Mjekësia moderne ka tendencë ta shohë në mënyrë mekanike trupin dhe funksionet fiziologjike të organeve që e përbëjnë atë, por në mjekësinë e lashtë greke dhe në atë tradicionale kineze, mendohet se organet e brendshme ndikohen nga emocionet tona. Emocionet përfaqësojnë përgjigjen e trupit tonë ndaj ndjenjave. Mjekësia greke i konsideronte emocionet të afta të luajnë një rol të rëndësishëm në mirëqenien e organeve, ose në rëndimin e problemeve të tyre. Mjekësia tradicionale kineze ia bashkangjit 7 emocione organeve respektive.
Ja, lidhja mes organeve dhe emocioneve, sipas mjekësisë së lashtë greke dhe asaj tradicionale kineze.
Mjekësia e lashtë greke
Zemra
Zemra është shumë e ndjeshme ndaj gjendjeve emocionale. Emocionet e ashtuquajtura fisnike, si guximi, trimëria, ndershmëria dhe altruizmi e forcojnë zemrën dhe shpirtin, ndërsa emocionet më pak fisnike, si ndjenja e fajit, brerja e ndërgjegjes dhe tendenca për t’u dorëzuar para vështirësive, e dobësojnë. Dashuria dhe dëshira për të jetuar janë shumë të rëndësishme për zemrën. Sipas mjekësisë së lashtë greke, mund të vdesësh vërtet nga problemet e dashurisë. Zemra konsiderohej e brishtë ndaj pasioneve të vrullshme, që mund ta shqetësojnë dhe të krijojnë edhe ethe akute.
Mushkëritë
Mushkëritë janë një organ shumë i rëndësishëm, që punojnë në kontakt të ngushtë me zemrën dhe që rezultojnë të ndjeshme e të brishta ndaj emocioneve të njëjta. Nëse ke ndjesinë se po të kufizojnë hapësirën tënde fizike dhe jetësore, mund të kesh probleme në frymëmarrje dhe astmë. Përkundrazi, ndjenjat e dinjitetit dhe krenarisë kontribuojnë në zgjerimin e gjoksit dhe të mushkërive, duke i bërë ato të punojnë më mirë. Emocionet që reduktojnë dëshirën për të jetuar, veçanërisht dhimbja dhe zija, janë të rrezikshme për mushkëritë.
Fyti
Fyti konsiderohet qendra e komunikimit të trupit tonë. Paaftësia për t’u ekspozuar e shprehur nëpërmjet fjalëve dhe për të thënë të vërtetën, mund të shkaktojnë probleme në fyt. Emocionet e forta, si ankthi dhe tensionet, mund të shkaktojnë probleme, si ndjesia klasike e “lëmshit në fyt” dhe mund të shkaktojnë vështirësi për t’u gëlltitur. Fjalët e pathëna mund të kenë të njëjtin efekt.
Mëlçia dhe fshikëza e tëmthit
Vreri prodhohet në mëlçi dhe mblidhet nga fshikëza e tëmthit. Këto dy organe janë të brishta ndaj emocioneve kolerike, si zemërimi, irritimi, zhgënjimi, mëria, xhelozia dhe zilia. Emocionet kolerike e kanë vendin në këto organe, që, sipas mjekësisë së lashtë greke, edhe mund t’i dëmtojnë ato. Zemërimi dhe tërbimi mund të shpërthejnë papritur, duke kaluar nga mëlçia në kokë dhe duke shkaktuar kështu migrena, tension në qafë, në kurriz dhe stres. Mund të shfaqen probleme në tretje, të shkaktuara nga funksionimi i keq i mëlçisë dhe i fshikëzës së tëmthit.
Stomaku
Stomaku, ashtu si mëlçia, mund të ndikohen nga emocionet kolerike, si zemërimi, tërbimi, urrejtja dhe zhgënjimi. Ato, kur grumbullohen në stomak, mund të shkaktojnë ulçera dhe gastrite. Pasiviteti, shqetësimi, ankthi, tensioni dhe stresi bllokojnë lëvizjen e energjive dhe mund të shkaktojnë probleme të stomakut, dhimbje dhe fryrje, deri në të vjella dhe çrregullime të oreksit.
