Gjyshja që nuk jeton
– Kam parë në ëndërr sikur gjyshja ime që ka 4 muaj që ka vdekur më vuri unazë në gisht. Edhe pse i kam dy unaza te gishti i martesës, ajo më tha: “Mbaje këtë unazë floriri dhe vërja mamit kur të vdesë”. Më pas, më tha: “Lëre fare, ma jep se ia jap vetë”. Më ka frikësuar shumë kjo ëndërr. Nënën e shoh gati çdo 3 ditë në ëndërr ngaqë e kam dashur shumë. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Ju shpreheni vetë se keni qenë shumë e lidhur me nënën; kjo është një nga arsyet pse e keni parë në ëndërr dhe vazhdoni ta shikoni kaq shpesh. Humbja e saj është akoma e freskët për ju, për të mos folur pastaj për kujtimet që keni me të. E mendoni shumë, ndaj ëndrrat me të janë të pashmangshme. Ajo së cilës duhet t’i kushtoni më shumë vëmendje tani është mami juaj. Ajo i vuan gjërat brenda saj dhe ndoshta ka nevojë për ju tani më shumë se kurrë, një lloj këshille që në mënyrë ndoshta jo të zakonshme jua jep nëna juaj, ndjestë pastë, në ëndërr. Gjithë të mirat.
Linda djalë
– Kam parë në ëndërr sikur linda një djalë dhe isha shumë e gëzuar, por nuk e dija kush ishte babai i tij.
– Një ëndërr e tillë do të thotë realizim i një dëshire, që mund të jetë profesionale, në jetën private ose kudo tjetër, por është ëndërr pozitive.
M’u thye unaza e fejesës
– Përshëndetje! Kam parë një ëndërr shumë të frikshme para dy netësh dhe jam bërë shumë merak. Po kthehesha për shtëpi dhe i rashë rrugës gabim. Kisha dy mundësi; ose të kthehesha mbrapa ose t’i bija shkurt. Unë i rashë shkurt dhe papritur, rashë në një hapësirë shumë të lartë. Akoma pa rënë në tokë, unaza e fejesës m’u këput në dy vende, por nuk e humba, e futa në xhep që ta rregulloja. Kur rashë poshtë, isha në një vend të rrethuar me një mur gjigand dhe nuk kaloja dot. Aty brenda ishte një djalë, që kishte hapur një vrimë shumë të vogël dhe premtoi se do të më ndihmonte, por kur u bëra gati të kaloja, më ngeli koka dhe nuk kalova dot. Atij djalit nuk ia pashë fytyrën. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– E dashur lexuese, uroj ta keni kaluar këtë siklet, sepse ëndrra tregon se do të kaloni një periudhë të vështirë që ka lidhje me jetën tuaj private, me partnerin tuaj ose një të tretë, por më shumë ka lidhje me jetën tuaj private. Thyerja e unazës, është një lloj zhgënjimi që do të pësoni në marrëdhënien që keni, por ju do të përpiqeni ta rregulloni këtë marrëdhënie. Rënia poshtë, tregon rënien tuaj psikologjike shpirtërore dhe shqetësimet që do të keni brenda vetes. Edhe muri paraqet pengesën tuaj. Dikush do t’ju gjendet pranë që t’ju ndihmojë, por përsëri do ta keni paksa të vështirë. Ëndrra ju këshillon t’i bëni parapritë çdo gjëje, të kërkoni ndihmën e personave më të afërt ose një këshillë, apo thjesht fare, të jeni më diplomate në marrëdhënien tuaj, të mos nxitoheni në asgjë. Ju uroj fat!