste, që është balada jote e parë, më trego pak për “Pikë në zemër”, se edhe neve na ka ngelur pikë në zemër kjo këngë…

– Të gjithë e kanë pikë në zemër atë këngë. Kënga është punuar nga Ervin Gonxhi me të cilin edhe e kam prezantuar. “Pikë në zemër” është një këngë që ka për të mbetur ashtu, pikë në zemër.

– Të shkojmë pak te kënga jote më e re, balada me titull “Shko”. Kujt i thotë Artushi “shko”?

– Artushi i thotë “shko” atij që nuk i korrespondon asaj që unë përpiqem të përcjell: pozitivitet dhe energji. Pastaj, sa i përket titullit të baladës, duhet të pyesim tekstshkruesin. (Buzëqesh)

– Sa shpirt ke dhënë ti në këtë baladë? Si u realizua kjo baladë për të ardhur në gjendjen finale?

– Ç’t’ju them?! Kam dhënë maksimumin, kam dhënë gjithë shpirtin. Është balada ime e parë dhe dua të vijë te publiku me atë shpirt që e kam kënduar unë.

– Ti je shumë miqësore… Realisht, a ia vlen të jesh miqësore në këtë kaos social?

– Është shumë e vështirë me kriju miqësinë e vërtetë, por ke parë ti që unë jam e aftë t’i dalloj kush është mikeshë apo mik i mirë? (Buzëqesh) Seriozisht, sot është fat me pas miqësi të vërtetë.

– Artush, pse iu dedikove baladave tani? A do të ketë një tjetër baladë pas kësaj?

– Sigurisht që do të ketë të tjera. Të them të vërtetën, kam kohë që e mendoj këtë baladë dhe ia arrita ta sjell ashtu siç e doja unë. Uroj vetëm që publiku ta dojë po aq sa e dua unë.

– Cilën rrymë këndon Artushi me më shumë pasion? Cilën nuk do ta këndonte kurrë?

– Këngët e Shqipërisë së Mesme, i adhuroj, i dashuroj dhe i këndoj me shpirt. Nuk do të këndoja asnjëherë hip-hop, nuk më ngjit, nuk e bëj dot. (Buzëqesh)

– Me the se bashkëpunon me “Threedoots”. Ke gjetur rehatinë e duhur profesionale me këtë produksion?

– Kam kohë që bashkëpunoj me këtë studio dhe kam gjetur rehatinë që çdo këngëtar do të dëshironte të gjente për të realizuar produktet e tij.

– Artush, ke një emër të bukur dhe të veçantë…

– Artush është emri im i artit. E ke parasysh kur i ke gjërat për zemër dhe i thërret me përkëdheli?! Ja, ashtu më ka ngelur Artush!

– Kush të këshillon apo bën kritika më shumë?

– Kam bashkëshortin për këshilla dhe motrën për kritika. (Buzëqesh)

– Më trego pak edhe për marrëdhëniet që ke me koleget në muzikë…

– I kam fantastike, jam njeri i shoqërueshëm dhe s’kam arsye të mos i kem të tilla.

– Ke ndonjë prej tyre më për zemër?

– Nuk dua të krijoj hatërmbetje, kështu që nuk po konkretizoj emra.

– Po që nuk e duron dot?

– Ah, kjo nuk është pyetje për mua!

– Si nis dhe si mbaron një 24-orësh i Artushit?

– Nis mrekullisht me puthjet e përqafimet e djalit dhe mbyllet prapë me të. A ka më bukur?!

– Ja ku dole te pyetja ime! Ti je nënë e një djali dy vjeçar. Më trego pak si je si nënë, e rreptë apo e dashur? Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde qëkur je bërë nënë?

– Jam nënë e dashur dhe falë Zotit, kam një djalë po aq të dashur. Kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën time, por vetëm në kuptimin pozitiv. Të jesh nënë, është bekim.

– Klipet i realizon sipas ideve të tua apo i lë të të ndihmojnë edhe ata që e kanë marrë përsipër ta bëjnë këtë gjë?

– Kam qejf të jap idetë e mia, por edhe të bashkëpunoj me profesionistët. Rëndësi ka të dalë diçka e bukur për publikun.

– Kur mund të mërzitet Artushi?

– Ja një tjetër pyetje që nuk është për mua. (Buzëqesh)

– Ke një zë të veçantë me bazë orientale, të mrekullueshëm, me një fjalë të vetme, por nuk këndon nëpër lokale me muzikë live. Pse?

– Është zgjedhja ime personale. Nuk ka asgjë të keqe të këndosh edhe nëpër ambiente të tjera, lokale, muzikë live, por zgjedhja ime është t’u përkushtohem vetëm dasmave. I adhuroj gëzimet familjare dhe dua të jem pjesë e tyre.

– A ka një skenë në botë ku ti e kë ëndërr të këndosh?

– Unë i kam kënduar djalit qëkur ishte në bark dhe vazhdoj t’i këndoj. Të këndoj për të… kjo është skena më e madhe dhe më e bukur për mua.

– Ti je e martuar prej vitesh dhe ke një martesë të suksesshme. A ka ndonjë recetë për këtë?

– Çfarë recete mund të ketë, përveç dashurisë, përkushtimit dhe respektit reciprok?! (Buzëqesh)

– Artush, cilën nga këngët e tua e ke më për zemër?

– E dua shumë “Pikë në zemër”, por dua shumë edhe baladën e re “Shko”.

– A ka pasur ndonjë rast kur ti ke thënë me vete: “Faleminderit Zot për zërin që më ke dhënë, por në Shqipëri nuk është vendi i duhur për të bërë karrierë”?

– Sipas vendit, edhe kuvendi. Falënderoj Zotin për zërin, por pse jo, edhe që jam shqiptare.

– Cili është tingulli që të zgjon në mëngjes?

– Zëri i ëmbël i djalit që më thotë: “Çohu mami, pi kafe ti”. (Buzëqesh)

– Si i ke bashkërenduar karrierën dhe familjen, pa e humbur përkujdesjen për asnjërën?

– Kam pasur mbështetje shumë të madhë nga bashkëshorti, por edhe përkushtim nga ana ime. Nëse përkushtohesh arrihet gjithçka.

– Artush, je e dhënë pas kuzhinës?

– Jam dhe gatuaj goxha mirë.

– U dashka ardhur për drekë ndonjë ditë…

– Bujrum! Dhe jepni notën vetë pastaj për gatimet. (Qesh)

– Bën dhurata?

– Shumë. Më kënaq ajo shprehja e fytyrës që merr personi që i bëj dhuratën.

– Merr dhurata?

– Ah, bashkëshorti im është njeri i mrekullueshëm dhe më bën dhurata pa fund, jo vetëm në raste festash. (Buzëqesh)

– Artush, a lamë ndonjë gjë pa thënë?

– Lamë, si nuk lamë? Por, nëse i themi tani të gjitha, çfarë do të themi në intervistën tjetër?! (Buzëqesh) Artushi ju do shumë dhe ju uroj gjithçka të bukur tani e në vazhdim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here