Zorrët
Zorrët janë të lidhura me shqetësime psikologjike dhe çrregullimet e tretjes, që shkaktohen nga emocionet që kanë lidhje me mëlçinë dhe stomakun. Në pjesën e sipërme dhe të mesme të zorrëve zënë vend emocionet melankolike. Zorra e trashë është shumë e brishtë ndaj tyre. Ajo mund të pësojë efektet negative të shqetësimit, stresit, tensionit dhe nervozizmit.
Veshkat
Tmerri, frika dhe shoku janë emocionet më të rrezikshme për veshkat. Fluksi energjetik i këtyre emocioneve drejtohet nga poshtë dhe mund të minojë forcën dhe sigurinë tonë, por edhe mund t’i inkurajojë ato. Forca dhe siguria janë të lidhura me funksionimin e ekuilibruar të veshkave në funksionet e tyre të mbajtjes dhe evakuimit të urinës. Frika dhe tmerri ekstrem mund të shkaktojnë humbjen e kontrollit mbi funksionet e veshkave.
Mjekësia tradicionale kineze
Organet kryesore dhe emocionet që u korrespondojnë atyre.
Gëzimi-Zemra
Në mjekësinë tradicionale kineze, gëzimi është një emocion i kënaqësisë së thellë dhe është i lidhur me zemrën. Kur një person ndjehet super i eksituar, mund të ketë shqetësim, pagjumësi, ethe dhe rrahje të forta zemra. Me zemrën ka lidhje edhe dashuria.
Zemërimi-Mëlçia dhe tëmthi
Zemërimi është një emocion i bashkëngjitur me mërinë, zhgënjimin, irritimin dhe tërbimin. Mjekësia kineze pohon se këto lloj emocionesh të tipit kolerik kanë lidhje me mëlçinë dhe tëmthin. Zemërimi mund të shkaktojë rritje të presionit të gjakut dhe marrje mendsh.
Ankthi-Mushkëria dhe zorra e trashë
Ankthi është një emocion i lidhur me shqetësimin e tepruar dhe mund të ndikojë sidomos te mushkëritë dhe zorra e trashë. Ankthi mund të pengojë një person të përdorë si duhet energjinë e vet dhe të vuajë nga marrja e frymës, koliti, ulçera dhe inflamacioni i zorrës së trashë. Shqetësimi ka lidhje me stomakun. Ankthi lidhet edhe me shpretkën.
Trishtimi-Mushkëritë
Dhimbja emocionale mund të shkaktojë mungesë harmonie në mushkëri, probleme në qarkullimin e energjisë në gjithë trupin. Dhimbja mund të pakësojë dëshirën për të jetuar, të dëmtojë mushkëritë dhe të shkaktojë sëmundje të frymëmarrjes, sipas mjekësisë tradicionale kineze. Me mushkëritë lidhen edhe emocionet e dhimbjes dhe të trishtimit.
Melankolia-Shpretka
Melankolia dhe shqetësimet e shumta, deri edhe ankthi, ndikojnë te shpretka dhe mund të shkaktojnë lodhje, letargji e paaftësi për t’u përqendruar. Melankolia mund të pengojë edhe sistemin tretës dhe të ndikojë te stomaku, me grumbullimin e gazrave dhe fryrje.
Frika-Veshkat
Sipas mjekësisë tradicionale kineze, frika mund të shkaktojë mungesë harmonie te veshkat. Frika ekstreme mund ta bëjë një person të humbasë papritur kontrollin e fshikëzës dhe funksionit të veshkave.
Trembja-Zemra
Trembja është një emocion shoku dhe paniku, shkaktuar nga një ngjarje e papritur. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, shoku godet në një moment të parë zemrën (le të mendojmë, për shembull, për palpitacionet) dhe, kur bëhet kronik, mund të godasë edhe veshkat, të cilat kanë lidhje me frikën.