E nderuar redaksi e gazetes “Intervista”! Po e shkruaj këtë letër sepse edhe sot pas pesëmbëdhjetë vitesh ndihem fajtore për çfarë kam bërë unë dhe mamaja ime, kundër nuses së vëllait.
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Babai im ka punuar gjithë jetën inxhinier dhe mamaja ime ka qenë ekonomiste. Babi dhe mami im janë njohur kur kanë qenë në shkollë të lartë dhe edhe pse kanë qenë babai nga veriu e mamaja nga jugu, janë martuar bashkë dhe kanë jetuar në Tiranë falë profesionalizmit të babait. Edhe ne të dy fëmijët kemi qenë të dhënë pas shkencave. Vëllai im, më i madh se unë, ndoqi rrugën e babait, ndërsa unë vazhdova për Arkitekturë, një shmangie e vogël e pasionit të babait. Im vëlla e mbaroi shkollën shkëlqyeshëm dhe falë edhe njohjeve të babait filloi punë në një ministri. Kishte rrogë të mirë, por ishte natyrë e tërhequr me vajzat dhe të gjithë i thoshim “të ta gjejmë ne nusen se ti s’po e qullos gjëkundi”, ndërkohë që ishte tridhjetë vjeç. Në fakt, nuk ishte ashtu, ai priste vetëm vajzën e duhur.
Mamaja ime, edhe pse nuk i njihte traditat e veriut dhe as ka jetuar në veri pas martesës me babain, ka patur marrëdhënie shumë të mira me të afërmit e babait, por më shumë donte hallën time. Halla kishte shtatë fëmijë dhe jetonte në fshat, por ne gjithmonë kemi shkuar për pushime te halla dhe prindërit e mi gjithmonë e kanë ndihmuar duke qenë se me të vërtetë ne ishim më mirë se ata. Njëra nga vajzat e hallës u martua në një fshat të Mirditës dhe ajo më bashkëshortin e saj u vendosën në Sanxhak të qytetit të Laçit.
Po tregoj për këtë kushërirë sepse këtu na filloi gjithë keqkuptimi mua dhe mamasë sime. Duke qenë se Laçi ishte afër dhe kushërira jonë kishte për burrë një djalë të mrekullueshëm, ne shkonim vazhdimisht te kushërira jonë. Edhe bashkëshorti i saj na dukej sikur të ishte i afërmi ynë, kaq shumë na respektonte. Ata kishin tri vajza të vogla. Më e madhja ishte dhjetë vjeçe, e dyta ishte shtatë dhe e treta, dy vjeçe.
Unë, pasi mbarova studimet, fillova punë menjëherë dhe falë miqësive të babait, fitova një trajnim dy javor jashtë Shqipërisë. Në vitin 1994 ishte ngjarje e madhe dhe fat të kishe mundësinë të lëvizje jashtë Shqipërisë. Atje bleva dhurata për të trija vajzat e vogla sipas porosisë së veçantë të mamasë sime dhe sapo u ktheva, shkuam për drekë të vajza e hallës që të katërt, pridërit e mi, unë e vëllai.
Kur shkuam, gjetëm atje një vajzë shumë të bukur që në fillim mendova se ishte komshie, por vetëm pas pak minutash, dëgjova vajzat ta thërrisnin hallë. E kuptova që ishte kushërira e dhëndrrit tonë, sepse ai nuk kishte motër. Vajza e vogël, ajo dy vjeçarja i rrinte varur nëpër këmbë dhe lozte me hallën e saj, aq sa edhe unë e pata zili. Për të qenë e sinqertë, halla e vajzave të vogla mori vajzat dhe më shumë ndenji nga kuzhina dhe dhoma e gjumit duke lozur sesa në tavolinë me ne. Folëm shumë pak me të, por me të vërtetë që dukej që ishte vajzë më brumë. Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme me nota shumë të mira dhe u habita kur më tha që nuk do ta vazhdonte shkollën e lartë. Nga burri i vajzës së hallës mësuam se ajo e kishte të atin të paralizuar dhe në familje punonte vetëm mamaja e saj, që nuk e përballonte shkollën e saj. Për mua e prindërit e mi me kaq mbaroi interesimi për të, ndërkohë që vajza e hallës na e theksoi se ishte vajzë shumë e veçantë, jo thjesht kishte dalë me nota shumë të mira.
