– Përshëndetje! Kam një pyetje për psikolog. Jam një nënë e re që sapo kam kaluar një divorc të vështirë dhe, duke u ndier shumë e rënë moralisht, po ndjek disa seanca me një psikologe, por problemi është që familjarët e mi kërkojnë të takojnë psikologen për të ditur çfarë themi në seancë, pasi dyshojnë se sekretet e mia mund të përhapen. Nuk di si të veproj për t’ua ndryshuar mendjen. Ju lutem, më këshilloni diçka, si të veproj?
– Më vjen mirë që takimin me një psikolog, ju e keni parë si një mundësi ndihme për të përballuar pasojat psikologjike të divorcit. Ambienti mosbesues ndaj konfidencialitetit që ofron psikologu, nuk më habit. Megjithatë, kjo është një çështje etike që ju prek juve e psikologen tuaj dhe, kjo e fundit, duhet t’ua bëjë të qartë prindërve tuaj. Psikologia juaj duhet të refuzojë takimet me familjarët, për dy arsye kryesore:
1) Duke u treguar informacione, ju mund të ndiheni e tradhtuar
2) Kështu po u jep atyre përgjegjësi dhe fuqi mbi ju, kur në fakt duhet të synohet që ju të merrni përgjegjësi për veten.
Supozojmë se ndodh një takim mes psikologes dhe familjarëve. Ju duhet të informoheni për bisedën e kryer me ta dhe familjarëve do t’u thuhet se biseda e kryer me ta do t’ju transmetohet juve.
Megjithatë, bisedat me familjarët duhen kryer vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me fëmijë dhe individë me çrregullime të rënda mendore. Mbështetja e prindërve është e nevojshme për klientin.