I dashuri dhe zjarri
– Kam parë në ëndërr sikur shkova të merrja motrën në një qytet shumë të largët dhe u kthyem më këmbë për një kohë shumë të shkurtër. Më pas, vajtëm të flinim te shtëpia e të dashurit tim. Kur u zgjova në mëngjes, sikur isha me shokun e ngushtë. Aty ishin shumë burra e njëri prej tyre, donte të më vriste. Ai më plagosi me thikë, por ndërhyri i dashuri im dhe unë shpëtova. Më pas ra zjarr. Ne u përpoqëm të largoheshim drejt shtëpisë së tij dhe i shpëtuam zjarrit.
– Ëndrra juaj tregon se keni nevojë të rigjeneroheni plotësisht si person, sepse ndiheni pak të ngarkuar psikologjikisht. Motra jeni po ju, në situata të ndryshme. Shtëpia e të dashurit tregon nevojën për më shumë mbështetje dhe ngrohtësi. Shoku i ngushtë përfaqëson përsëri një aspekt tuajin në jetë. Plagosja është rigjenerimi juaj, që do të ndodhë shumë shpejt. Edhe mbrojtja e të dashurit është përgjegjësia e tij ndaj jush të cilën, në njëfarë mënyre, ia impononi ju më shumë, por gjithsesi, ai është pozitiv ndaj jush.
Më pa dorën
– Çfarë kuptimi ka kur në ëndërr një fallxhore të shikon dorën dhe të përcakton fatin?
– Fallxhorja në vetvete tregon që duhet të keni kujdes nga këshillat fallco. Vetë leximi i dorës përfaqëson qëllimet tuaja në jetë, ambiciet e dëshirën se si doni ta jetoni jetën tuaj. Uroj t’ju realizohen ato që keni në mendje.
Bashkim me ish-të dashurin
– Kam parë në ëndërr sikur u bashkova me ish-të dashurin tim dhe shkëmbyem puthje, por mendjen nuk e kam pasur tek ai, prandaj ju lutem më tregoni, çfarë do të thotë? Pres përgjigjen tuaj. Faleminderit.
– Një ëndërr e tillë tregon që keni nevojë për shumë dashuri dhe në mënyrë të pandërgjegjshme ju është shfaqur ish-i dashuri, si një dashuri që ka qenë pjesë e jetës suaj. Ëndrra shpreh dëshirën tuaj për ngrohtësi dhe për një person që t’ju dashurojë. Ju urojmë të gjeni dashurinë e vërtetë.