E kundërta kishte ndodhur me vëllain tim. Nga mbasditja, pasi pimë edhe kafe, ne dolëm që të ktheheshim për Tiranë, por ai u ndal e foli me burrin e vajzës së hallës diçka prapa. Ne nuk ia vumë veshin se ç’po thoshin. Muhabete burrash, ata ishin pothuajse moshatarë. Në fakt, vetëm pas dy javësh e morëm vesh ç’kishin biseduar.
Vëllai im kishte lënë takim me kushërirën bukuroshe që ne pamë të vajza e hallës. Ata ishin takuar për tetë ditë rresht në një lokal në Sanxhak, sipas orarit dhe vendit që kishin lënë vëllai e kushëriri. Vendimi i këtyre takimeve ishte se vëllai im megjithëse kishte dymbëdhjetë vite diferencë me atë vajzë dhe ajo nuk kishte mbaruar fakultet, kishte vendosur të martohej me të. Tamam pas dy javësh, kur mamaja po thoshte që të ftonim vajzën e hallës me fëmijët të vinin me ne në plazh për pushimet e verës, ai na tha vendimin e tij.
– Kam takuar dhe kam folur gjerë e gjatë me kushërirën e V. Që takuam në Sanxhak. Ajo vajzë më pëlqeu sapo e pashë dhe më duket edhe e zgjuar, kështu që mendoj se këtë fundjavë do të shkojmë te shtëpia e saj dhe do t’i kërkojmë dorën.
– Po ajo s’ka mbaruar asnjë shkollë, more djalë, – u hodh ime më e para.
– E di, ajo ka mbaruar shkollën e mesme shkëlqyeshëm dhe do të vazhdojë shkollën e lartë duke qenë e martuar. S’shoh asnjë gjë s’shkon këtu, – tha vëllai.
– Uuuu, si tha Jovan Bregu, do vazhdosh me “tullat” edhe pesë vite, sa të mbarojë ajo shkollën? More djalë, ti je i rritur tashmë, s’të lejohen këto gabime. Pastaj, nga ai qytet fantazmë ta sjellësh në Tiranë? E kupton që është katundare? – tha mamaja me një mllef e neveri ndërkohë.
– Edhe ti e babai keni qenë nga qytete fantazmë, por keni jetuar për mrekulli në Tiranë. Edhe ajo do të jetojë me mua në Tiranë, pavarësisht nëse të pëlqen ty apo jo. Të dielën do të shkojmë në shtëpinë e saj dhe të hënën e mbrapa ajo do vijë të jetojë me ne, – tha vëllai.
Pas pak, ai i tha babait të dilnin për kafe që t’i thoshte atij ekzaktësisht çfarë kishte vendosur, ndërkohë që nuk la vend për asnjë lloj diskutimi. Kur ata u kthyen nga kafja pas tre orësh, babai
dukej goxha i qetë. Ime më mendoi se i kishte ndryshuar mendjen dhe po priste babanë të na thoshte se çfarë kishin biseduar.
– Atëherë, që ta merrni vesh dhe ju të dyja, – tha babai, – të dielën do të shkojmë te shtëpia e prindërve të L. Kanë vendosur që do të martohen pa ceremoni dasme sepse i ati i saj është i paralizuar dhe ata nuk kanë mundësi, por të hënën atë do ta sjellë në Tiranë i vëllai dhe do të martohen në gjendjen civile, kurse vajza do të vijë të jetojë në shtëpinë tonë. Këtë një muaj kohë që i mbetet, do të lexojë që të konkurrojë për në fakultet dhe pas konkursit, të shkojnë plazh apo diku për muaj mjalti. Problemi i vetëm në këtë mes është shtëpia jonë shumë e vogël (sepse ne jetonim në një shtëpi 1+ 1. Shtëpinë tjetër që kishim blerë dy pallate më larg, që ishte po 1+1 e kishim dhënë me qira).
