Midis nesh

 

Midis nesh një botë e akullt

Edhe ndjenja zënë në çark

Fryn si erë ky mall i plakur

E s’pushon, veç vjen përqark!

 

Midis nesh, një botë pa ngjyra

Ku dhe ndjenjat janë gri

Fryn ky mall që sjell fytyra

E shumë herë, bëhet stuhi…

 

E shumë herë bëhet i frikshëm

Bëhet zjarr që djeg në gji

Mjaft fytyra sjell çuditshëm

Por më shumë anon nga ti.

 

E atëherë bëhet si flutur

Kur kujtimin tënd përkund

Bota bëhet më e bukur

por përsëri mbetet pafund! Bledi Ylli

 

Unë të pres

 

Unë të pres këtu i vetëm

Tok me hënën tonë të vjetër

Dashurinë që kurrë s’e gjetëm

Unë e pres, nuk kam rrugë tjetër!

Kam edhe diellin që të donte

Që mbi ty derdhej pa metër

Ç’bukuri që të dhuronte!

Unë të pres, nuk kam rrugë tjetër!

Kam kujtimin tënd të bukur

Që të mban përherë të gjallë

Dhe pse kohë ti je e zhdukur

Unë të pres. Të pres me mall! BlediYlli

 

 

Ndjej zemren që më rreh vetëm për ty…

 

Perëndoi edhe dielli i kësaj dite,

Shëtisja, por s’e dija se ku…

Ashtu e veshur me fustan të kuq,

Ti më thoshe “eja këtu!”…

Ecja e ecja e nuk të gjeja dot,

Kudo ku shkoja me ndiqnin sytë e tu,

Ecja në këtë tokë të thatë,

Ti më thoshe prapë, “eja këtu!”…

E veshur me fustan mëndafshi,

E nuk dija as vetë ku shkoja ashtu.

Më pëshpërisje së bashku me erën,

Prapë me thoshe, “eja këtu!”…

Flladi i ngrohtë i dashurisë tënde,

Më djeg e më vret me ngadalësi.

Po të kërkoj me kujtesën e shpresës,

Prit dhe pak, se pranë teje po vij!

Rend e rend, ja dielli perëndoi,

Dhe lodhje nuk po ndjej kurrsesi.

Ndjej shpirtin që po më përvëlohet,

Ndjej zemrën që më rreh vetëm për ty…  Luljeta Gjosha Pashollari

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here