– Jam një emigrante shqiptare me banim në Bari të Italisë, e datëlindjes 4.05.1955. Jam diplomuar si ekonomiste në Universitetin e Tiranës. Në Shqipëri kam gjithsej 23 vite me kontribute. Desha të informohem, në ç’datë e plotësoj moshën e daljes në pension? Me këtë vjetërsi që kam, a përfitoj pension dhe sa vite mund të më duhen për të marrë pension të plotë? A mund të bëj sigurim vullnetar dhe sa mund të paguaj për të kompletuar vjetërsinë kontributive për pension të plotë pleqërie në Shqipëri? A konsiderohen vjetërsi kontributive vitet e shkollës së lartë?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar letërshkruese, bazuar në Ligjin 104/2014 për vitin 2015, për gratë mosha e daljes në pension shtohet për 2 muaj. Pra, ju do të plotësoni moshën për pension më datë 04.07.2015. Vjetërsia në punë që duhet për të përfituar pension të plotë është 35 vite e 4 muaj. Duke qenë se keni gjithsej 23 vite punë, do të përfshiheni në kushte të përfitimit të pensionit të pleqërisë. Në nenin 31 të ligjit 104/2014 thuhet: “Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshen e përcaktuar në nenin 92 të këtij ligji”. Përderisa ju e plotësoni këtë kërkesë ligjore, jeni në kushtet e përfitimit të pensionit. Në rast se do të dëshironi të dilni në pension me këtë vjetërsi kontributive, llogaritja e pensionit do të bëhet për këto 23 vite, sipas nenit 32 të ligjit 104/2014 ku cilësohet: Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59 të këtij ligji. Në nenin 42 të ligjit 104/2014 theksohet: Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 01.09.2000 dhe deri në 31.12.2032, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo më shumë se 6 vjet, njihet periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie. Në kuptim të këtij neni, viti shkollor është me 12 muaj. Nisur nga ky nen periudha e studimeve në universitet, njihet si periudhë pune kontributive. Shpjeguar më konkretisht në rastin tuaj, shuma bazë e pensionit do të jetë; 23 vite që keni pjesëtuar me 35.vite e 4 muaj që duhet, shumëzuar për pensionin social që këtë vit është 6750 lekë. (23/35.3 * 6750 = 4398 lekë). Kësaj shume i shtohet edhe shtesa 1/100 për çdo vit sigurimi, shumëzuar për bazën e vlerësuar për 23 vitet e punuara. Po të marrim në mënyrë hipotetike bazën e vlerësuar 30.000 lekë, do të kishim 23 vite * 30 000 : 100 = 6 900. Në këtë rast, pensioni juaj për 23 vite të punuara do të ishte: 4398 + 6 900 = 11 298 lekë.
– Në rast se do të kisha librezën tuaj të punës, do të bëja një përllogaritje reale të pensionit. Në rast se në këtë vjetërsi nuk keni përfshirë 4 vitet e shkollës së lartë, vjetërsia që keni do të shkonte në 27 vite. Në rast se do të dëshironi të plotësoni vjetërsinë e punës për të përfituar pension të plotë, është mundësia nëpërmjet sigurimit vullnetar. Për të kompletuar këtë periudhë kontributive, do t’ju duhen edhe 12 vite e 4 muaj. Pagesa mujore për sigurimin vullnetar është 4 752 lekë dhe ajo vjetore 57 024 lekë. Për të gjithë periudhën e kërkuar, do t’ju duhet të paguani gjithsej 667 296 lekë. Duke gjykuar sa më lart, mbetet në dorën tuaj për të vendosur. Ju falënderoj për besimin. Naim Balluku.