Mamaja ime filloi të qante pa mundur të thoshte asnjë fjalë, kurse unë u mbusha me një mllef kundër asaj vajze që do të hynte kaq papritur në shtëpinë tonë. Me shumë debate e kundërshtime të mamasë u bëmë gati për të dielën, ditë e cila m’u duk se erdhi më shpejt seç mund të vinte në kushte të tjera.
Arritëm në qytetin e vogël, ku na priste burri i vajzës së hallës. Im atë i foli dhe e përqafoi si gjithmonë, kurse ime më e unë i kishim varur turinjtë sikur të na e kishte ai fajin. Im vëlla i tha menjëherë që na kishte zënë makina nga rruga e largët se nuk kishim asgjë.
Shtëpia e nuses sonë ishte e vogël, por shumë e bukur. Megjithëse nuk isha dakord për martesën e menjëhershme të vëllait tim, kur e pashë për herë të dytë L., u binda që ajo ishte jo vetëm e bukur. I ati, megjithëse i sëmurë dhe nuk lëvizte fare, ishte burrë i ditur e i lexuar dhe shumë i pashëm. E ëma e saj, një grua e vogël me trup, por shumë e këndshme. Ia kaluam shumë mirë. Familja e saj ishin parapërgatitur si nga L., ashtu edhe nga kushëriri i tyre.
– Nëse ju jeni dakord, ne mund ta marrim vajzën qysh sot me vete dhe nesër vjen djali juaj për ceremoninë e celebrimit në bashki. Që të jem i sinqertë, më pëlqen zgjedhja e tim biri, – tha im atë.
– Po L. nuk është bërë gati të niset, është bërë gati t’ju presë, – tha burri i vajzës së hallës dhe e vendosëm thjesht që të nesërmen rreth orës dhjetë do takoheshin afër Stacionit të Trenit.
Kështu, të nesërmen ajo erdhi me të vëllanë në Tiranë, u martua me tim vëlla dhe, kur babai, vëllai e nusja erdhën në shtëpi, dreka jonë ishte si drekë të dyzetash. Edhe sot kur e kujtoj më vjen turp. Im vëlla e kaloi me një fjali.
– Sonte do të shkojmë në Durrës dhe do kthehemi nesër, kështu që ju vazhdoni planet tuaja…
Ata ikën në Durrës, natën e parë të martesës së tyre dhe u kthyen të nesërmen, im vëlla për në punë e nusja për të mësuar. Ajo kishte vendosur të konkurronte në Inxhinieri, Arkitekturë e Mjekësi dhe për habinë tonë, i fitoi të tre konkurset. Në inxhinieri ishte e para në listë për nga pikët, tek arkitektura e dyta dhe te fakulteti i mjekësisë, emri i saj ishte i gjashti. Ajo zgjodhi Arkitekturën. Por, për time më ajo ishte sërish delja e zezë. Ishte njeriu më i pafjalë që kisha parë ndonjëherë. Bënte punët që i thoshte mamaja, lexonte gjithë kohën tjetër, shumë rrallë dhe me shumë turp ulej pranë vëllait të shihte ndonjë film në darkë. Por kjo nuk na mjaftoi mua e mamasë.
Në vjeshtë të po atij viti, kolegia e zyrës së vëllait martohej dhe ishin të ftuar të dy. E dija që do të shkonte në dasmë dhe nuk e pyeta asnjë ditë se çfarë do të vishte as asnjë gjë tjetër. Vëllai më tha një ditë që ta çoja te parukierja ime dhe i thashë që ajo ishte e zënë dhe nuk kishte orar të lirë. Nusj, me shumë qetësi tha se do të rregullohej vetë. E pashë që u skuq, por e mbajti veten e nuk foli. Im vëlla e kuptoi që nuk doja dhe kaq. Të shtunën, kur do të niseshin për në dasmë, dola në korridor ta shihja me idenë për t’u tallur me të, por mbeta pa mendje kur e pashë. Kishte veshur një fustan të ngushtë, pasi ajo ishte shumë elegante, në bel kishte ca lulka me gjithë ngjyrat ku mbizotëronte ngjyra gurkali, ndërsa pjesa tjetër ishte i bardhë. Kishte vënë vathë të veckël fare gurkali, këpucët në po atë ngjyrë dhe flokët lidhur gërshet, model që s’e kisha parë askund. Ishte absolutisht e bukur. Im vëlla e përqafoi dhe i puthi kokën menjëherë kur e pa. Në dasmë kishte qenë në qendër të vëmendjes sepse të gjithë donin ta njihnin dhe veç kësaj, dukej shumë bukur dhe im vëlla tha që kërcente si balerinë. Edhe ai vetë kishte shumë gjëra që nuk i dinte për të.
Nga ajo dasmë, inati ndaj saj m’u rrit më shumë. Ne flinim të tre në kuzhinë, ajo në aneks e unë e im vëlla nëpër divane si më përpara. Më vonë mësova nga ime më që i kishte thënë një shoqe se vëllai shkonte shpesh me të shoqen në një hotel në periferi. E kuptoj, ata nuk kishin një dhomë gjumi…
Ajo filloi fakultetin, lexonte shumë, kurse mbasditeve dilnin me vëllain. Në fakt në shtëpi nuk ndihej fare e s’e kuptoj pse ne e morëm aq inat. Unë e ime më ç’nuk bënim që t’ia nxinim sa më shumë ditët nuses. Ishte fillim dhjetori kur mamaja tha gjënë më të rëndë për të gjithë:
– Si nuk e shtyp makina në rrugë budallaqen, po xhanëm, nuk bie rrufeja në hale!
– Çfarë thua moj, je edhe nënë vetë?! Si mund t’i urosh vdekjen një tetëmbëdhjetë vjeçareje? – tha babai dhe mendova se do plaste grushti kur dëgjova një zë krejt pa jetë:
– Faleminderit për urimin. Do ta kem parasysh që të kem më shumë kujdes kur kaloj rrugën. S’ka problem… – iu kthye nusja babait. Im vëlla e mori e dolën për kafe. Kur u kthyen, e pashë që ajo kishte qarë.
– Qiraxhinjtë e shtëpisë tjetër kanë dalë sot nga shtëpia, – tha im vëlla, – dhe ne do të shpërngulemi atje qysh nesër. Edhe sonte, bëni si të bëni dhe na duroni.
Kaq mjaftoi dhe as “natën e mirë” dhe as “mirëmëngjes” nuk arritëm t’i thonim njëri-tjetrit nga situata e drekës. Të nesërmen ata morën rrobat dhe shkuan në shtëpinë e tyre.
Im vëlla kishte rrogë të mirë, miqësi gjithandej dhe kishte patur mundësi të linte para mënjanë. Ata kishin blerë gjërat kryesore të shtëpisë dhe pas tri javësh që kishin hyrë në shtëpinë e re, kur erdhi Viti i Ri, na ftuan për festë. E si mund të shkonim ne? Babai këmbënguli që s’kishte kuptim të mos shkonim dhe në fakt, kishte të drejtë. Më pëlqeu shumë mobilimi e çdo gjë që kishin blerë. Gatimin nusja e kishte bërë perfekt. Mund të them me plot gojën që ishte festa më e bukur që kam kaluar sepse nusja, ose e kishte kaluar inatin me ne, ose arrinte të përmbahej shumë mirë, s’e kuptova. Qeshëm e u kënaqëm, biseduam pothuasje gjithë natën dhe vetëm në mëngjes u nisëm për në shtëpinë tonë, se sigurisht, nuk kishin rroba fjetjeje rezervë.
Nusja që aq shumë e urryem në fillim unë e mamaja ime, mbaroi fakultetin me notën mesatare tetë. Ishte ndër studentet që të gjithë pedagogët e mbanin mend si vajza më serioze dhe e zgjuar.
Pas shkollës, filloi punë e na lumturoi edhe me fëmijë. Ime më rriti nipin të parin e pastaj edhe dy mbesat dhe vazhdon t’i kërkojë falje nuses për muajt e parë të saj në shtëpinë tonë. Kur u martova unë, ajo përballoi të gjitha punët e dasmës dhe jo vetëm nuk u ankua, por gjithçka e bëri perfekt. Me të vërtetë që kishte gusto. Dhe gustoja nuk ka të bëjë me vendin prej nga vjen apo me shkollim, por me dëshirën. Si përfundim, e dua nusen e vëllait si motrën time që s’e pata kurrë.
H.